Lajme

Toponimia e Preshevës

MËHALLA E DOGANËVE – shtrihet në të djathtë të lumit të Preshevës dhe i përketë fisit Kelmend.

MËHALLA E SHEH-HALILËVE DHE E ALI-METËVE – shtrihen në anën e majtë të lumit dhe i përkasin fisit Sop.Këto dy mëhalla janë të një gjaku.

MËHALLA E KUKLARËVE – shtrihet në anën e majtë të lumit dhe i përketë kryesisht fisit Thaç.
Emri i Mëhallës së Kuklarëve nuk dihet saktësisht qysh ka mbetur, edhepse shumë pleqë të kësaj Mëhalle dhe Trifunoski e vërtetojnë me sinonimin Kukës-Kuklar.

LOMA E MAJANCËS – gjithë Mëhallën e Kuklarëve e lidh një strumbullar, një territor, në mes të të cilit gjendet Loma e Majancës. Në të kanë fshirë drithnaja banorët e Mëhallës së Kuklarëve, por edhe të Mëhallëve të tjera dhe më gjërë. Në këtë vend kanë ndodhur edhe ngjarje të tjera : lojërat e fëmijëve, të të rinjve, bisedat e të mëdhënjve dhe të Pleqëve të Mëhallës, për probleme jetësore, politike, fetare.

GURI I BOLLËS – sipas një legjende se në fillim të Kodrës-Gurit të Bollës paska pasur shumë bolla të mëdha, për të cilat thuhet se edhe sot dalin nga Gurishtja, por jo në ato përmasa.

LUGI I BLINIT – lug i blinave, në të dy anët etij kishte stane dhe ishte i pasur me kullosa.

FYERA – ndryshe edhe fytyra, përmbi Lugin e Blinit,

KOLIBET E ÇOBANËVE – shtriheshin rrëzë Majës së Zabelit kah Mëhalla e Kuklarëve, ku ishin të vendosura Kolibet e Çobanëve dhe toriqet e dhenëve.

MAJA E ZABELIT – maja e malit-kodrës që quhet Zabel përmbi Mëhallën e Kuklarëve, e cila ka kullosa për dhenë, dhi dhe kafshë të jera.

ÇEZMA E ZABELIT – ka marrë emrin sipas Majës së Zabelit, uji edhe sot rrjedhë në te dhe përdoret për kafshët.

GURISHTJA – gjendet permbi Mëhallën e Kuklarëve, kodër me gur për gëlqere.

FUSHA E THIVE – përmbi malin Vaçë, ku rrinin thitë e egër,

TE PUSAT – vend malor me ujë, ku kafshët pinin ujë,

TE MOLLAT – vend në Vaçë, vend me molla,

KALAJA E PRESHEVËS – Kalaja e Preshevës së pari u themelua nga Dardanët në shek. IV para erës së re. Ajo gjendet në perëndim të qytetit të Preshevës. Me ardhjen e romakëve në këtë trevë, ata në shek. I të erës së re ndërtuan udhët të shtruara me gurë sipas standardeve ndërtimore të tyre, rindërtuan kështjellën mbi themelet e kështjellës së lashtë ilire, përkatësisht dardane si dhe vendbanimin dardan poshtë kalasë.
Më vonë u rindërtua nga Perandoria osmane dhe serbët.

PËRZHARI – lokaliteti që gjendet në perëndim të Preshevës, në të majtë të udhës Preshevë-Gjilan. Këtu janë gjetur varreza të vjetra, që i përkasin shek. I para Krishtit. Pozita e varreve ishte në drejtin lindje-perëndim, që vërteton origjinën dardane të varrezave.

GRADINA – lokaliteti i quajtur “Gradina” gjendet në anën e djathtë të rrjedhës së lumit të Preshevës, rreth 500 m në perëndim të Kishës dhe 150-200 m në lindje, në juglindje të lokalitetit antik ndër Kalanë e Preshevës. Në anën e jugut ajo puthet me kodrat fqinje. Në sipërfaqe të platosë shihen mbetjet e objektit antik, themele gurësh, tjegulla të formatit romak. Po ashtu gjejmë edhe qeramikë të kohës antike të mëvonshme. Thuhet se lokaliteti është i kohës iliro-romake dhe se ka paraqitur vendbanim strategjik.

MANASTIRI – Manastiri i Preshevës gjendet në jugperëndim të Preshevës, në anën e majtë të udhës Preshevë-Gjilan, mbi kishën dhe ndër Kalanë e Preshevës, ose aty te vendi i quajtur te Mullinjtë e Preshevës.

