Lajme

40 vite nga vdekja tragjike e Qenan Shaipit nga Presheva

nehat hyseni
Shkruar nga Nehat Hyseni

Sot, më 12 mars 2016, bëhen dyzet vjet të plota nga humbja tragjike e jetës rinore të Qenan Shaipit, në krye të detyrës dhe pa i mbushur 30 vjeç, në Kankun të Meksikës, ku ishte si raportues i parë i Radio Televizionit të Prishtinës në delegacionin e Kryetarit të RSF të Jugosllavisë, Josip Broz Titos.

Sipas “verzionit zyrtar” të pushtetit të atëhershëm,”Qenan Shaipi humbi jetën në ujërat e Karaibeve nga një sulm në zemër, të cilin nuk e mbijetoi edhe përkundrejt ndihmës së menjiherëshme profesionale mjekësore”.
Ky “verzion zyrtar” mbi rethanat e vdekjes tragjike të tij, i dhënë nga shteti komunist i Jugosllavisë së Titos, nuk u besua asnjëherë deri më sot nga shqiptarët dhe familja, farefisi, miqtë e shokët e Qenan Shaipit.
Përkundrazi, dyshimet mbi këtë vdekje enigmatike shtoheshin gjithënjë e më tepër për rethanat dhe motivet e pushtetit të atëhershëm komunist për vrasjen enigmatike të këtij të riu shqiptar nga Presheva, i cili në shkollën e mesme të ndërtimtarisë në Mitrovicë ishte përcjellur si fëmi 14 vjeçar nga familja e tij, e cila 28 vjet më parë kishte përcjellur profesor Ibrahim Kelmendin, si “kaçak” që ishte dhe komandant i forcave shqiptare të NDSH-së për mbrojtjen e kufirit-frontit të Luftës tek “Udha e Frengit” (hekurudha), që emigroi në Australinë e largët, për të mos u kthyer kurrë!
Prandaj, Qenan Shaipi kishte marrë një urdhër të prerë nga prindërit: “Shko, mëso biri jonë dhe kurrë mos u merr me politikë, sepse neve nuk na shkon politika!”
Qenani e kryen shkollën e mesme dhe si 18 vjeçar punësohet në KK të Preshevës, kurse një vjet e gjysëm më pas, i vazhdoi studimet në Prishtinë.

Atëbotë Kosova përjetonte “bum” të vërtetë zhvillimor politik, arsimor, social e ekonomik, pas rënies së shefit të UDB-së famëkeqe, Aleksandër Rankoviqit
në Plenumin e IV-të në Brione, në vitin 1966.
Ashtu si Amerika ishte këndellur nga Lufta e Dytë Botërore dhe në fillimvitet e 60-ta të shekullit XX, me Xhon F. Kenedi dhe familja e tij katëranëtarëshe, me djalin, vajzën dhe me zonjën, Zhaklinën, ishte bërë model i familjes së përkryer Amerikane dhe idol e simbol i përparimit dhe mirëqenies së çdo amerikani, edhe Kosova pas vitit 1966 ishte në pozitë relativisht të ngjajshme, sidomos në aspektin e shpresave të ngjallura dhe vrullit patriotik që kishte pasuar pas nëpërkëmbjes shekullore dhe prapambeturisë kombëtare të shqiptarve.
Klasa politike kosovare ishte personifikuar në kuadrot e reja dhe të shkolluara dhe familjet e tyre të njoma, të mbrujtura me plotë energji dhe ëndrra për një Kosovë të zhvilluar e të lirë.
Perspektiva shpresdhënëse në sytë e shqiptarve të ish Jugosllavisë personifikohej pikërisht në plejadën e politikanëve, shkencëtarve, profesorëve dhe studentëve të rinjë, inteligjentë e të zgjuar, plotë energji, vullnet dhe elan rinorë, të cilët konsideroheshin si “dritë në fund të tunelit”, pas territ shekullorë të robërisë, padrejtësive dhe vuajtjeve të pafund njerëzore, sociale e kombëtare.
Qenan Shaipi ishte njëri nga ata, si djalë i ri, shumë i zgjuar dhe rrjedhë is nga një familje brilante intelektuale: stërgjyshi i tij, Osman Efendiu ishte jurist me nam dhe avokat në Vilajetin e Kosovës, kurse gjyshi Shaip Efendiu ishte gjithashtu jurist dhe punoi si gjyqëtar në Kazanë e Preshevës, i cili u dënua me vdekje nga Qeveria e Nikolla Pashiqit në vitin 1916. Ekzekutimit i shpëtoi në minutat e fundit, meqë arriti t’i shmanget arrestimit dhe iku në Anadolli të Turqisë, në Dijari Bakir, ku u ekzekutua së bashku me djalin e tij të madh, Osmanin 18-vjeçar, tre vjet më vonë, në vitin 1919, nga agjentët e qeverisë serbe të Nikolla Pashiqit.
Kurse, xhaxhai i tij, profesor Ibrahim Kelmendi, emrin e të cilit e mbanë sot me krenari Shkolla Fillore Qendrore e Preshevës, ishte komandant i forcave shqiptare, që heroikisht luftuan dhe e mbrojtën vijën kufitare te Udha e Frengit (Hekurudha) në vjeshtën e vitit 1944. Ai u detyrua që së bashku me shokët e luftës dhe idealit, Luan Gashin, Adem Gllavicën, Hysen Tërpezën, etj. u detyruan të arratisen. Profesor I. Kelmendi vdiq në Australi në janar të vitit 1979, me mallin e pashuar për atdheun, që nuk e pa më kurrë!

