Nuk është momenti i duhur për ndryshime – Është momenti i fundit për ndryshime
Të gjithë njerëzit kur kërkojnë një jetë më tëmirë, atë e paramendojnë në një të ardhme të afërt. Vetëm për ne, qytetarët e Luginës së Preshevës – jeta më e mirë simbolizon të kaluarën para 30 apo 40 viteve. Gjenerata ime, ne jemi lindur në krizë, jemi rritur me të, jemi shkolluar në krizë, kemi formuar familje në krizë. Pajtohuni me këtë, këto janë sfida. Jeta këtu është kështu, po ajo që duhet të jetëkarakteristikë e atyre që duan të udhëheqin me këtë vend është fakti se ata duhen të përballen me ngjarjet që ndodhin, dhe të mos shërbejnë ato si alibi dhe arsyetim.
Si duket Presheva sot? Pa plan, pa vizion, e ngarkuar me shprehje frazeologjike, dëshiron të zhvillohet ekonomikisht, a nuk dëshiron ta shoh se në çfarë shtylla bazohet zhvillimi ekonomik.
Presheva është një vend i pakënaqur pa marrë parasysh pozitën partiake nga e cila qytetari e vrojton realitetin e tij. Mendoj se sot, njejtë të paknaqur janë edhe votuesit e Alternativës, edhe gjithë votuesit e partive tjera. Çmimin e paguajmë para së gjithash ne qytetarët e Preshevës, përshkak se vendi është udhëhequr nga një politikë e gabuar, përshkak se është drejtuar në qëllime të gabuara. Çdo krizë që eshtë para nesh, në fakt është reprizë e krizave që i kemi përjetuar në të kaluarën.
Të mos presim më që dikush të na zgjidh problemet tona. Të provojmë njëherë në jetën tonë, që vet të ndërrmarim iniciativë për zgjidhjen e problemeve tona. Problemi ynë nuk ka shumë gabime. Problemi ynë është, që po e përsërisim të njejtin gabim. Në fakt, ne kurrë as nuk kemi arrit tek gabimi i dytë. E kemi të qartë problemin, dhe zgjidhjen para hundëve. Pra zgjidhja jemi ne! Vetëm ne si popull mund ta ndërtojmë e rregullojmë Preshevën, vetëm ne mund ta bëjmë atë të sigurt dhe të rehatshme, ne si popull fuqizojmë pushtetin- ne si popull me votën tonë edhe e çfuqizojmë atë. Presheva tashmë është pasqyrë e gjendjes sonë mentale, shpirtërore dhe fizike.
Por nëse vazhdojmë si deri tani ti përsërisim gabimet e të zgjedhim të njejtën elitë politike që na ka pru në këtë gjendje, atëherë fëmijëve tanë do t`i lëmë më shumë probleme se sa që vet i kemi trashëguar. Dhe pastaj, shtrohet pyetja, a e meritojmë apo jo që të jemi të lumtur???
Vendi jonë ka dështu në zhvillim ekonomik. Vendi jonë ka dështu në sport, kulturë. Është shkatërru moralisht. E këto janë çmimet të cilat i paguajmë për politikën e gabuar. Renditja e veprimeve është e qartë. I duhet një gjeneratë e re këtij vendi. Hapi i pare është që vendi të ndërtohet në themele tjera.
Andaj, unë zgjidhjen time e bëra. Gjeta ALTERNATIVËN time. Si një qytetarë i pakënaqur, zgjodha Alternativën për Ndryshim. Si një prind që tmerrohem kur shoh të ardhmën e birit tim, Buronit, nëse vazhdojnë të na udhëheqin po këta njerëz që i kemi sot në pushtet, vendosa që ndryshimi të vij si rezultat i kontributit tim. Alternativa si ide e themelua, andaj sot më shumë se kurrë duhet ti japim asaj përmbajtje. Përmbajtja asaj i jipet duke afirmuar një sistem të ri të vlerave, duke mos i anashkaluar problemet-por duke u përballur me to, duke e thënë të vërtetën, sado që e rëndë të jetë ajo, duke mos votuar më me bark – por me kokë.
Ajo çka duhet të bëjmë në javët e ardhshme është të japim përgjigjen e qartë në pyetjen se a shkon Alternativa në zgjedhjet e ardhshme që ti fitoj disa këshilltarë në kuvend komunal dhe të jetë statike apo do të gjejë mënyrë që të vijë në shprehje aftësia e saj e madhe e motivimit të të gjithë atyre që sot janë të dëshpëruar nga kjo klasë politike, por jo duke hyrënë konflikte me dikë, por në investimin e jetës sonë e cila është e vetmja që na ka mbetë drejt qëllimeve pozitive. Vështirë është, e dijmë të gjithë! Por kur e kemi pas thjesht e lehtë, unë për vete nuk e mbaj mend. Andaj, nuk ka rrugë tjetër përveç asaj që jemi përcaktuar secili nga ne në mënyrën e vet, secili nga ne në kohën e vet.
