Opinione

Torta që na mbeti në fyt!

Ishte torta më e madhe që kisha parë ndonjëherë, s’i shihej fillimi dhe as fundi. E vendosur në sheshin “Nënë Tereza”në Prishtinë, shkëlqente nga rrezet e diellit në atë ditë acari që reflektonte mbi xhelatinën e çokollatën e ngrirë nga i ftohti.

Qindra qytetarë të grumbulluar rreth saj, në qetësi prisnin lajmin për Shpalljen e Pavarësisë, për të provuar një copë nga ëmbëlsira gjigande. Kisha dalë jo vetëm për të festuar, por edhe për të raportuar për gazetë në atë ditë historike.

Bashkë me 4 kolege të tjera gazetare, arritëm t’i afrohemi tortës, vetëm sa për t’u fotografuar. E hutuar pas zhvillimeve të asaj dite, teksa vraponim nga një ngjarje në tjetrën, mendja më shkonte kohë pas kohe te torta, por nuk arrita të kthehem me kohë për ta provuar. Sa herë afrohet përvjetori i Shpalljes së Pavarësisë, më kujtohet si me zhig, torta e Pavarësisë, shijen e së cilës s’arrita ta shijoj.

***

Secili nga ne ka nga një rrëfim, apo së paku krijon një album fotografish në mendje, si kujtim nga ngjarjet e mëdha që kemi pasur fatin të jemi pjesë e tyre. Me kohë, sa më shumë vite që kalojnë, ato detaje zbehen, por diçka e fortë të mbetet për t’u kujtuar. Pamjet e njëjta mbesin, por albumit imagjinar i shtohen edhe shumë fotografi të viteve që kalojnë. Provon ta rikthesh ndjesinë e shpresës e të gëzimit të asaj dite, por një ndjesi tjetër më e fortë të pengon… zhgënjimi, dëshpërimi, degradimi i gjithë asaj që me vullnet, tetë vjet më parë, e kishim besuar.

***

Përballja me denigruesit nuk vonoi. Pak muaj pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, që me aq shumë sakrificë u arrit, u zbulua skandali i madh. Mbi 600 mijë euro të buxhetit të Kosovës, të planifikuara për t’u festuar Shpallja e Pavarësisë, zyrtarët e PDK-së i kishin vjedhur. Po, po, paratë e ndara për festimin e Shpalljes së Pavarësisë!

Unë bashkë me ish-kolegun tim, Lulëzim Demolli, kishim në dorë dokumentin zyrtar të Qeverisë, në të cilin shkruante se sa mijëra euro gjoja kishte paguar Qeveria e Kosovës Filarmoninë, grupin e baletit, këngëtarët, valltarët etj,etj. Ne kontaktuam secilin nga këta pjesëmarrës të ngjarjes së madhe të festës së Pavarësisë, dhe të gjithë me habi përgjigjeshin: “Çfarë para? Ne për këtë ditë të madhe as që kemi kërkuar të paguhemi”; “Për besë as për balerina të trupës së baletit nuk kemi pasur buxhet, por për këtë ngjarje as që do të ankohemi”. As këngëtarët dhe pjesëmarrësit e tjerë s’ishin paguar. Paratë e Pavarësisë, shumë thjesht, ishin “avulluar” në xhepat e zyrtarëve të PDK-së.

Kjo ishte vetëm një copë e vogël e “tortës”, që kishin nisur ta shijojnë me të madhe kapësit e shtetit më të ri të Evropës. Nuk e kishim ditur sa e madhe ishte hisja jonë që kishin ndarë mes vete “shpëtimtarët” e Kosovës.

Për tetë vjet me radhë në Kosovën shtet sovran e të pavarur, qeverisja ishte shtrirë në dy segmente: i pari, ai zyrtar ku bën sikur qeveris, e i dyti që në realitet ndërton mekanizmin, i cili nën hije kontrollon gjithçka, nga pazaret ditore të bizneseve të mëdha deri te vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, atëherë kur prekin interesat e tyre. Përgjatë gjithë këtyre viteve u punua intensivisht në ndërtimin dhe forcimin e makinerisë së nëntokës për të kontrolluar një sistem të tërë; Ekzekutivin, Universitetin e Prishtinës, ndërmarrjet publike në krye me PTK-në, Agjencinë Kosovare të Privatizimit e mbi të gjitha kapjen e sistemit të drejtësisë. Eh të mos i shkojë dikujt mendja të kërkojë librat kadastralë në Serbi, as që hapet kjo temë se “gjaku deri në gjunjë” kërcet. Para pak ditësh, një koleg i imi, Lavdim Hamidi, publikoi me emra dhe mbiemra uzurpatorët shumëvjeçarë të pronave në qendër të Prishtinës, që s’i prek as shtet e as pushtet.

***

Kishin bërë gati ligjin për përgjim të çdokujt që eventualisht mund të jetë pengesë për veprimet e tyre të paligjshme, por jo edhe ligjin për konfiskimin e pasurisë së tyre të paligjshme. E një popull i varfëruar, në mos më i varfri në Evropë, që tetë vjet më parë e kishte shijuar tortën e ëmbël të Pavarësisë, sot i lodhur nga manipulimet politike është bërë dëshmitar i një parade manipulimi të organizuar nga një grup të korruptuarish.

Kjo perandori do të festojnë edhe një vit të përvjetorit të Pavarësisë së shtetit që e degraduan pa fije mëshire. E kjo skenë politike po mbijeton për shkak të mungesës së një opozite të mirëfilltë, e cila në mesin e saj ka zyrtarë që e shkelin ligjin, të korruptuar e të përfshirë në skandal sikurse ata që kemi ne krye. Kjo skenë politike po mbijeton për shkak të një shoqërie civile të dobësuar, të frikësuar e të shantazhuar, e mbi të gjitha për shkak të mungesës së traditës demokratike në këtë vend. Kjo skenë politike pasi arriti t’i integrojë në të gjitha strukturat e shtetit zhvatësit nga partitë e tyre, pasi futën nën kontroll çdo sektor kyç të shtetit dhe ekonomisë jo vetëm shtetërore…me çdo kusht e duan pushtetin, fuqinë qe ju sjellë pozita. E qytetarin në anën tjetër për këto tetë vjet, skena politike nuk e ka konsideruar si partner në ndërtimin e shtetit, por si instrument për arritjen e qëllimeve të tyre plaçkitëse.

***

Në muajt në vijim Kosova do të ketë shumë arsye që ta dërgojë në anën e errët të historisë pushtetin e tyre. Drejtësia ndërkombëtare duket se do të prekë në rrethin më të ngushtë të liderëve politikë të shumicës së partive politike të Kosovës. Kjo jo vetëm se do ta nxjerrë edhe një herë Kosovën në kryetitujt e gazetave dhe në lajmet qendrore anekënd botës, por do të jetë hipotekë e madhe për vendin, nëse në ndonjë variant kriminelët arrijnë të kacavirren në politikë sërish. Sepse s’ka mbetur tortë më për të ndarë. Shija e saj na është athëtuar nga vaji i fëmijëve me prindërit e tyre, që shtyheshin për të hipur në autobusë e për të ikur sa më larg nga Kosova. Sivjet si asnjëherë më parë, torta e sheshit në ditën e Pavarësisë që s’e kam provuar, më duket se më ka mbetur në fyt.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button