Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Ja ç’fshehin ditaret e luftës që përfunduan në Gjykatën Speciale
Nga Ylli Pata
Kolonel Dilaver Goxhaj, është një ushtarak jo konvencional. Një pedagog prej shumë vitesh në arsimin ushtarak dhe civil ku ka dhënë gjuhën angleze në disa gjimnaze të Tiranës, gjatë Luftës së Kosovës ka qenë një nga anëtarët e lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas lufte ai shërbeu si këshilltar i ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, për t’u kthyer në atdhe më pas i harruar nga shokët e armëve që nuk i dhanë as statusin e veteranit, të cilin kush nuk e ka marrë së fundmi.
Në një intervistë për portalin tesheshi.com, kolonel Goxhaj flet për shumë gjëra, por në radhë të parë për çështjen e ditareve të luftës së UÇK-së të cilat iu dhanë KFOR-it, ky i fundit Serbisë, e cila do t’i përdorë si prova kundër komandantëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale. Gjirokastriti që bashkë me të birin luftoi në Kosovë, Preshevë e Maqedoni thekson se ata ditare u dorëzuan në mënyrë misterioze ndërkohë që flet për negociatat e vështira me trupat e KFOR-it…
Zoti Goxhaj, këto ditë parlamenti serb bëri të ditur se do të dërgojnë në Gjykatën Speciale ditarët e luftës së UÇK-së që serbët i kanë marrë nga KFOR si “provë për krime lufte”. Ju keni qenë një nga anëtarët e SHP të UÇK-së, a mund të na thoni se çpërmban një ditar lufte?
Që KFOR-i ka marrë gjithë Arkivin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, për këtë jam në dijeni, pasi është një veprim i kryer prej tyre qysh në nëntorin e vitit 1999. Dhe kjo nga neglizhenca e Shefit të Shtabit tonë, i cili, pa dhënë asnjë shpjegim, nuk pranonte edhe nxitjen time që Arkivi i Luftës sonë të dorëzohej në Arkivin e Kosovës. Nëse do qe dorëzuar në Arkivin e Kosovës, KFOR-i nuk mundej ta merrte. Duke qenë se ky dokumentacion mbahej jashtë regullave që duhet të mbahet një arkiv, ka fakte që është vënë dorë edhe nga njerëzit tanë, për interesa thjesht për lavdi personale, por që mund të kenë cunguar dokumenta të ndryshme, ose që edhe mund t’i kenë zhdukur pra se t’i merrte KFOR-i. Këto manipulime, mendoj unë, mund të ketë ndodhur edhe nga ana e KFOR-it. Pse e them këtë? E them ngaqë më befasoni kur thoni se KFOR-i ia ka dorëzuar Serbisë. Pse e ka bërë këtë gjë KFOR-i?! Nëse e ka bërë me dijenin e Agim Çekut, kjo të bën të dyshosh edhe më shumë. Ku e gjeti Çeku këtë të drejtë, nëse e ka bërë me kry të vetë?! Nëse Çeku e ka bërë me miratim të Thaçit a të dikujt tjetër, ko është edhe më shqetësuese. Pse KFOR-i nuk e ka bërë edhe të kundërtën: Të dorëzonte, të paktën në Arkivin e Kosovës. kopjet e dokumentave të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, të njësive ushtarake të saj që vepruan në Kosovë si dhe të formacioneve të Policisë Serbe në Kosovë?! Ç’është ky veprim i njëanshëm i KFOR-it?! Kjo tregon se interesimi i KFOR-it ka qenë dhe është kundër UÇK-së. Prandaj, gjykatat e UNMIK-ut e të EULEX-it janë kaq agresive nda UÇK-së. Kemi dyshuar, por jo se na kanë urryer kaq shumë. Nuk kanë faj, sepse delegacioni ynë në Rambuje paska pranuar një gjë të tillë kundër UÇK-së e sot na hiqen patriot të mëdhenj. Ne, që nuk dinim se çfarë qe nënshkruar në Rambuje, (pasi ajo marrëveshje nuk u bë publike deri dy vite pas lufte), e vumë re këtë njëanshmëri të KFOR-it qysh ditën e parë që u akomoduam si SHP në Prishtinë. Ushtarët dhe oficerët e KFOR-it, me të parë në rrugë një ushtar apo oficer të UÇK-së e rrëmbenin sikur të kishin të bënin me një terrorist. Për këto veprime të patrullave të KFOR-it ne i dërguam disa herë reagime direkt Gjeneralit Xhekson (Komandant i KFOR-it). Këto ankesa i kam hartuar vetë deri në fund të muajit Korrik 1999, dhe i ka nënshkruar Agim Çeku; pasandaj unë kalova Shef i Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes së qeverisë së përkohshme të Kosovës. Gjenerali Xhekson na ktheu përgjigje, duke u justifikuar, “se keni të drejtë, por janë formacione ushtarake të 18 shteteve të NATO-s dhe kuptohet se jo të gjithë e kanë të qartë fizionominë e UÇK-së”. Por, të them të drejtën, për mua ishte justifikim dhe jo reale ajo përgjigje, pasi ato patrulla, që silleshin në formën që thashë më lart, dallonin më së tepërmi patrullat angleze, të ushtrisë që i përkiste edhe vetë Gjenerali Xhekson, pa lënë mënjanë edhe gjermanët dhe rusët.