GURI I SHPUEM – gjendet në jugperëndim të qytetit, mbi 20 Mullinjtë e Preshevës, në anën e majtë të Lumit të Preshevës. “Guri i Shpuem” ishte objekt kulti, në realitet kishë gjysmë e futur në tokë shkëmbore, me zgavër në mes, në brendinë e të cilës hasen freska. Objekti i takonte lokalitetit ilir në Preshevë.

HANI I QORVELISË – gjendej në rr. “R. Sadiku” të Preshevës, Mëhalla e Kamberëve, sot te shtëpia e Mitat Veliut, në të djathtë të udhës Preshevë-Rahovicë, i ndërtuar më 1805.

HANI I RRAHMONËVE – Hani i Rrahmonëve të Preshevës ishte një kompleks, ku pos hanit, ekzistonte edhe Mulliri, kah lumi i Preshevës, i ndërtuar në fillim të shek. XIX, në Preshevë, në rrugën “M. Tito”. Hani i shërbente edhe udhëtarët, por edhe ata që bluanin e ishin nga larg. Sot është shtëpia në pronësi të Isa Latifit, Mëhalla e Begajve të Preshevës.

ÇARSHIA – Çarshia e Preshevës, në qendër të qytetit dhe për shkak të nevojave të tregtisë dhe zanateve karakterizohet me dyqane dhe mehane të shumta. Ato janë të vogla, njëkatëshe, të ndërtuara me tjegulla dhe me dërrasa. Hanet si ndërtesa të mëdha janë të pakta. Më tepër gjenden mejhanet, që janë më të vogla. Ato ishin me mindere përreth mureve.

HAMAMI I VJETËR – gjendej në të djathtë të rrugës Ramiz Sadiku, Preshevë- Rahovicë, para Xhamisë së Poshtme, tashti është ndërtuar ndërtesë e re shumëkatëshe.
S. Rizaj shkruante se në Kazanë e Preshevës, më 1896/7 ekzistonte një banjë publike, hamam afër Xhamisë së Poshtme. Deri në vitin 1912 ishte në shërbim të qytetarëve, ndërsa pas vitit 1912, hamami u përdor për banim nga emigrantët, pastaj në të u ndërtua një mulli elektrik, më1953. Më vonë shërbeu edhe depo e materialeve ndërtimore e Kooperativës Bujqësore të Preshevës. Në vend të hamamit të shkatërruar plotësisht, më vitin 1987 u ngrit një ndërtesë e banimit kolektiv. Hamami i Vjetër në Preshevë kishte vlera kulturore dhe historike, ishte ndërtuar gjatë kohës së Perandorisë Osmane, në periudhën e ngritjes së hamameve në Shkup, Prishtinë, Vranjë, Tetovë.

20 MULLINJTË E VJETËR – Në Preshevë ka pasur mullinj shumë të hershëm. Ata janë ngritur në lumin e Preshevës, shumica në kohën e Turqisë. Disa kanë më shumë se 150 vjet. Këta mullinj janë: Mulliri i Shaip Miratocit, në jug të lumit, te Mëhalla e Kajallarëve; Mulliri i Kadri Mullinxhisë, në jugperëndim të lumit, te Mëhalla e Karaponxhëve; Mulliri i Maksut Karavelisë, te Kisha; Mulliri i Qorvelisë, te Kisha; Mulliri i Horosanëve dhe Majancalive, te Kisha; Mulliri i Rashëve, te Currili te Mullinjtë; Mulliri i Karavelisë; Mulliri i Haxhi Halimit, te Mullinjtë; Mulliri i një serbi, te Mullinjtë; Mulliri i Ymer Efendisë; Mulliri i Hanucëve; Mulliri i Karaponxhëve; Mulliri i Stanojës; Mulliri i Laz Norçës; Mulliri i një serbi; Mulliri i Arif Kurbalisë-Nuhallarëve; Mulliri i Behë Kurbalisë; Mulliri i Kadri Norçës; Mulliri i Jonuz Kurbalisë dhe Mulliri i Zejnë Kurbalisë.

ÇEZMA E MADHE – gjendet në Mëhallën e Kuklarëve. Është e vjetër dhe i plotëson nevojat për ujë të pijshëm për një mëhallë.

