Ndërron jetë Prof.Fehmi Kelmendi nga Presheva

Ka ndërruar jetë në moshën 85 vjeçare Profesori Fehmi Kelmendi nga Presheva në Biel të Zvicrrës më datë 30 dhjetor 2015.
Siç mëson Presheva.AL varrimi do të bëhet më 2 janar 2016 në Preshevë në ora 14:00.
Më poshtë mund të mësoni se kush ishte Prof. Fehmi Kelmendi:
Fehmi Kelmendi ka lindur më 18 maj 1930 në Preshevë (Kosova lindore). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë, ndërsa Fakultetin Filozofik (degën e Historisë), në Zagreb. Pas përfundimit të studimeve u mor me hulumtime historike, duke u dhënë prioritet atyre të karakterit kombëtar shqiptar.
Fitoi atributet e profesorit duke dhënë leksione për studentët. Rrjedh nga një familje me tradita të theksuara patriotike. Ky atdhetar i denjë i kauzës shqiptare, ka qenë i persekutuar politik dhe të gjithë pjesëtarët e familjes së tij, të ushqyer me ndjenja kombëtare, gjithë jetën e tyre ia kanë kushtuar çështjes së çlirimit kombëtar shqiptar. Gjithmonë ka qenë në shënjestër të UDB-es. Asnjë rresht nuk ka pasur të drejtë ta botojë. Kur ka ardhur në Zvicër (1991), gjithë akumulimi i tij ka shpërthyer si një vullkan, duke e derdhur lavën patriotike në letër. Ëndrra e tij e vetme është që krejt shqiptarët një ditë të jetojnë në një shtet të vetëm, me një flamur të vetëm, në Shqipërinë historike të rilindësve tanë. Profesor Kelmendi është autor i disa veprave të botuara me karakter historik dhe letrare. Ndër to shquhen librat: Kush janë shqiptarët, Përjetime, Duke pritur agimin e kombit tim, Plakur nga malli, Shpirt i ndezur, Golgota kosovare, Tregime, Çështja shqiptare në udhëkryq. Presheva.AL