Në arkivin tonë, përveç komunikatave politike dhe ushtarake të SHP për mediat, ekzistonin urdhërat luftarakë si dhe, më i rëndësishmi, ishin Ditarët e Veprimeve Luftarake të SHP, ku përshkruheshin raportimet e zonave operative dhe reparteve autonome të SHP si dhe urdhërat tona luftarake të dhëna me telefon ose radio. Këto përbënin Ditarët e Veprimeve Luftarake.
E them në shumës, pasi kanë qenë shumë blloqe; mbaronte njëri dhe fillonte tjetri, ngaqë dinamika e veprimeve luftarake ka qenë e jashtëzakonshme dhe e shumtë për çdo zonë operative. Të tillë ditare kanë pasur edhe Zonat Operative si dhe brigadat e batalionet, të cilat ruheshin nga vetë zonat operative. Të gjitha këto i grumbulloi KFOR-i për faj të neglizhencës sonë. Më saktë, për faj të injorancës dhe kapadaillëkut të drejtuesve tanë. Unë flas për kaq sa unë kam pas në përdorim, Ditarin e Veprimeve Luftarake që mbanim në Shtabin e Përgjithshëm, ndërsa dokumentacionin që ka pas Drejtoria Politike dhe Shërbimi Informativ i UÇK-së, e nuk kam pas dhe nuk kam dijeni. Kuptohet që në këtë dokumentacion të SHP janë edhe urdhërat luftarakë me shkrim që u dërgonim zonave operative, të cilët hartoheshin në dy kopje, njëra mbahej në arkvin tonë, tjetra i dërgohej zonës përkatëse operative, por që kish raste edhe direkt brigadës luftarake. Urdhërat luftarakë dërgoheshin të tipit plan-tekst, pasi nuk kishim harta. Vetëm një hartë të shkallës 1:50 000 kishim në Shtab.
Cili është mendimi juaj për proceset që po bëhen ndaj disa komandantëve dhe a mund të thoni a ka shkelur UÇK-ja kodet e luftës dhe ato humane ndaj popullsisë dhe robërve?
Lidhur me proceset gjyqësore që janë zhvilluar nga UNMIK-u, EULEX-i dhe gjykatat mikse të Kosovës, por edhe për gjyqet që janë zhvilluar në Hagë, unë jam prononcuar disa herë, me shkrime publike, duke u bauar në fakte dhe jo në dëshira. Sikundër edhe është bërë e njohur, shumica e të dënuarve, efektiva të UÇK-së, janë dënuar kryesisht me dëshmitarë të fshehur. Që do të thotë se dëshmitarin nuk e ballafaqojnë as me të pandehurin për krime lufte, as edhe me avokatin e tij. Nuk dihet pra se cili është. Gjë që në këtë formë mund të dënosh cilin të duash. Po ua ilustroj me gjyqin e fundit që ka zhvilluar EULEX-i me grupin e luftëtarëve të Zonës së Parë Operative, që është emërtuar “Grupi Drenica”. Dhe konkretisht: Në 27 maj 2015 gjykata e EULEX-it në Mitrovicë dënoi më 12 vjet burgim ish-komandantin e Zonës së parë Operative të UÇK-së, Sami Lushtaku, me motivacionin “është fajtor sepse i mori jetën një personi, në shtator 1998”. Mirëpo, njeriu që paska “vrarë” Sami Lushtaku, për këtë gjykatë nuk ka rëndësi se nuk i dihet as emri e as mbiemri, as nga është, as i kujt është dhe nga cili vendbanim është, as ku është vrarë, as se ku është varrosur, pasi nuk ka asnjë dëshmitar okular, edhe pse nuk ka dalë deri sot asnjë pjesëtar familjeje që të interesohet për fatin e tij, etj.. Kështu që ky vendim jo vetëm që të befason, por vë në dyshim edhe drejtësinë perëndimore, të cilën deri para se të jepej ky vendim e kemi besuar si Perëndinë. Duke e dëgjuar arsyetimin e këtij vendimi absurd, menjëherë të kujtohet mesjeta dhe koha e ndjekjeve dhe e krimeve të Inkuizicionit spanjoll.
