KulturëLajme

Fotografitë e Preshevarit Adrian Limani thyejnë përkufizimet e përditshmërisë

„Pa marrë parasysh se ku jetojmë, mund ta shohim dritën dhe ta ndjejmë lirinë brenda nesh. Edhe kur të gjitha rrugët janë të bllokuara, ne nuk do të dorëzohemi, ne mund të luftojmë, mund ta ndërtojmë një rrugë dhe mund të jemi inspirim për gjeneratat që do të vijnë.“

Këto ishin fjalët që tha para të pranishmëve fotografi Adrian Limani nga Lugina e Preshevës gjatë ekspozitës së tij personale në Cyrih.

Në muret e sallës në Qendrën Kulturore të Kosovës ishin të renditura fotografitë e fotografit, që sillnin me vete një imagjinatë që thyente përkufizimet e jetës së përditshme. Në të vërtetë Limanit i pëlqen të bëjë fotografi të cilat shprehin dashurinë për jetën dhe lirinë.

Artdashësit që kishin ardhur për t`i parë punimet për së afërmi ishin të shumtë në numër dhe treguan interesim të madh edhe për t`i blerë fotografitë e Limanit. Përveç te shqiptarët, ekspozita kishte ngjallur interesim të madh edhe te zviceranët dhe të huajt. E sidomos fotografitë ku brenda poçit elektrik fotografi kishte arritur të fuste një jetë tjetër.

„Në ekspozita kolektive kam marrë pjesë në shumë vende, bashkë me shumë artistë të njohur, ndërsa nga ekspozitat personale e kam pasur një në Tiranë para disa viteve si dhe kjo në Zvicër është e dyta. Natyrisht inspirimi im kryesor ka qenë familja ime, por inspirim për mua është edhe muzika, filmat, njerëzit që më rrethojnë, situata në të cilën jemi dhe natyrisht mundohem të jap gjithmonë mesazhin pozitiv“ tha Limani.

Përveç fotografëve të huaj që bëjnë fotografi konceptuale si Adrian Sommeling etj, Limani një respekt për punën dhe vlerësim të veçantë ka edhe për fotografët shqiptarë e ku në veçanti i përmend fotografin nga Maqedonia Rilind Hoxha, Fadil Berishën etj.

Derisa fotografitë arrinin të dominojnë në bisedën e artdashësve, në anën tjetër melodia e kitarës nga kitaristi Ron Atiqi e plotësoi këtë eskpozitë edhe më shumë.

AdrianLimani-01

Koleksioni i poçave

Adrian Limani qysh në moshën 17 vjeçare, sa ishte nxënës në gjimnaz ishte marrë me fotografi kurse një hap të madh e kishte bërë kur fotografitë e tij ishin publikuar nga gazeta prestigjioze „daily mail“.

„Fillimisht me fotografi jam marrë qysh kur isha ne gjimnaz, në moshën 17 vjeçare. Në fillim kam pasur një kamerë digjitale me të cilën kam fotografuar më shumë natyrë, peisazhe të ndryshme dhe pastaj më vonë bleva një kamerë më profesionale dhe fillova më seriozisht. Në moshën 19 vjeçare fillova të merrem me kategorinë „Fine art“ konceptuale, në të cilën gjeta diçka të re dhe të bukur dhe mendova që të vazhdoj në këtë kategori më shumë.

Fillova me „koleksionin e poçave“ që e kam quajtur „Life inside a baked“ apo jeta brenda një poqi dhe i kam bërë koleksion disa fotografi. Një gazetar anglez i ka parë fotografitë e mia në një faqe në internet dhe i kanë pëlqyer fotografitë e mia me poça. Ai po ashtu deshi të bënte një artikull për punimet e mia. Këto fotografi të mia u publikuan pastaj në gazetën e njohuar „daily mail“ prej aty unë kam patur më shumë vullnet të merrem me fotografi“ tha fotografi që tashmë ka filluar një karrierë të pasur me fotografi të njohura.

“Brezi ynë”si promotor

Për realizimin e kësaj ekspozite ishin munduar qe tri vite shoqata „Brezi ynë“ me Linda Arifin në kye, e cila njëkohësisht është edhe themeluese e kësaj shoqate. Ajo thotë se vepra e Adrian Limanit është qysh nga fillimet e tona si shoqatë si projekt për ta realizuar një ekspozitë me punimet e tij.

„Kur lindi ideja e „Brezi ynë“ kërkoja ta konceptoj dhe njëkohësisht kërkoja edhe artistë të rinj siç është Adrian Limani dhe hyra në kontakt me atë. Mua më kanë pëlqyer shumë fotografitë e tij, si dhe që kishin shkuar rreth e rrotull botës edhe më erdhi ideja që të sjellim artin e tij tek artdashësit në Zvicër, ku edhe arti shumë vlerësohet.

Kjo është ekspozita e parë që e organizon „Brezi ynë“ por do të ketë edhe evenimente të tjera në të ardhmen, të ndryshme.

Në fillim kemi pasur pak vështirësi, kemi shpenzuar edhe nga xhepi mirëpo kemi dashur që puna jonë të tregojë vetë për neve dhe me të vërtet ia ka vlejtur“, tha kryetarja e shoqatës „Brezi ynë“ Linda Arifi

Natyrisht se kënaqësi shprehu edhe znj. Shukrie Ramadani si drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Kosovës ku ishte mbajtur ekspozita. Ramadani falënderoi përzemërsisht artistin Limani që me fotografitë e tij në prag të festave, këtë mbrëmje e ka bërë edhe më të bukur. Po ashtu falënderoi edhe shoqatën „Brezi ynë“ që di aq bukur ta lidhë artin dhe kulturën.

Kurse për të ardhem Adrian Limani, tha se ka në plan të hapë ekspozitë edhe në vendet tjera si në Gjermani, Austri në bashkpunim me shoqatën „Brezi ynë“./

Related Articles

Back to top button