Letër nga Presheva: Ndihmë, po na zhdukin!
Një letër nga krahu i shkëputur i Shqipërisë etnike, vjen në dritare.net për të denoncuar problemet e shqiptarëve të Preshevës, sesi po zbrazet jo për faj të serbëve, por të shqiptarëve që e drejtojnë atë. Ja kush janë ata…
Nga Kujtim Sadriu
Të dashur miq të Dritare.net
Arsyeja për hartimin e kësaj letre erdhi pas artikullit të Juaj, dedikuar kryetarit, apo më mirë të themi sundimtarit më të madh lokal në Preshevë, Ragmi Mustafa, ngase në Preshevë, ka edhe sundimtarë qendrorë, si Riza Halimi.
Krejt në fund të letrës suaj thuhet:
P.S. Të dashur lexues, nëse aty ku jetoni, dini raste të ngjashme, ne të dritare.net, jemi shumë të interesuar t’i publikojmë sepse e gjithë pamundësia e shqiptarëve për të bërë shtet, nis nga përqendrimi i madh te tribuna dhe fisi. Ndaj na shkruani në dritarerudina@gmail.com, për çdo informacion që keni mbi shkeljen e ligjit nga administratorët e pushtetit tuaj./dritare.net/
Them të drejtën, më vjen mirë, që keni shprehur interesim, Ju si gazetarë për të përcjellë gjendjen gjithandej ku jetojnë shqiptarët e sidomos në Luginë të Preshevës.
Mediumet shqiptare, gazetarët, asnjëherë nuk kanë treguar gjendjen reale në Preshevë, asnjëherë nuk kanë bërë hulumtime për ta kuptuar se kush po e realizon planin e akademikut serb Dobrica Qosiq, për pastrim etnik të shqiptarëve në Preshevë.
Riza Halimi dhe Ragmi Mustafa, janë njerëz të privilegjuar nga shteti Serb. Detyrat e tyre janë: Të bëjnë deklarata luftënxitëse, ku kohë pas kohe ka pasur arrestime dhe me arrestimet, ka ikur një numër i madh i shqiptarëve drejt shteteve të BE-së. Këta dy burra nepotistë, kanë punësuar pa konkurs dhe kriterium, klanistët dhe familjarët e tyre, pavarësisht a janë apo nuk janë të kualifikuar! Ndërsa kur bëjnë ankesa qytetarët në organet më të larta për të kërkuar drejtësi, ata nuk përgjigjen fare dhe në këso raste qytetarët, nga dëshpërimi, prapë ikin drejt BE-së.
Dhe kështu, në heshtje, Presheva po zbrazet!
Përkundër padive të ngritura kundër këtyre keqbërësve, keqmenaxhuesve, shpërdoruesve të parasë publike, liderëve të korrupsionit e aferave të nepotizmit, gjykatat serbe bien vendime se, ata, nuk kanë bërë shkelje të ligjit.
E respektuara Rudina,
Këta dy burra pushtetarë, janë duke e zbatuar edhe një metodë më të rrezikshme për dhunim të trurit të rinisë sonë, e cila i ka humbur shpresat se do të bëhet mirë, kur shohin se 30 për qind e të punësuarve me lidhje partiake dhe familjare, janë të pakualifikuar!
Defekti i këtyre liderëve provincialë, që nderon në atë se ata për ta ruajtur votën elektorale, shpikin projekte socio-ekonomike, ku magjistrat mbajnë postin e praktikantit e i padiplomuari, ka postin e profesorit, gjë që askund nuk ndodh në botë!
Kam edhe shumë për të shkruar, por me ngadalë po e përfundoj këtë letër të hapur. Dua të them se Asambleja komunale në Preshevë, përbëhet prej 100 % shqiptarë, pasi që armiku ynë shekullor është e pamundur nga jashtë t’i realizojë planet, tani na ka krijuar armikun e brendshëm për të shkatërruar çdo gjë shqiptare në Preshevë.
Qendra për Hulumtime dhe Monitorim, një organizatë joqeveritare është duke grumbulluar dëshmi, për nepotizëm, plaçkitje, bashkëpunim intern me inspektorët serbë në çdo organ, bashkëpunim intern me qeveritarët e Beogradit, pengesa për nostrifikim të diplomave të Kosovës dhe Shqipërisë në Universitetet e Serbisë nga partitë shqiptare e shumë e shumë skandale, shpresojmë të na dilni në ndihmë, që t’i publikoni këta zullumqarë e t’i çjerrim para opinionit shqiptar.
Kemi kënaqësinë t’ju përshëndesim nga krahu i këputur i Shqipërisë etnike, me shpresë se do të fillojë një bashkëpunim, nga i cili do të ketë ndikim në përmirësimin e jetës së shqiptarëve në Preshevë.
* Qendra për Hulumtime dhe Monitorim
P.S: Ju ftojmë të na shkruani, tregoni dhe përgënjeshtroni problemet tuaja në çdo vend ku ka shqiptarë dhe ndajmë probleme të ngjashme.