Ndërsa Sylejman Selimi, ish-Komandant i SHP të UÇK-së, u dënua me motivacionin: “Dënohet me 6 vjet burgim se ka shkelur konventat e luftës, duke e trajtuar çnjerëzisht një dëshmitar si spiun serb.” Lind pyetja: çfarë ligj lufte ka shkelur S. Selimi? Mirëpo, nëse i referohemi PGJ I, Neni 44 dhe Neni 1020, Kreu 10 i DC/COM/FAS të Gjenevës, 6.8.1999, mbi “Të Drejtën e Konfliktit të Armatosur”, mësojmë se: “Spiunët nuk e gëzojnë të drejtën e statusit të të burgosurit të luftës”. Dhe të drejtën e ndëshkimit ekstrem të spiunit (nëse është vërtetuar një gjë e tillë), S. Selimit ia jepte Neni 502.2, Kreut 5 “Të Drejtës së Konfliktit të Armatosur”, ku thuhet: “Luftrat për çlirim kombëtar “në të cilat popujt luftojnë kundër sundimit kolonial dhe pushtimit të huaj dhe kundër regjimeve raciste në ushtrimin e së drejtës së tyre për vetë-vendosje” (PGJ I), të trajtohen si konflikte të armatosura ndërkombëtare”. E megjithatë S.Selimi u dënua nga gjykata e EULEX-it.
Nuk kaluan më shumë se 8 (tetë) muaj dhe po në këtë gjykatë të EULEX-it, në të njëjtën sallë, me të njëjtin trup gjykues ndërkombëtar, u zhvillua gjyqi i kriminelit serb Oliver Ivanoviç, i cili deri para 8 muajve ishte edhe deputet në Parlamentin e Kosovës. Ai u dënua, më 21 janar 2016, me 9 vjet burg. Motivacioni i dënimit të tij është: “ka vrarë 20 civilë të thjeshtë shqiptarë dhe boshnjakë të pafajshëm”.
Kushdo që i ka ndjekur lajmet e këtyre dy gjyqeve në fjalë është befasuar dhe habitet se si është e mundur që krimineli serb dënohet dy herë më pak se “kriminelët” e pafaktuar shqiptarë, edhe pse serbit i faktohen 20 të vrarë në Mitrovicë, (11 i vrau në Prillin e vitit 1999, kur ishte komandant i patrullës së paramilitarëve serbë, tek rruga kryesore “Miladin Popoviç”, ndërsa 9 të tjerë i vrau po në Mitrovicë, pas një viti, në 4 Shkurt 2000, kur kryente detyrën e komandantit të formacionit serb “Rojet e Urës”).
Nëse bëjmë një llogari aritmetike të thjeshtë, del që Oliver Ivanoviç dënohet me 6 muaj burg për çdo shqiptar e boshnjak të vrarë! Ndërsa dy prej ish-drejtuesve kryesorë të UÇK-së dënohen me 12 vjet burg, për vrasjen e një qytetari që nuk ka ekzistuar kurrë; dhe tjetri me 6 vjet burg pse ka vrarë me gjyq të rregullt partizan një spiun kolaboracionist. Ndërkohë, Oliver Ivanoviçi dënohet me 6 muaj burg për çdo të vrarë edhe pse nuk e mbron asnjë lloj konvente ndërkombëtare mbi luftrat dhe konfliktet e armasura!