Kontributi kolosal i Qenan Shaipit në përparimin e vrullshëm të vendlindjes së tij Preshevës, si teknik i parë i ndërtimtarisë në Kuvendin Komunal, konsiston në: ndërtimin e urës në qendër të fshatit Rahovicë, e cila përdoret dhe është në gjendje perfekte edhe pas 45 vitesh.
Kjo do të thotë se, ai në moshën 18 vjeçare ishte serioz, i guximshëm profesionalisht dhe i vendosur për të marrë mbi vete përgjegjësi të mëdha.
Fillet e hartimit të Planit të parë Urbanistik të Preshevës, lidhen me aktivitetin dhe kontributin direkt të tij. Kjo do të thotë se me Qenan Shaipin Presheva vendos themelet e shndërrimit të Preshevës nga kasabaja me ndërtim kaotik, në qytet urbanistik.
Pastaj, ujësjellësi i qytetit projektohet dhe fillon së ndërtuari me nisiativën dhe nën udhëheqjen e punën e palodhëshme të tij.
Vendosja e rregullit të parë të disiplinës urbanistike në komunën e Preshevës, pra, është bërë nga Qenan Shaipi, duke mos lejuar me këmbëngulje dhe vendosmëri të palëkundur zënien e rrugëve kryesore dhe të atyre dytësore të qytetit të Preshevës.
Kontributi i Qenan Shaipit
si kryetar i Lidhjes së Studentëve të Kosovës, e sidomos për pozitën materiale të studentëve në vitet 1966-1974, sigurimin e bursave dhe kredive studenteske, vendosjen në konvikte, etj. ka qenë i madh.
Në këtë kohë u shumëfishua numri i studentëve shqiptarë në Kosovë, që vinin nga të gjitha viset e Jugosllavisë së atëherëshme të banuara me shqiptarë: nga Maqedonia, Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës.
Artikujt dhe intervistat në “Bota e re”, “Rilindja”, “Zëri i rinisë”, etj., flasin qartë, si dokumentacion faktografik për rolin dhe angazhimin e tij të pamohueshëm në
themelimin e Gazetës së Studentëve “Bota e re” dhe për kontributin e Qenan Shaipit nga ideja, sigurimi i parave (2 milion dinarë) nga Këshilli Ekzekutiv i Kosovës., e deri te botimi final. Artikulli i tij në faqe të parë të nr. 1 të Botës së re, do të zë vendin e merituar.
Themelimi i Universitetit të Prishtinës dhe aktiviteti i Qenanit si Kryetar i Konferencës universitare të LK-së në kontekstin e përparimit dhe mirëqenies kosovare dhe të arriturave të gjithëmbarëshme e kolosale në atë kohë, duke i vënë dalëngadalë, por sigurtë, themelet e Autonomisë dhe ato të shtetësisë së Kosovës, me miratimin e Amendamenteve në Kushtetutën e RSFJ-së lidhur me statusin e Kosovës si dhe në nxjerrjen e Kushtetutës së parë të Kosovës, në vitin 1974.
Duhet veçuar sidomos kontributin dhe angazhimin e guximshëm, të vendosur dhe të palodhshëm të Qenan Shaipit në themelimin dhe pavarësimin e Radiotelevizionit të Prishtinës nga Radiotelevizioni i Beogradit, që ka ka qenë tejet i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejtë pavarësimit politik nga Serbia.
Ai vdiq në krye të detyrës, në rethana tejet të dyshimta, nga dora e regjimit të atëhershëm komunist të Jugosllavisë së Titos, duke lënë pas veti bashkëshorten Sebahaten në lulen e rinisë, në moshën 26 vjeçare, djalin Agonin 2,5 vjeç vajzën Zanën 5 vjeç.
Me vdekjen e parakohëshme dhe tragjike të Qenan Shaipit, familja, farefisi, vendlindja e tij Presheva, Kosova dhe mbarë Shqiptaria humbën këtë kuadër të aftë dhe punëtor të palodhshëm që dha kontribut të pakontestueshëm për përparimin e Kosovës dhe të mbarë shqiptarve të ish Jugosllavisë.
Kujtimi dhe respekti për këtë figurë të ndritur kombëtare do të mbetet i përjetshëm në kujtesën e të gjithëve dhe do të “rifreskohet” edhe më tepër me Monografinë për jetën dhe veprën heroike të Qenan Shaipit, që do të publikohet në tetor të këtij viti, me rastin e kremtimit të 70-vjetorit të lindjes së tij.

Related Articles

Back to top button