Atyre që sot udhëheqin me Preshevën i shkon kjo porosi – ne jemi ndryshe. Nuk jemi ndryshe sepse ata janë nga partitë tjera, jemi ndryshe ngase interesin tonë nuk e ndërtojmë në mossuksesin e tyre. Atë që nuk mund t`ia falim këtij pushteti është që nga një shoqëri e vogël si kjo e jona kanë bërë bashkësi të një bote pafundësisht të frikësuar. Pse kjo situate që ndodhemi sot është afër diktaturës? Sepse diktatura është sistem ku gjithçka mvaret nga vullneti i një personi, në të cilin nuk ekzistojnë institucionet dhe ku jetohet nga sot deri nesër.
Çka është ajo që mund të ofrojnë këto parti ekzistuese tek ne? Të gjitha i kemi parë në pushtet, të njejtit politikan veprojnë në to sot e 25 vite. A do ti hapin fabrikat po të njejtat parti të cilat me politikën e tyre të njejtat i kanë mbyllur? A do të munden bankën ta ruajnë po këta politikanë që me politikën e tyre tjerat i kanë larguar? A do të mjekohemi në Shtëpi Shëndeti të moderuar në atë mënyrë që të njejtën do t`ia lëmë në dorë politikës e cila ka bërë që në Shtëpi të Shëndetit të ndërrohen vetëm rradhët e pacientave? Pra, çka është ajo që do të na ofrojnë? Atë më edhe nuk po e bëjnë, në vend të fjalëve, ata po këndojnë,e kur nuk po këndojnë, po fyejnë gjithçka që kanë rreth vetes. Po fyejnë edhe Shqiprimin. Po e etiketojnë në mënyra më banale të mundshme. Po si mund të etiketohet ndokush që secilin e don,që secilin e respekton, i cili nuk vjedh, i cili thot atë që e mendon, i cili e bën atë që e thot.Për atë edhe sot Preshevën e kanë ngjyrosur me ngjyrë të zezë, ngase cdo gjë që është në të normale – e kanë mallkuar.
Andaj, në këto zgjedhje kërkojmë rast për një politikë ndryshe. Shqiprimi nuk është vetëm kryetar komune pranë të cilit duam të qëndrojmë, por edhe njeri i cili simbolizon gjithçka që ka nevojë Presheva. Për këtë duhet të dalim në zgjedhje, dhe dua në zgjedhje të fitoj një person i thjeshtë,i kulturuar, i vyeshëm, para së gjithash një person që është njeri. Shqiprimi është përgjigja e pyetjes se çfarë Presheve i duhet preshevarëve. Dikush që ndalet në rrugë më një person sepse ai person ka rëndësi për Shqiprimin, e jo sepse ai takim do bëhej një ‘fotografi për rejting të mirë’ në mediat elektronike. Dikush që në trotuare tërrugëve i jep vërejtje njerëzve se nuk duhet ta parkojnë aty veturën, – jo sepse ky gjest do të ishte i mirpritur në media, por sepse vet është i formuar në atë mënyrë, dhe tërë jetën në atë mënyre e jeton, në ato principe. Pra, këto veti duhet ti japim këtij qyteti, dhe këto veti duhet t`ia ofrojmë shoqërisë dhe kjo është detyra jonë.
Andaj, në zgjedhjet e ardhshme do të jem pranë dhe votoj për Alternativën sepse:
– Për herë të parë po votoj ‘për’ dikend e jo ’kundër‘ dikujt;
– Për herë të parë po votoj për të vetmën alternativë në Preshevë;
– Sepse Alternativa e avokon idenë e një Presheve ndryshe, e liruar nga dyftyrësia, gënjeshtrat dhe korruspioni. E një Presheve në të cilën njerëzit do të vijnë në të, e jo të ikin prej saj;
– Sepse Alternativa po e mobilizon rininë, po merr frymë me optimizëm, me energji e cila zgjon shpresën që ne mundemi;
– Sepse dua që votën time t`ia jap Preshevës së të ardhmës, e jo Preshevës së të kaluarës
Çdo njeri të cilit i ka mbet edhe atomi i fundit i energjisë, i duhet Preshevës. Në mes neve dhe atij nuk ka dallime rreth punës që duam ta bëjmë së bashku . Alternativa është bashkuesi ynë, andaj edhe koha ka ardhur për të.
Në Preshevë do të flitet për ALTERNATIVËN, jo si një projekt partiak, por si një mënyrë të re të të jetuarit. Këtë punë nuk mund ta bëjmë vet. Për këtë, obligimi ynë është që të vazhdojmë të jëmi një magnet. T`i bashkojmë të gjithë ata që përmes bashkangjitjes të rrugëtimit tonë, pavarsisht pengesave dhe anestezimit të publikut, ende është e mundur të motivojmë njerëzit që të kyqen në politikë dhe ta transformojmë realitetin.
Shkruan:
Gazmend Selmani
Sekretar i përgjithshëm i ALTERNATIVËS