Sikur çudirat e gjykatës së EULEX-it të mjaftonin me kaq, do të përbënte gjysmën e çmendurisë së drejtësisë së EULEX-it. Por, duke qenë se kemi të bëjmë me dy ish-komandues të lartë të UÇK-së, me kombësi shqiptare, ata dënimin do ta vuajnë gjithherë në burg të sigurisë së lartë. Dakort, kështu e ka ligji. Mirëpo për kriminelët serbë ka edhe ligj edhe Maliq. Krimineli Ivanoviç, meqenëse është serb, edhe pse ka vrarë 20 shqiptarë e boshnjakë, kjo gjykatë vendosi që ai ta kryente dënimin me burg në shtëpi. Dhe këtë vendim, kjo gjykatë e justifikon duke iu referuar disa neneve të Kodit Penal të Kosovës. Po mirë, pse nuk i shfrytëzoi kjo gjykatë këto nene të këtij Kodi Penal edhe për dy “kriminelët” shqiptarë që kanë “vrarë” vetëm nga një person, por e shfrytëzuan për një serb që ka vrarë 20 persona?! A ka logjikë juridike, sado miope të jetë, që ta hajë këtë lloj justifikimi?! Ç’i kujtojnë shqiptarët këta euro-gjyqtarët e ardhur në Kosovë, mos vallë si dikur Bismarku, “njerëz me bisht”?!
Por e mahnitshmia e gjykatës së EULEX-it nuk u mjaftua me kaq. Edhe pse e detyruar nga opinioni publik, më në fund e çoi Ivanoviçin në burg; por si për t’i kërkuar ndjesë dhe si për t’u bërë përsëri karshillëk shqiptarëve, pas një jave si e çuan në burg, i dhanë leje Ivanoviçit që të kthehej në shtëpi e të festonte ditëlindjen e djalit. Gjë që në asnjë kod penal të çdo vendi demokratik nuk përcaktohet leje për një rast të tillë.
Por, çudia e çudirave e asaj date të 10 shkurtit 2016 ndodhi se po atë ditë, mjekët e spitalit të burgut në Mitrovicën Veriore kërkuan që Sami Lushtaku të transferohej në pavionin e Kardiologjisë së Spitalit të Prishtinës, pasi kish nevojë për trajtim më të specializuar, dhe kjo gjykatë nuk i lejoi. Ç’emër t’i vëmë kësaj përveç se racizëm?!
Po në atë datë, 10 shkurt 2016, Parlamenti i Kosovës i hoqi mandatin e deputetit ish-komanantit të Zonës së Pestë Operative të UÇK-së, Muarrem Mustafës, për të kryer edhe një pjesë të dënimit me burg që i kish ngelur pa bërë. Dhe çfarë ndodhi, do të pyesni ju?
Ambasadori Britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell menjëherë doli në media dhe tërë kënaqësi deklaroi: “Me vjen mirë që më në fund, Kuvendi e largoi një nga deputetët e dënuar për krime lufte. As Kuvendi, as zyra publike, e as liria nuk janë vendi i duhur për njerëzit e dënuar për krime të rënda. Vendi i duhur është burgu”. Dhe me të drejtë ish-zëdhënësi i SHP të UÇK-së dhe ish-kryeparlamentari Kosovës, z. Jakup Krasniqi i kthen këtë përgjigje atij ambasadori: “Nuk kam si mos të pajtohem me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar – Ruairi O’Connell-in, “kriminelët nuk e kanë vendin në liri”. Por, a e kanë vendin në krye të shtetit ata që ishin kupola e krimit serb, të cilët ishin pjesë e pandashme e krimit dhe e gjenocidit në tri luftëra shkatërruese në ish-Jugosllavi (në Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë) dhe po ata sot të jenë shpresë e integrimeve evropiane e euro-atllantike? Pse dy kute të ndryshme edhe për çështje (krime) që nuk mund të krahasohen bash me asgjë? Mos të harrojmë, për një shekull, shqiptarët e Kosovës qenë të rrezikuar nga dëbimi e shfarosja. Por, sipas logjikës suaj, z.ambasador, ku duhet të jetë Presidenti actual i Serbisë, z. Nikoliq, po Kryeministri aktual i Serbisë, z.Vuçiç, të dy politikanë aktivë në mbështetie të atij genocide antishqiptar, si dhe ministri i Jashtëm i saj, z.Daçiç, i cili ishte zëdhënësi i Millosheviçit gjatë asaj lufte shfarrosëse? Apo atyre u lejohet çdo gjë, pse janë bij të “popullit hyjnor” se kështu dëshirojnë ta quajnë vetenpolitikanët dhe akademikët serb në Beograd”.
Si e shikoni ju qasjen e publikut në përgjithësi, por në veçanti të opinionit publik siç është media apo dhe politika në Kosovë, por dhe në të gjithë botën shqiptare ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?