ÇEZMA E LIMON AGËS – Çezma e Limon Agës i Mëhallës së Liçajve, në rrugën rajonale Preshevë-Stacioni Hekurudhor-Autostradë, te Livadhet e Qytetit, e cila sipas bashkëbiseduesit Selver Rexhepit të Mëhallës së Liçajve ka vjetërsinë e para 150 vjetëve, e rindërtuar disa herë nga Familja Rexhepi e Liçajve. Bile bashkëbiseduesi thotë: “Kjo Çezme është më e vjetër se Çezma e Madhe te Mëhalla e Kuklarëve.”

UDHA E NEMCIT – ku ushtria e gjeneralit austriak Pikolomini(1690) kaloi nëpër Karadak dhe që nga ajo kohë udha kryesore Preshevë-Gjilan është quajtur Udha e Nemcit. Bile sipas legjendës ekzistojne disa rrugë, nëpër të cilat kaloi kjo ushtri.

LIVADHI I SHEHIT – Livadhi i Shehut quhet edhe Livadhi i Shenjtë dhe Livadhi i Fshehtë. Livadhi ishte pronë e Shehlerëve apo pronë e ndonjë Shehu të Preshevës.
Vend në Malësi, me kullosa, disa hektarësh, në të majtë të rrugës Preshevë-Gjilan.

LIVADHI I VALËS/VALEVË/ – Livadhi i Valës gjendet në vendin e quajtur Valë. E quajnë edhe Livadhi i Selver Ramadanit, përshkak të pronËs së tij: aty janë arat e tij, livadhi ka ujë të bollshëm, natyrë me ajër shumtë të shëndetshme. Bile, shumë më herët kam ndëgjuar se këtë vend e kanë kërkuar për sanatorium, ku do të shëroheshin të sëmuritë nga frymëmarrja dhe mushkëritë.

LUMI I PRESHEVËS – ka burimin në malin Ostrovicë /1100 m/, në rrjedhë teposhtë dhe në hyrje të qytetit, te Mullinjtë e Preshevës merr një përrockë, që vjen nga perëndimi. Deri këtu rrjedha e lumit është në drejtim veri-lindje, ndërsa prej këtu merr drejtimin lindor. Lumi kalon nëpër qytet, deri më 1912 kaloi nëpër qendër të qytetit dhe rrugës së sotme të Ramiz Sadikut, teposhtë Mëhallës së Karavelive dhe Kamberëve, ndërsa pas këtij viti shtrati i rregullohet drejtë rrugës së sotme të Rinisë, teposhtë Mëhallës së Liçajve, Rrahmonëve,Berajve dhe Gollomehëve. Kështu te Stacioni Hekurudhor pranon lumin e Norçës dhe derdhet në Moravicë.

RRETHI – kodër në formë rrethi, rreth 300-400 m në lindje nga Kisha gjendet Rrethi, në të cilin është gjetur një pitos antik. Poashtu, sipas fjalëve të vendasve është gjetur edhe një Varr, por origjina dhe konstrukcioni nuk janë vërtetuar.

XHAMIA E VJETËR – Atik Xhamija e ndërtuar më 1628 nga Ibrahim Pasha, ashtu edhe e mban emrin, në qendër të qytetit të Preshevës.

XHAMIA E RE – Xhamia “Xhamiul-Xhedid ” u ndërtua më 1878, kurse është rindërtuar më 1983. Në murin e oborrit të Xhamisë gjendet Çezma e Xhamisë, me mbishkrim dhe në oborr të Xhamisë gjendet edhe Shatërvani i Xhamisë

TEQJA E PRESHEVËS – gjendet afër Xhamisë së Vjetër, u ndërtua në mes të viteve 1698-1700. E ndërtuan Shehët e Preshevës. Atëherë ishte e rrethuar me muri të lartë, ka pasur Hanin për udhëtarë, kuzhinën dhe ahurin e kafshëve të karavaneve. Këtu u ndërtua Tyrbja, e cila edhe sot ekziston në kompleksin e kësaj Teqeje. Teqja i perkët sektës “Halveti”

ÇEZMA E VJETËR E TEQESË – gjendet afër Teqesë, para Tyrbes, pronë e Sheh Salimit, e ndërtuar më 1878, kurse sipas Hixhrës më 1275.

KISHA E PRESHEVËS – gjendet në të dalë nga qyteti, në të majtë të rrugës rajonale Preshevë-Gjilan. Ajo ka edhe Kumbonaren, në të cilën kryqi dallon nga i Kishës.
Dera e kishës ishte në perëndim, më vonë është hapur në jug, ku edhe është hyrja zyrtare e lutësve ortodoksë.

