Xhandarmëria serbe sërish defilon në brendi të Kosovës
Të enjten më datën 28.01.2016 në ora 12 e 16 minuta sipas banorëve të Karaqevës, xhandarmëria serbe është parë duke patrulluar e armatosur dhe me xhipa të zi në rrugën e asfaltuar që njihet si territor i Kosovës.
Selver Lenjani shprehet i brengosur me këtë ndërhyrje dhe thotë se është e pafalshme që në të njëjtën kohë, dy delegacionet, ai I Kosovës dhe Serbisë flasin në Bruksel kurse në të njëjtën kohë xhandarmëria serbe provokon hapur banorët e Karaqevës në territor të Kosovës.
Ka qenë banori Lah Keka ai i cili ka takuar xhandarmërinë serbe në rrugën e asfaltuar tek kthesa e fshatit Novosellë, ndryshe vend ky që njihet si territor i Kosovës, raporton rajonipress.
Selver Lenjani përfaqësues i Karaqevës tha për rajonipress se xhandarmëria serbe është parë e armatosur deri në dhëmbë dhe me xhipa të zi.
“Ata kanë defiluar te rruga e asfaltuar nga kthesa e Novosellës me xhipa të zi e të armatosur deri në dhëmbë. Ky është provokim shumë serioz që vije në fillim të vitit 2016. Është e pakuptimtë që delegacioni kosovar në të njëjtën kohë dialogon në Bruksel, kurse është e njëjta qeveri serbe që shkel kartat ndërkombëtare. Banorët janë të brengosur sepse kjo ndërhyrje e xhandarmërisë qëllim kryesor ka zbrazjen e fshatit”.
Lenjani tha se xhandarmëria serbe ka qëndruar në territor të Kosovës afër 30 minuta.
“Ky provokim i hapur ndaj banorëve shqiptarë mund të ketë një fund të keq. Andaj Qeveria e Kosovës duhet të ndërpres bisedimet ose të kushtëzojë Serbinë me largimin e menjëhershëm të patrullave ushtarake që po defilojnë në brendi të territorit të Kosovës”, tha Lenjani.