Mësimi po shkon drejt fundit, librat ende të bllokuara
Edhe pse po afrohet përfundimi i gjysmëvjetorit të parë në shkollat shqipe në Luginë të Preshevës, KNSH edhe më tek insiston për “debllokimin e më shumë se 100.000 teksteve shkollore në gjuhën shqipe të dërguara nga Kosova që gjenden në terminalin doganor në Preshevë”.
“Ne nuk heqim dotë që tekstet mësimore si donacion nga Ministria e arsimit të Kosovës ti ndajmë nxënësve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kemi organizuar protesta në shkollat e jugut të Serbisë ku mësojnë shqiptarët, por presim edhe përkrahjen për aksionin tonë edhe nga Prishtina e Maqedonia, para së gjithash nga bashkëatdhetarët tanë nga Manastiri” ka thënë kryetari i KNSH Jonuz Musliu për mediet serbe.
Musliu ka thënë se ministri e arsimit në Beograd nga muaji maj e ka ditë se ne do të jemi donacion me tekste shkollore nga Prishtina për të cilën ka qenë i njoftuar edhe ministri Verbiq.
“Nga ministria atherë kanë thënë se për këtë do të merren vesh me kryeministrin serb, por deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje” ka thënë Musliu.
Siç mësohet, këto tekste do të qëndrojnë të bllokuara në terminalin doganor deri sa “inspekcioni përkatës të kontrolloj secilin tekst dhe përmbajtjen e tyre, ndërsa bëhet fjalë për më së paku rreth 30 lloje të librave për shkollat fillore dhe të mesme.