MANASTIRI I PRESHEVËS – gjendej në jugperëndim të Preshevës, në anën e majtë të udhës Preshevë-Gjilan, mbi kishën dhe ndër Kalanë e Preshevës ose aty te vendi i quajtur Te Mullinjtë e Preshevës.

HISAR – rrëza e kodrinës së kalasë ku gjendej vendbanimi i lashtë.

ARA E LOMËS – arë në fushë të Preshevës, ndërmjet Allajve dhe Te bunari ku dikur fshinin drithnajet e fushës, para se të kalojnë të fshirat te Loma e Majancës dhe nëpër shtëpia.

MORAVICA – fusha e Preshevës përfshin fushën e Preshevës dhe të disa vendbanimeve: Zhunicë, Çukarkë, Bukuroc, e tjerë,

KARADAKU I PRESHEVËS – është pjesë e masivit të Karadakut dhe përfshin Preshevën dhe shumë vendbanime malore.

UDHA E FRENGIT – hekurudhë, të cilën e ndërtoi qeveria françeze më 1888 e që lidh Beograd-Nish-Preshevë-Shkup-Selanik,

XHADEJA E VJETËR – Xhadeja e Vjetër apo Xhadeja e Mithat Pashës u ndërtua më 1863-1985 dhe kjo rrugë lidhte shumë qendra të atëhershme tregtare veri-jug dhe jug-veri-Vranjë-Bujanoc-Preshevë-Kumanovë-Shkup.

HIJA E KEQE – mal i Preshevës në lartësi 997 m, në anën e djathtë të lumit të Preshevës,

PRESHEVA – vendbanim i lashtë, burimi i emrit prej dy fjalëve: “presh” (bot. Allium porrum) dhe “ova” fushë, fjalë turke.

VALA – vendbanim i vjetër në Karadakun e Preshevës, gjendet përmbi Preshevë. Toponim me Valevojt te Kurbalia.

VAÇA/VAÇKA/ – vendbanim i vjetër në karadakun e Preshevës, gjendet në anën e djathtë të rrugës Preshevë-Gjilan,

BRINJA E PRESHEVËS – në very-perëndim të qytetit të Preshevës, vendbanim dhe varreza të vjetra.

KROI I KEQ – Çezmë sot-autori, te Mëhalla e Derrajve, te Vreshtat e Preshevës, te Furrat e Qyreçit, në veri të qytetit. Kroi i Keq është i njohur shumë dhe i popullarizuar, sepse më 6 maj, Ditën e Shën Gjergjit , për çdo vit, populli, sidomos vajzat e gratë shkojnë për të kërkuar shëndet, duke i lajtë sytë me ujë Kroi dhe duke i mbushur enët e ndryshme për në shtëpi, ku i stërpikin anëtarët e familjes. Poashtu vajzat e reja, aty shkojnë për të kërkuar njohje dhe dashuri. Kroi i Keq më shumë vizitohet nga Romët, të cilët atë ditë e kanë festë të tyre, edhepse nuk qëndron ky mendim, ka literaturë të bollshme për Shën Gjergjin, në të cilin shprehet mendim tjetër mbi Shën Gjergjin.

ÇEZMA E ALIMETËVE – më parë Kroi i Mëhallës së Alimetëve gjindej para dyerve të Mëhallës së Alimetëve, sepse ajo ishte e mbrojtur me dyerë, poshtë dhe lartë Mëhallës. Më vonë dyert tërhiqen brenda territorit të Mëhallës dhe Çezma bëhet publike. Bejtulla Osmani për Çezmen thotë se ka vjetërsi 300 vjetëshe. Burimi i ujit të Çezmesë ndahet në tri pjesë : tre vëllezër dhe tre burime : për Alimetët, për Shehlerët dhe për Sheh-Halilët. Së pari Çezma qenka në oborrin

CURRILI – vend ku bie uji curril, te Kisha, ku laheshin fëmijët dhe të rinjtë e Preshevës

KROI I MAHMUTIT – gjendet përmbi Mëhallën e Kuklarëve.

KROI I YMER EFENDIS – gjendet në fushë, në Llapincë.

BUNARI – i Haxhi Muharremit të Rrahmonëve, në udhën e Vorreve, i ndërtuar më 1940.

