Kafe bar dhe Berber Shop për refugjatët në Preshevë
Në Qendrën e pranimit në Preshevë sot do të hapen edhe dy pavijone familjare për akomodim të përkohshëm të rreth 350 refugjatëve, Këndi i fëmijëve për nënat me fëmijë dhe ambulanca e re medicinale me dy ordinanca, thuhet në një komunikatë të Qeverisë së Serbisë.
Gjithashtu në Qendrën e përkohshme të pranimit do të hapet edhe depoja e re me hapësirë 900 metra katrorë, hapësira e pararegjistrimit ku mund të qëndrojnë deri në 250 njerëz, hapësira për tharjen e rrobave, në të cilën mund të thahen rreth 1.000 batanije në ditë, vendi i pritjes së autobusëve për refugjatët, si dhe kafe bari i parë falas në Evropë, ku refugjatët do të mund të pinë kafe dhe çaj, gjithashtu dhe një berber shop ku mund të bëjnë rrojën dhe qethjen falas.
Në hapjen e këtyre objekteve do të marrin pjesë ministri i punëve të brendshme në qeverinë e Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ministri i punës Aleksandar Vulin, ambasadori i Norvegjisë në Serbi, Arne Sanes Bjornstad dhe koordinatorja e UNHCR-së për aktivitete në terren, Françeska Boneli.
Në komunikatë thuhet se në Qendrën e pranimit ka përfunduar faza e dytë e rekonstruimit dhe adaptimit të objektit, të cilën e ka financuar Ministria e punëve të jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë.
Së shpejti do të fillojë edhe faza e tretë, që do të financojë UNHCR, pas së cilës qendra do të mund të sigurojë akomodim të përkohshëm për 1.400 deri në 1.500 njerëz.