Që të jemi të drejtëpërdrejtë: populli shqiptar në Kosovë, në masë të madhe, ka qenë dhe është në mbështetje të UÇK-së. Kuptohet, që një pjesë e cila përbën një pakisë të popullit, kanë qenë dhe janë kundër UÇK-së. Dhe kjo pjesë ka qenë dhe është e manipuluar nga të gjitha udhëheqjet e partive politike, satelite të LDK-së, që kanë qenë kundër fitores së lirisë përmes luftës së armatosur. Ato forca politike nuk kanë hequr dorë nga ajo politikë, edhe sot dhe janë po ato që i përzgjedhin gazetarët e pothuajse gjithë mediave në Kosovë. Dhe, çuditërisht, këto forca politike mbështeten me fonde edhe nga shumë shtete të huaja. Si rrjedhojë, janë këto forca politike që i financojnë këto media, përfshi edhe RTK-në, pasi edhe udhëheqja e gjerë e PDK-së, e drejtuar nga Hashim Thaçi, për të qëndruar në pushtet, (sepse pushteti të pasuron sipas konceptit të të gjithë politikanëve shqiptarë në Ballkan), kanë pranuar që t’u nënshktrohen këtyre forcave të tjera politike, të cilat përkrahen nga ndërkombëtarët. Besoj se ju e dini më mirë se unë këtë qëndrim të mediave tona dhe forcave politike ndaj të huajve. Janë shumë të pakta mediat që mbrojnë të vërtetat e asaj lufte çlirimtare, por këto janë vetëm një radio kombëtare (me këtë fjalë nënkuptoj vetëm Kosovën), që është Radio Kosova e Lirë si dhe disa portale online, si pashtriku.com (por që nuk është në Kosovë), Kosovapressdhe disa portale të tjera private. Kështu që, në këtë kakofoni të madhe, zëri vetëm i një radioje mbytet. Kjo është e vërteta. Servilizmin ndaj të huajve, me sa duket, e paskemi në gjak ne shqiptarët, sidomos inteligjenca dhe politikanët, me përiashtime të pakta.
Zoti Goxhaj, në fakt ndoshta është herët por realisht sipas jush si do të ishte mirë që historia e UÇK-së të shkruhej drejt dhe jo siç është bërë ku secili ka bërë libra dhe është vepruar pa e sistemuar?
Që kanë shkruar e shkruajnë libra individë të ndryshëm, për luftën në përgjithësi dhe për UÇK-në në veçanti, është gjëja më e mirë që kanë bërë dhe bëjnë, sepse këto do të përbëjnë edhe një lloj baze për hartimin e nesërm të Historisë së Luftës për Çlirimin e Kosovës, krahas ditarëve të komandantëve të niveleve të ndryshme dhe të luftëtarëve të thjeshtë. Ju e dini që ditarët, nga rëndësia e tyre janë të dytët, vijnë menjëherë pas arkivave. Por edhe kujtimet zënë vendin e tretë, ngaqë kanë një lloj subjektivizmi. Dhe, kur të sigurohen të gjithë arkivat e të gjithë niveleve komanduese të UÇK-së, si dhe këto çfarë janë shkruar e do shkruhen, kuptohet që do të krijohet një bazë e mirë për historinë. Nëse KFOR-i do t’i bëjë edhe Kosovës favorin që i ka bërë Serbisë, t’i sigurojë ditarët e veprimtarive luftarake të formacioneve të saj luftarake që kanë vepruar në Kosovë, sikundër u shpreha më lartë, kuptohet që grupi i punës që do të merret me hartimin e atij historike do ta ketë të lehtë dhe do të jetë shumë më afër të vërtetave të asaj lufte. Aty nga fundi i luftës më kujtohet që kemi hartuar një urdhër për të gjitha formacionet e UÇK-së, që të dorëzoheshin në Arkivin e SHP të gjithë dokumentat e tyre luftarake si dhe ditaret personale (origjinalet dhe të mbanin kopjet), por nuk u zbatua dhe nuk patëm më kohë të merreshim me ketë punë, pasi edhe unë kalova në detyrë tjetër.
Meqë sot është dita e pavarësisë së Kosovës, sipas jush a është Kosova një shtet i vërtetë?
Kosova vijon të jetë protektorat edhe i OKB-së (UNMIK-u) edhe i Bashkimit Europian (EULEX-i). Pra shtet eksperimental. Dhe kur themi eksperimenal, vetë fjala shpjegon shumë… këtë e shpjegon bukur shprehja jonë popullore: Dy Kamberë në një derë. Mere me mend se ç’ndodh në të tillë raste.