BUNARI – i Haxhi Maliqit, në udhën e Vorreve, më poshtë se bunari i Haxhi Muharremit

VILA LETAFET – shtëpi, vilë është e ndërtuar më 1936. në rr. e Gjilanit, pronë e Abdulla Haxhi Veliut. Në këtë objekt për herë të parë u hap shkolla fillore në Preshevë, në gjuhën shqipe, më 7 shkurt 1945. Shkollën e hapi me një fjalim të rastit Abdulla Krashnica, sekretar i Komitetit te Rrethit të Preshevës, ndërsa mësues ishin Hilmi Qerimi, Demirali Ibrahimi, Abdullah Ukshini, Dilaver Osmani, Lutfi Ahmeti, Isa Selimi, Kadrije Kelmendi.
Në Vila Letafet kati i parë u përdorë për mësim, ndërsa i dyti për banim të mësuesve.

BIRA E KAÇAKËVE – gjendet në malin Vaçë, birë, shpellë në të cilën janë fshehur 11 deri 13 kaçakë, siç i quanin at kohë. Për ate edhe ajo birë-shpellë e vogël ku ishin vendosur kaçakët e Preshevës e mori emrin “Bira e Kaçakëve”. Gjatë qëndrimit të tyre te “Bira e Kaçakëve”.

GJERIZAT E KAÇAKËVE – vend në malin Vaçë, ku laheshin Kaçakët e Preshevës, të cilët banonin te Birat e Kaçakëve.

MERAJA – vend kullosë, djerrinë, tokë djerrë, ledinë,

ARAT E ÇIFLLAKUT – tokë nën Hekurudhën kah Atari I Zhunicës

LUGINA – fushë, arat ndërmjet rrugës që shkon për fushën Izvor dhe për Zhunicë,

QERAMIDHA – fusha, arat ndërmjet preshevës dhe Stacionit Hekurudhor, dheu përdorej për tjegulla, qeramidhe,

BUZALLUKU – përpara vend me kullosa, tash ara që punohen në të djathtë të qytetit,

UDHA E LIVADHEVE – livadhet e Preshevës në të majtë të Udhës Preshevë-Stacioni Hekurudhor,

LLAPINCA – fusha, arat në të djathtë të udhës Preshevë- Stacioni Hekurudhor, tashti po urbanizohet dhe po ndërtohen shtepi e komplekse ndërtesash,

DARDHA E HOXHËS – arë e Ali Litunit ndërmjet udhës së Allajve dhe asaj Vorrezave, arë me një trup dardhe ku kanë pushuar punuesit e fushave, ku kanë gjetur flladë,

LISI I MATËS – arat që punohen për rreth Lisit të Matës, udhës së drumit/udhë e madhe/,

TE ALLAJT – vend në të djathtë të udhës Preshevë-Rahovicë, për fushë, për te Arat Te Bunari, ku në dasmat e Preshevës ndodhnin vrapimet e kuajve dhe te vrapuesve, po edhe luhej vallja deri sa arrinin në cak kuajt dhe vrapuesit

KËRKOC – vend I vneshtave në very-perëndim të qytetit,

KODRA E ALIMETËVE – kodër që gjendet përmbi Mëhallën e Alimetëve,

BIRAT TE KODRA E ALIMETËVE – dy birra që gjenden në Kodrën e Alimetëve,

TE LLUGA E POSHTME – fushë, arat ndërmjet udhës Rahovicë-Zhunicë dhe Preshevë- Izvor,

KRONI I MAHMUTIT – arat te Kroni I Mahmutit, mëhallë e baballukëve,

TE BUNARI I FUSHËS – arat të plehrat ku bashkohen udha e Allajve dhe udha per Maxhereshtinë, Kroni I takonte Mëhallës së Binajve, të cilët dhanë një arë për ta mbajtur,

BAHÇET – kopshtetë e Mëhallës së Rrahmonëve dhe të tjerat për rreth tyre udhës së Vorreve,

MAXHERESHTINA – fushë e Preshevës që gjendet në jug-lindje të Rahovicës,

Në mbledhjen e toponimive më ndihmuan :

1.Shaban Rashiti i Abazëve, Mëhallë e Kamberëve, bisedë më 12 janar 2016
2.Agim Kadriu,bisedë më 5 qershor 2011
3.Mustafë Hasani, bisedë më 20 janar 2016

Shkruan : Xhemaledin SALIHU
Preshevë, më 26 janar 2016

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button