Lajme

Ja përse është kaq e lehtë t’i qeverisësh e nënshtrosh shqiptarët e Preshevës sot

Nuk është pushteti që nënshtron qytetarin, është qytetari që është i nënshtruar dhe pranon dhunimin pushtetor.
E para sepse ata më aktivët, që nuk durojnë dot padrejtësi, mizerje dhe të trajtohen si skllevër, kanë ikur në emigrim, ikin në emigrim, ose përgatiten të ikin në imigrim. Nga të dhënat e fundit, prej kohësh, në mënyrë konstante, 1 në 3 gjimnazistë ka si dëshirë parësore të iki nga vendi i tij. Si ka ndodhur në histori, më trimat dhe ata të ndërgjegjshmit eliminohen nga lufta, vriten për atdhe, tani ikin jashtë vendit.

E dyta, ikin më të rinjtë, dhe popullsia në territorin e vendit plaket.

E treta, sepse shumica e shqiptarëve që kemi mbetur në Preshevë jemi të izoluar nga bota, nuk kemi as libra, as filma, as forume për të mësuar demokracinë dhe për ta aplikuar atë. Na duket se ai që ka të drejtë të na drejtojë është ai që është më i forti, ai që të rrjep më shumë, ai që akumulon pasuri, sepse grabitësi i pasurive na duket se ka edhe të drejtën të na përdhunojë edhe si qytetarë.

E katërta, sepse disa shtresa intelektuale që kanë mbetur, ndonjë individi nga shtresat e mesme, më aktivët, e zgjidhin problemin duke u futur në sqetullën e partive për të gjetur ndonjë vend pune në administratë dhe nuk bajnë zë, shohin punën e tyre, rrogën e mizerjes dhe të poshtrimit për të mos e humbur edhe atë, kurse pjesa tjetër në opozitë pret rradhën për ta kapur ajo këtë vend sapo të rrotullohet pushteti. Ato maja rripa­rripa, herë ma hipe herë ta hipa. Në afatgjatë konsiderojnë se rrogën e ndajnë pergjysëm duke futur koston e pjesës pa punë që do të qendrojnë kur ndrohet pushteti. Por, këtë e kompensojnë me lloj­lloj përfitimesh të tjera, si shtesë rroge. Kjo shtresë frymëzon nënshtrimin dhe e ka tradhëtuar qytetarin, mendon për veten dhe për t’iu ngjit pushtetit si shërbëtore jo për ta mbajtur nën kritikë për të mirën e përgjithshme. Kurse media është më shumë një altoparlant propagande dhe trullosje me shërbime fshirje këpucësh pushtetarëve që kanë në dorë edhe ekonominë, edhe politikën edhe pushtetin.
Ja përse është aq e lehtë, o sa e lehtê, ta qeverisësh sipas qejfit shqiptarin e Preshevës sot. Nuk e ka fajin shqiptari që sillet si malësori i Migjenit që përulet për një kokërr grurë, kushtet ku e kanë vendosur, e kanë bërë të tillë.

Presheva e ditëve të sodit është si në kohën e Faraonit, e ndarë në tresh : një masë skllevërish pa të drejta, një grup sundues që grumbullon pushtet dhe pasuri, dhe një tufë tjetër që lehin duke zhvendosur vëmendjen popullore nga mizerja që na ka pllakosur drejt rrugëve qorre cdo natë në televizorrrrrrrrr.
Sa e lehtë…

Related Articles

Back to top button