Berat Buzhala, një gazetar i zëshëm në Kosovë, tha para disa ditësh se në Kosovë e duan më shumë Shqipërinë sesa në Shqipëri e duan Kosovën. Ju që keni jetuar në Kosovë gjatë dhe në kohëra të vështira si mendoni dhe a ka edhe këndej dhe andej forca centrifugale që nuk e duan bashkimin?
Berat Buzhala ka thënë një të vërtetë. Unë e kam ndjerë këtë që në hapat e para që hodha, kur hyra në territorin e Kosovës; që në kontaktet e para me popullin dhe me luftëtarët e UÇK-së. E kam thënë edhe gjetkë: porsa luftëtarët e mësonin që unë isha oficer që vija nga shteti amë, kish raste që lëshonin edhe pozicionin e luftimit dhe më hidheshin në qafë; u dukej sikur preknin me dorë Shqipërinë.
Jo më kot, 3-4 vjetësh pas lufte, lindi Lëvizja Vetëvendosje, që populli t’i nënshtrohet referendumit për të votuar për vetëvendosjen e tij, nëse do bashkim me shtetin amë, apo shtet i pavarur, apo ribashim me Serbinë?
Flas me bindje të plotë, se përveç politikanëve të Kosovës (shumica absolute e tyre), shumicës së gazetarëve aktualë dhe një pjesë të inteligjencës (që kanë dhe është në shërbim të Serbisë), mbi 90% e popullit shqiptar në Kosovë, përfshi edhe shumicën e pakicave kombëtare, (përjashtuar serbët), do të votojnë për bashkim me Shqipërinë. Besoj se Buzhala këtë ka pas parasysh kur ka thënë “se në Kosovë e duan më shumë Shqipërinë sesa në Shqipëri e duan Kosovën”.
Kjo pjesa e dytë e kësaj fjalie të tij, ka vërtetësinë dhe arsyen e saj. Kjo zbehje e dashurisë në Shqipëri ndaj Kosovës ka lindur dhe po shtohet nga dita në ditë, si rrjedhojë e mosmirënjohjes së politikanëve kosovarë ndaj popullit të shtetit amë dhe veçanërisht ndaj vullnetarëve që luftuan në radhët e UÇK-së. Jam dëshmitar okular kur, menjëherë pasi popullsia e Kosovës u kthyen në vatrat e tyre dhe filluan të botoheshin gazetat e atjeshme, mund të them pa hezitim se shumica e faqeve të tyre ishin të mbushura çdo ditë me shkrime të karakterit fyes e denigrues për Shqipërinë. Madje edhe sot e gjithë ditën shkruajnë negativisht, përfshi edhe gazeta “Expres” ku shërben vetë zoti Buzhala. Mirëpo këto gazeta lexohen çdo ditë nga shqiptarët e këtushëm. Këtë nuk e di z. Buzhala?! Mosmirënjohja është vesi më i keq që njeh njerëzimi, por për fat të keq më i preferueshmi për ne shqiptarët. Mosmirënjohja ngjall urrejtje tek ai që ti e ke detyrim t’i thuash: “faleminderit!” për atë çka të ndihmoi
Përveç kësaj, edhe politikanët e dalë nga radhët e UÇK-së, përjashtuar shumë, shumë pak prej tyre, kanë manifestuar një mosmirënjohje të theksuar ndaj Shqipërisë që i ndihmoi si ajo dhe askush tjetër.
Lexoni “Ditarin e një ministri të Jashtëm”, të z. Paskal Milo dhe do të bindeni për këtë. Është e hidhur, por është më se e vërtetë.
Po të jap shembullin më të fundit: Komisioni Qeveritar për Verifikimin e Veteranëve, i dalë nga Qeveria e Hashim Thaçit, edhe mua personalisht nuk ma njohin të qenët në atë luftë!… Mirëpo, të gjithë ata shqiptarë të këtejmë, që e kanë mësuar këtë gjë, si thua ti, do të kenë dashuri për Kosovën dhe kosovarët, kur dihet që këta politikanë dhe qeveritarë i ka votuar dhe i voton shumica e atij populli në Kosovë?! Aq më shumë kur ky popull e miratoi vendimin e asaj kategorie politikanësh që mohuan edhe kombësinë edhe himnin kombëtar shqiptar. Dhe këtë të vërtetë, që janë ata gazetarë dhe politikanë andej kufirit që e kanë ushqyer dhe e ushqejnë këtë mungesë dashurie e mirënjohjeje për shqiptarët e Shqipërisë londineze, Berat Buzhës nuk i vjen për hosh ta thotë.