Opinione

Për çka u sakrifikuam

Sa shumë po i gëzohen kësaj dite, po rriten me dashuri të madhe për këtë vend. Edhe ëndrrat s’i kanë veç për veten e tyre. Andi ëndërron të bëhet futbollist i kombëtares së Kosovës e Arti aktor i Prishtinës…

Për ëndrrat e tyre u dhanë shumë jetë e sa shumë u sakrifikuan për të mos u duruar padrejtësia e gjenocidi. E pa ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë e të SHBA-së sot nuk do ta kishim shtetin tonë. Ky shtet që sot 8 vjet nga pavarësimi i saj, për një grup hajnash e kriminelësh po e paguan faturën e izolimit.

Ky shtet që për një grup matrapazësh, haraçkërkuesish e uzurpatorësh po i ikin qytetarët e saj për të mos u kthyer kurrë. Sot po e dëgjoj zërin e fëmijës që qante teksa prindërit e tij nga zori shtyheshin në turmë për të hipur në autobus për të ikur ilegalisht drejt Evropës. Po më dalin para syve milionerët qe e vodhën deri në palcë këtë shtet.

Analfabetët në Universitet, kushërinjtë e politikanëve që kanë zënë vendet në secilin sektor kyç të këtij vendi. Të diplomuarit që sillen rrugëve dhe të papunët që u shkolluan jashtë vendit e që u kthyen për të kontribuuar për këtë shtet. Plaku që fshinte lotët në barnatore para disa ditësh, s’i dilnin paratë për ilaçe. Xhihadistët nga Kosova që sot luftojnë krah “Shtetit Islamik”…

Patriotizëm nuk është për t’u thirrur në emër të Amerikës e për ta vjedhur ditë e natë Kosovën, patriotizëm nuk është ta kallësh vendin për pushtet, patriotizëm nuk është ta gjuash policin me tullë në kokë.

Duke protestuar paqësisht, jo me molotova e me gurë… Për t’i treguar botës se imazhin nuk e prish protestuesi paqësor, por ata që e degraduan këtë shtet. Për fëmijët tanë, për të ardhmen e tyre, për Kosovën e pastruar nga hajnat e kriminelët në pozitë e opozitë.

Gëzuar!

Related Articles

Back to top button