Këshilltari i kuvendit në Bujanoc, emigron për një jetë më të mirë
Megzon Ismaili, këshilltar i deritanishëm i Kuvendit Komunal të Bujanocit ka vendosur të largohet nga vendlindja në drejtim të Suedisë, siç shprehet ai për portalin Titulli.com, për një jetë më të mirë e më të sigurt.
Ismaili nga fshati Nesalcë, në përbërjen aktuale të parlamentit lokal në Bujanoc ka përfaqësuar Lëvizjen për Progres Demorkatik (LPD) dhe ka qenë këshilltari më i ri në moshë.
“Ne gjithë jemi dëshmitar që Lugina e Preshevës kohëve të fundit ka probleme të ndryshme në aspektin politik e socio-ekonomik. Unë prej ditës së nesërme pretendoj të fillojë një jetë të re, pasi që me përpjekje të shumta dhe falë ndihmës së familjarëve kam arritur të siguroj një vizë pune në Suedi”, thotë Megzon Ismaili për portalin informativ Titulli.com.
Ismaili është me profesion historian dhe ka qenë i punësuar në kohë të caktuar në shkollën e mesme “Sezai Surroi” me 45 për qind të normës.
Sa i përket aspektit financiar, ai thotë se fatmirësisht nuk ka qenë keq, por nevoja për një jetë më të mirë e më të sigurt e ka shtyrë atë që të merr rrugën e kurbetit.
“Tregu i punës këtu po bie, mundësitë për punësim janë shumë të vogla. Për këtë arsye pretendimet e mia janë që të kem një jetë më të mirë në aspektin financiar, kur dihet se në vendet e Evropës perëndimore ke mundësi më të mëdha për të ecur tutje”, shprehet Ismaili.
Edhe pse, siç thotë ai, në subjektin që ka vepruar ka pasur hapësirë të bollshme për veprim dhe për këtë falënderon kryetarin e partisë Jonuz Musliun, ai shpreson që duke filluar nga zgjedhjet e ardhme lokale, të rinjtë e Luginës së Preshevës të aktivizohen më tepër në procese politike dhe të marrin fatin në duart e veta.
“Shpresoj dhe uroj që të rinjtë të kenë më shumë hapësira. Të rinjtë le të bëjnë përpjekje të jenë pjesë e procesit politik. Besoj që liderët aktual do të shkojnë drejtë pensionimit dhe të rinjtë e Luginës së Preshevës të marrin fatin e tyre në duar të veta”, përfundon tanimë ish këshilltari i KK të Bujanocit, Megzon Ismaili./Titulli.com/