Në Merdare e në Klinë, konfiskohen 65 kg Marihuanë
Në aksionin e koduar ‘Letra”, policia e Kosovës konfiskoi 65 kilogramë lëndë narkotike, armë dhe para në valuta të ndryshme
Forcat e rendit arrestuan dy të dyshuar, të nacionalitetit shqiptarë, shtetas të Kosovës. Policia tha se njëri prej të dyshuarve tentoi të kalojë në pikën kufitare Merdare në drektim të Serbisë, transmeton lajmi.net.
Droga e llojit marihuanë ka qenë e vendosur në 13 paketime të ndryshme me peshë 12 kilogramë e 208 gram.
Gjithashtu u konfiskuan edhe vetura e llojit ‘Mercedes’ ngjyrë e kuqe, një telefon Iphone 5 , dy telefona “Nokia” dhe 370 euro e 500 dinarë të Serbisë, para të gatshme.
Policia më pas ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit të dytë në një fshat të Klinës, duke gjetur dhe konfiskuar dy thasë me lëndë narkotike të llojit marihuanë, transmeton lajmi.net.
Kjo sasi e marihuanës ishte vendosur në një gomë kamioni të mbushur me gjithsej 25 paketime, e mbështjellë me qese najloni me peshë të përgjithshme rreth 52 kilogramë e 900 gram, pastaj pajisje për punë, një peshore digjitale e llojit “ Grundig”, një arme shotgun e firmës Ramington me 36 fishekë ;GA-12, një pushkë e firmës STT –MOSSBERG –USA, dhe 20 fishekë GA-12, transmeton lajmi.net.
Me autorizim të prokurorit kompetent edhe personit të dytë i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.