Lugina e Preshevës mes Zajednicës ndarëse
Ata në Luginë që thonë se nuk duhet përzier në çështjet e Kosovës, janë ata që e perceptojnë Luginën si pashallëk të tyre, të shkëputur nga Kosova dhe nga bota shqiptare. Lugina është e pashkëputshme nga bota shqiptare dhe anasjelltas.
A nuk mjaftuan këto vitet e fundit për të kuptuar se edhe Kosova duhet të jetë në kahjen e duhur që të përfitojë Lugina?A nuk mjaftoi injorimi i Luginës nga qeveritarët e Kosovës për të kuptuar se kemi nevojë për një qeverisje progresiste në Prishtinë që e ka Luginën pjesë përbërëse të politikave të saj qeverisëse.
A nuk mjaftoi injorimi i Luginës në dialogun e Brukselit edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës? Në vend që të kontribuoj për Luginë, Qeveria e Republikës së Kosovës dëshiron të themelojë Zajednicën e Serbisë brenda Kosovës!
Në vend që të kontribuojë për Luginën, Qeveria e Republikës së Kosovës i falë toka Malit të zi, gjë që mund të përsëritet një ditë edhe me Serbinë! Po qe se themelohet Zajednica, ajo do ta përkeqësoi edhe më shumë gjendjen brenda Kosovës dhe jashtë saj.
Ajo do të ketë reperkusione drejtpërsëdrejti edhe në Luginën e Preshevës, duke e izoluar dhe ndarë edhe më shumë Luginën e Preshevës nga Kosova dhe duke e pamundësuar ngritjen e saj në agjendat politike rajonale dhe ndërkombëtare! Rënia e Zajednicës dhe Qeverisë që po e mbron atë me çdo kusht është sot interes i Luginës së Preshevës!
Prandaj edhe duhet protestuar më 9 janar dhe nuk duhet pritur ftesën e politikanëve të Luginës që për t’i ruajtur karriget e tyre nuk guxojnë ta kundërshtojnë publikisht Qeverinë e Republikës së Kosovës të cilën e kritikojnë vazhdimisht privatisht!