Shqiptarët e Sirisë, sot refugjatë në Preshevë (Video)
Shpesh refugjatët nga Siria thonë ndonjë fjalë shqip kur arrijnë në Preshevë, zakonisht për dhurata dhe falënderime.
Një prej tyre, për të arritur këtu kishte kërkuar ndihmë në selitë diplomatike të Kosovës në Turqi, pasi gjyshi i tij ka lindur në Pejë. “Janë rreth 20-30 mijë shqiptarë në Siri.
Shumë prej tyre janë në Damask”, thotë ai. Refugjati ka frikë të flasë dhe t’i shkruhet emri, pasi sipas tij, regjimi i Bashar Al Asad mund të bëjë gjithçka.
Mjek me profesion, personi tregon fotografitë e gjyshit me qeleshe, por para kamerave ka frikë, pasi familja ka ngelur në Siri. “Kam pasur një jetë të mirë në Siri.
Por kishim problem me regjimin pasi ata konsiderojnë terrorist çdo person që ndodhet në zonat që nuk i kontrollojnë”, thotë refugjati, transmeton Tch.
Ai tregon edhe të dhënat personale, të cilat tregojnë origjinën e tij. Ëndrra e tij ishte Kosova, por kishte dëgjuar edhe për Preshevën. “Të gjithë xhaxhallarët dhe hallat e mia flasin shqip, gjyshi dhe gjyshja po ashtu”, vijon refugjati.
Ai rrëfen më tej se, shqiptarët në Siri janë marrë kryesisht me tregti, industri tekstilesh dhe prodhime dhe jetojnë kryesisht në Damask.
Ai thotë se ata njihen mes tyre dhe ruajnë në kujtesë gjëra që vetëm ata i dinë. Lufta, thotë shqiptari nga Siria, ka shkatërruar gjithçka dhe forcat e ndryshme e bëjnë të pamundur qëndrimin në këtë vend.