Në çfarë rruge po drejtohet rinia Preshevare!?
Lojërat e fatit po marrin përmasa të mëdha në Preshevë dhe shpesh ato konsiderohen si “sëmundja e shekullit”, për shkak të varësisë që kanë njerëzit nga këto lojëra. Këto bastore apo kazino ku njerëzit kërkojnë dëshpërimisht fatin e tyre, po mbijnë dita-ditës si kërpudha në çdo cep të vendit, madje përveç qytetit të Preshevës, tashmë edhe fshatrat janë duke u mbushur me bastore, që është kthyer në biznes për pronarët, të cilët po e zgjerojnë këtë fushë në të gjitha hapësirat e vendit dhe në një ves për frekuentuesit.
Në qytetin e Preshevës tashmë ato i gjen në çdo lagje, në çdo rrugicë, duke qenë gjithnjë e më shumë të dukshme për syrin e njeriut, që tundohet nga kjo mënyrë e re e “provës së fatit” dhe e pasurisë së rreme.
Ka nga ata persona të cilët nuk merren me asgjë tjetër, përveçse me baste. Por a është kjo mënyra më e mirë për të kërkuar fatin, apo tashmë ky është kthyer në një ves për frekuentuesit, më së shumti të rinj? Askush nuk e kundërshton faktin se është kthyer në një plagë sociale, e cila për fat të keq po degjeneron në krim, madje edhe brenda familjes.
Dhe çfarë bëhet për të ndalur këtë katrahurë? Asgjë, ose shumë pak.
Politikanë, duhet menduar që njerëzit të gjejnë rrugën e duhur, rinia t’i lërë këto vese e të shohë diçka më të mirë, një të ardhme më të mirë e jo me vese.
Politikanë, duhet menduar që të minimizohen këto lojëra fati e kazino “vrastare” dhe të mendoheni më shumë për një rrugë më të mirë, veçanërisht për rininë.
Një rini të shëndetshme, aktive dhe sportive, pikërisht rinia është ajo që ndihet më e varur, një rini e cila duhet të shohë dhe të kërkojë një rrugë tjetër, atë të një jete më të shëndetshme dhe pa vese. Por kjo moshë, duke mos patur rrugëdalje tjetër për të përmirësuar situatën ekonomike, shpreson dhe kërkon zgjidhje në lojërat e fatit apo kazino. Sipas rregullores, në këto lojëra nuk lejohet të hyjnë persona nën moshën 18 vjeç, por kjo gjë nuk zbatohet nga thuajse asnjë prej pikave në vendin tonë. Pse nuk zbatohet ligji dhe pse lejohen që këta të rinj të jenë pjesë e kësaj loje të rrezikshme, që po i gropos çdo ditë e më thellë? Një rini që shpenzon shumë për baste dhe harron të shohë se përpara ka një të ardhme edhe më të mirë. Pikërisht sporti është një nga rrugët që kjo rini duhet të ndjekë dhe të zgjedhë, jo vetëm për të hequr dorë nga lojërat e fatit dhe bastet, por edhe për të qenë më e shëndetshme fizikisht.
Para të harxhuara dhe asgjë e fituar në baste e lojëra të trukuara, apo fitime të gënjeshtërta, që të nesërmen kthehen në borxhe marramendëse, që krijojnë strese e zhgënjime për një moshë që humbet shpresat.
Politikat e sportit duhet të jenë të studiuara mirë dhe të mbështetura nga të gjithë, jo vetëm nga politikanët por edhe nga komuniteti apo familja. Palestrat e sportit, këndet sportive apo qendrat e fitnesit ku rinia të kalojë kohën e saj me një aktivitet sportiv duhet të jenë ato që të mbijnë në çdo lagje e rrugicë, në mënyrë që rinia të hedhë sytë nga një mënyrë më edukative e të rriturit dhe të largohet nga vesi.
E jo vetëm rinia, por edhe fëmijët duhet të edukohen me frymën pozitive që sporti vetëm të ndihmon dhe të jep një shëndet më të mirë dhe, për këtë arsye prindërit duhet të dinë të zgjedhin se çfarë është më e mirë për fëmijët e tyre.
Komuna duhet të dijë të promovojë vlerat e sportit, duke ndihmuar ata që hapin mjedise apo palestra sportive, të cilat i shërbejnë rinisë të Preshevës, të krijojë sa më shumë hapësira për sportin, në mënyrë që rinia dhe fëmijët të kthejnë sytë nga një mënyrë më e mire e të edukuarit, më e shëndetshme.
Basketbolli, volejbolli, noti, mundja, atletika e shumë sporte të tjera, që Presheva nuk i ka, duhet të jenë ato që të promovohen nga të gjithë. Me sport harrohet stresi dhe rilind një njeri më i shëndetshëm, që nesër i shërben më mirë vendit tonë. Ndaj, politikanë në kuvend e jashtë tij, kartonët mos i ngrini kot kur bëhet fjalë për rininë dhe sportin, pa ditur se për çfarë votoni, pasi rinia e sporti janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Jeni ju politikanë që duhet të orientoni rininë në rrugën e duhur, duke ndërtuar politika sociale përkrahëse, duke e drejtuar drejt sportit rininë, që të jetë sa më e shëndetshme. Për sportin mos u mendoni vetëm kur shkoni në stadium apo shkoni vetë në palestër, por çdo ditë, pasi ajo u përket të gjithëve, edhe fëmijëve tuaj dhe nuk bëjmë dot pa të.
Sot harxhohen miliona për baste e lojëra fati dhe shumë pak për sportin, për ta promovuar, për ta mbështetur dhe përhapur atë, një sport që na krenon e na ndihmon. Prindër, të afërm dhe dashamirës, sot ka ardhur koha që sporti të bashkojë të gjithë, pasi falë tij lihet mënjanë droga, alkooli e mjaft vese të tjera.
Pushteti aktual dhe i më hershëm nuk ka qenë shumë aktiv në promovimin e vlerave të sportit në vendin tonë, duke i mundësuar dhe afruar të rinjët të ndjekin një rrugë të drejtë, larg veseve dhe sjelljeve të gabuara.
Pikat e basteve, kazinotë apo lojërat e fatit janë një element shumë i rrezikshëm për shoqërinë Preshevare, pasi krijojnë pasivitet te popullata, te rinia e këtij vendi, e cila duhet të jetë aktive dhe sa më e shëndetshme e për këtë arsye duhet të kthejë sytë nga një aktivitet sportiv.
Politikanë, mos e lini rininë mënjanë, por përkraheni atë, udhëzojeni si duhet, drejtojeni në një rrugë të drejtë e plot shëndet, të merret me aktivitete sportive, për të krijuar një njeri të denjë për të ardhmen.