Lajme

Qeveria e Serbisë ndan 250 milionë dinarë për Luginën e Preshevës

Kryesia e Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka ndarë sot për këto komuna pakë më tepër se 250 milionë dinarë, që do të shpenzohen për objekte infrastrukturore dhe aktivitete të nevojshme për punën e administratave lokale, dhe kjo shumë është për gjashtë milionë dinarë më e lartë se në vitin e kaluar, njofton Tanjug, transmeton Titulli.com.

Kryetari i Trupit Koordinues Zoran Stankoviq i ka thënë gazetarëve se komuna e Bujanocit do të përfitojë 144.4 milionë dinarë, Presheva 105 milionë, ndërsa 36.1 milionë dinarë do t’i takojnë komunës së Medvegjës.

“Në krahasim me periudhën e mëparshme, kjo është një rritje prej gjashtë milionë dinarë. Kemi analizuar aktivitetet e vitit të kaluar dhe përfunduam se edhe viti 2016 do të jetë vit që shteti dhe pushtetet lokale do të kenë probleme për të zgjidhur”, ka thënë Stankoviq, shkruan Titulli.com.

Ai mendon se aktivitetet e deritanishme të Trupit Koordinues janë realizuar në pjesën më të madhe, janë arritur rezultate të kënaqshme, por mund të bëhet edhe më tepër.

“Në takimin e sotëm, në veçanti janë paraqitur kërkesat që administratat lokale i kanë ndaj Trupit Koordinues dhe qeverisë së Serbisë, dhe janë përcaktuar aktivitete të caktuara që do t’i realizojmë në të ardhmen sipas marrëveshjes së sotme”, ka shtuar Stankoviq.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ka thënë se raporti i punës për vitin 2015 është miratuar unanimisht dhe është shqyrtuar programi i punës për vitin 2016.

“Komuna jonë në vitin 2016 do të ketë 40 milionë nga Trupi Koordinues për zhvillim ekonomik. Në Bujanoc kjo ka dhënë rezultate, mund të them, vitin e kaluar komuna e Bujanocit ka qenë më efikasja, në krahasim me komunat e Preshevës dhe Medvegjës dhe nga shuma e përgjithshme, Bujanocit i kanë takuar 31 milionë”, theksoi Arifi, transmeton Titulli.com.

Arifi ka shtuar se për vitin 2016, nga shuma e paraparë për zhvillimin e infrastrukturës, Bujanocit i kanë takuar afër 45 për qind.

Edhe pse Trupi Koordinues kishte paralajmëruar se në mbledhjen e sotme të kryesisë do të marrin pjesë edhe deputetët shqiptarë, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi, ata bojkotuan këtë takim. /Titulli.com/

Related Articles

Back to top button