Migrimi në Evropë mbetet shpresa për të rinjtë Preshevarë
Migrimi në një vend evropian mbetet dëshira dhe shpresa e shumë të rinjve nga Presheva. Kjo vlerësohet zgjedhja e vetme, siç e quajnë ata, ikjen nga perspektiva dhe gjendja socio- ekonomike që ka kapluar vendin tonë.
Për Presheva.AL disa të rinjë shprehen se në Preshevë mungojnë burimet dhe mundësitë për të përmbushur nevojat dhe aspiratat e tyre.
Kështu që termi për “ një jetë më të mirë” për veten dhe familjen e tyre përdoret nga shumica e të rinjve që me dëshirë do ta braktisin Preshevën.
Njëri nga ta është edhe 15 vjeçari B.G., ai thot se me dëshirë do ta lëshojë Preshevën për një të ardhme më të mirë, do të shkoja në vendet perëndimore, sepse mundësitë për të gjetur një vend pune atje janë më të mëdha, këtu është papunësi e madhe” , thotë B.G. për Presheva.AL
Edhe një studente në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, përmend arsyen që e motivon për t’ia mësyrë migrimit.
“Sikur të mundem që pas përfundimit të fakultetit të punësohem, nuk do ta braktisja, në të kundërtën me dëshirë do të iki nga Presheva, sepse shumë shokë dhe shoqe kanë përfunduar studimet, madje e dhe masterin dhe bredhin rrugëve”, shprehet studentja nga Presheva.
Pavarësisht thirrjeve nga autoritetet kompetente se ikja jashtë vendit është sakrificë që nuk ia vlen, i riu tjetër mbi të 20-at, A.R, që nuk punon askund thotë se me dëshirë do ta braktisë Preshevën, dhe në mundësinë e parë që do t’i jepej, siç thotë ai, do të nisej në ndonjë vend evropian.
“Vetëm pse nuk ka punë, prandaj do ta lëshoja. Nuk kam ndonjë shtet që preferoj, por ku do t’më jepej mundësia të punoj, aty do të shkoja. Në cilindo shtet të Evropës, për mua është më mirë se në Preshevë”, shprehet A.R.
Në anën tjetër, ka edhe të rinj që mendojnë ndryshe.
A.K, studente, thotë se për asnjë arsye nuk do të kishte migruar.
“Këtu kam familjen. Presheva është vendi i bukur, ka të ardhme dhe nuk është zgjidhje ta lëshoj Preshevën. U them krejt të rinjve që mos tentojnë ta lëshojnë Preshevën”, thotë ajo.