Kamberi: Ende nuk dihet se a do të marrim pjesë në zgjedhjet parlamentare
Deputeti popullor në parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi ka deklaruar për mediet serbe se zgjedhjet e parakohshme paralentare në Serbi janë të panevojshme duke shtuar se PVD ende nuk ka qëndrim rreth asaj se a do të marrë pjesë në këto zgjedhje.
Kamberi ka thënë se në ditët në vijim kryesia e PVD-së do të marrë vendim se a do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe nëse vendimi është pozitiv, do të pasojnë bisedimet me partitë tjera shqiptare në Bujanoc dhe Preshevë për daljen eventuale në koalicion.
“Mendoj se është e panevojshme të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasi nuk ka as dy vite që nga fillimi i këtij mandati. Për pjesmarrjen në këto zgjedhje do të kemi problemin e vjetër, ku partitë e vogla do të garojnë me kushte të njejta sikurse partitë e mëdha – duhet të tubohen 10.000 nënshkrime për përkrahje të listës, çka për ne është shumë e vështirë” ka thënë Kamberi.
Sipas tij në praktikë do të thotë se secila parti shqiptare që dëshiron të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në dy komunat, Bujanoc dhe Preshevë, duhet të mbledhë nga 5000 nënshkrime.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare ka marrë pjesë Partia për Veprim Demokratik e cila përfaqësohet në parlamentin serbe me dy deputet, Riza Halimin dhe Shaip Kamberin.