LajmeOpinione

Largimi nga pushteti si shpëtim i përbashkët

“Autoktonia” e PDSH duhet së pari të kërkohet brenda saj, aty ku e ka devijimin. Ky do ishte reflektimi më progresist i saj. I nevojshëm për atë si parti, por para së gjithash për Preshevën. Pa këtë katarsis të domosdoshëm, që si duket nuk do të ngjajë në një të ardhme të afërt, ajo nuk duhet ta qeverisë ende Preshevën dhe duhet të “pushojë” në opozitë

“Lidere e politikës autoktone shqiptare në Luginën e Preshevë”. Ky është slogani i konventës së PDSH në Preshevës për 25 vjetorin e themelimit të saj. Si çdo parti, edhe PDSH pati ngritjet dhe rëniet e saj. Ngritja e saj më domethënëse numerike konsiderohet viti 2004, ku arriti për herë të parë të dalë partia e parë politike në Preshevë. Mirëpo, kjo është pikërisht referenca par excellence se jo çdo herë fuqia e numrave nënkupton cilësi politike. Ndryshe se ç’mendohej, nga një parti e krijuar kryesisht nga të burgosurit politikë dhe nga “idealistë” më rezistues dikur ndaj pushteteve shtypëse politike dhe lakmive financiare pushtetare; PDSH u shndërrua me kohën, në një parti tipike klientaliste; pa asnjë ide(ologji), parim dhe koncept politik; përveç atij të të qenurit në pushtet, me këdo dhe sido!

Ky transformim radikal i PDSH pati vërtetë për rezultat ruajtjen e pushtetit simbolik në komunën pa kompetenca të duhura, por për rezultat politik pati devijimin komplet nga fryma e saj politike. Si pasojë, ajo e varfëroi ekonomikisht, politikisht, kombëtarisht dhe kulturalisht Preshevën – për t’i pasuruar me kapital financiar dhe kulturor individët e kreut të saj.
Prandaj, edhe udhëheqja e saj simbolizohet sot veçmas me debaklin e lapidarit të dëshmorëve, mirënjohjen për Vuçiqin, pjesëmarrje në Trupin Koordinues dhe në zgjedhje për Këshillin Nacional, asociacionin fiktiv, afera dyshuese korruptive etj etj….
“Autoktonia” e PDSH duhet së pari të kërkohet brenda saj, aty ku e ka devijimin. Ky do ishte reflektimi më progresist i saj. I nevojshëm për atë si parti, por para së gjithash për Preshevën. Pa këtë katarsis të domosdoshëm, që si duket nuk do të ngjajë në një të ardhme të afërt, ajo nuk duhet ta qeverisë ende Preshevën dhe duhet të “pushojë” në opozitë.
Për të mirën e saj. Për të mirën e Preshevës, për të mirën e Luginës!

(Autori është kryetar i Forumit Rinor dhe anëtar i Kryesisë së Alternativës për Ndryshim në Preshevë)

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button