Arifi: Qeveria e Kosovës të kërkojë urgjentisht zbatimin e reciprocitetit (Intervistë)
“Kemi kontakte edhe me Tiranën dhe me Prishtinën zyrtare, por për fat të keq shumë pak na kanë ndihmuar. Serbia ndan me miliona euro për serbët e Kosovës, kurse dy qeveritë tona përveç 100 mijë eurove për maternitetin në Preshevë, ndihmë tjetër nuk kanë dhënë”, – theksoi në mes tjerash kryetari i parë historik shqiptar i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi për revisten Paqja.
PAQJA: Jeni kryetari i parë shqiptar i Komunës së Bujanocit. Kjo u arrit pas zgjedhjeve të para demokratike. Na përshkruani ato momente të fushatës dhe pas përfundimit të zgjedhjeve?
ARIFI: Pas konfliktit të armatosur në Luginë të Preshevës në mes të forcave policore ushtarake serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (UÇPMB) dhe pas Marrëveshjes se Konçulit më 2001 me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, sidomos të KFOR-it dhe OSCE-se u arritë marrëveshja që në Luginë të Presheves problemet të zgjidhen në mënyre paqësore. Në atë kohë, Serbia përveç obligimeve tjera për zgjidhjen e krizës në këtë rajon u detyrua që në parlamentin e atëhershëm serb të aprovojë ligjin e ri të administrimit lokal, ku zgjedhja e kryetarëve të komunave duhej të ishte sipas sistemit të shumicës, kurse e këshilltarëve sipas sistemit proporcional. Në atë kohë u shpërbënë kuvendet komunale në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegj dhe u caktuan që zgjedhjet të mbahen në korrik të vitit 2002. Ky ligj mundësoi që për herë të parë në Luginë zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. Pas shpalljeve të zgjedhjeve atë kohë tri parti shqiptare që vepronin në Bujanoc, njerëzit me ndikim dhe intelektual të asaj kohe vendosen unanimisht që të jem kandidat nga radhët e shqipetarëve për kryetar komune. Ishte një garë e rëndë sepse e tërë aparatura shtetërore e atëhershme ishte angazhuar që të pengojë zgjedhjen e të parit të komunës shqiptar, por vullneti i madh i shqiptarëve për të zgjedhur kryetarin e komunës shqiptar e pikërisht mua ishte i pamposhtur dhe ia dolëm. Në shumë vendvotime komisioni i atëhershëm zgjedhor komual bëri përsëritjen e votimit vetëm e vetëm me qëllim për ta ulur vullnetin e popullit shqiptar për të mos dalur në zgjedhje, por shqiptarët ishin me vullnet të madh për të qeverisur veten e tyre. Zyrtarisht funksionin e kryetarit të komunës e mora më 29 gusht të vitit 2002. Ishte me të vërtetë një ditë historike sepse për herë të parë një shqiptar u zgjodh kryetar komune i Bujanocit, edhe pse gjithmonë ishim me numër më të madh të popullatës.
PAQJA: Ndjeheni me fat që keni pasur nderin të hyni në histori?
ARIFI: Është e vërtetë se kisha fat por edhe nderin të jem kryetar i parë shqiptar i komunës së Bujanocit, por ishte para së gjithash një vullnet dhe dëshirë e gjithë shqiptarëve.
PAQJA: Si ishte dita e parë e punës?
ARIFI: Që nga dita e parë isha me një vullnet shumë të madh, por edhe me një përgjegjësi shumë të madhe ndaj popullatës shqiptare shumë të vuajtur nga regjimi i atëhershëm. Ditën e parë nuk do ta harroj kurrë në jetën time, isha i lumtur për shqiptaret, por i brengosur për vetën time se si do t’ia dalë i vetëm aty, duke marrë parasysh se atëkohë nga 115 punëtorë të administratës komunale vetëm 4 a 5 ishin shqiptarë; të gjithë të tjerët i përkisnin përkatësisë nacionale serbe, e mos të flas për organizatat publike ku ishte themelues kuvendi komunal, ku atje ishte situata edhe më e rëndë, por i vendosur dhe me ndihmën e miqve ndërkombetarë e para së gjithash të SHBA-ve dalëngadalë ia dolëm.
PAQJA: A keni arritur ta hiqni disproporcionin e të punësuarve në komunë dhe si qëndron tani gjendja në krahasim me atë para ardhjes suaj kur kishte shumë më shumë të punësuar serbë?
ARIFI: Të bësh një krahasim të tillë duke pasur parasysh vitet para 2002 dhe tash 2016 i bie se shqiptarët në Bujanoc me të vërtetë po qeverisin veten e tyre në organet lokale. Sot në administratën komunale mbi 60% e punëtorëve i përkasin përkatësisë nacionale shqiptare, kurse në disa organizata publike ku është themelues kuvendi komunal kjo përqindje është dukshëm më e madhe, por për fat të keq situata është ende e rëndë sa i përket inkuadrimit të shqiptarëve në organet shtetërore dhe organizatat publike ku është themelues Qeveria e R.Serbisë.
PAQJA: Si është tani gjendja e përgjithshme e shqiptarëve në këtë rajon?
ARIFI: Mund të them se në aspektin politik dhe të sigurisë është relativisht e qetë, por ende cënohen të drejtat e shqiptarëve si ato individuale po ashtu edhe kolektive. Diskriminim të madh kemi çështjen e arsimit, kulturës, përdorimit të simboleve kombëtare, çështjen e përdorimit të dygjuhësisë në organet shtetërore, ikuadrimin e shqiptarëve në organet shtetërore, zhvillimin ekonomik e social, të cilat janë në kompetencat e organeve shtetërore, mosnjohjen e diplomave nga universitetet e Kosovës etj. Rasti më i freskët është kur qeveria e R.Kosovës i jep donacion tekstet shkollore për nxënësit e shkollave fillore në Luginë dhe diskriminimi i politikës së Beogradit e bëri që tekstet të qëndrojnë rreth gjashtë muaj në terminalin doganor në Preshevë dhe prapë të kthehen nga atje ku kanë ardhur.
PAQJA: Kur kihet parasysh raporti i të drejtave që gëzojnë serbët në Kosovë dhe i të drejtave që keni ju atje, pothuajse është e pakrahasueshme. Çka mendoni se duhet bërë që të drejtat që pretendojnë t’i kenë serbët në Kosovë, t’i keni edhe ju në Serbi?
ARIFI: Kushtetuta dhe ligjet e R.Kosovës garantojnë dhe avancojnë shumë të drejtat e pakicave e sidomos ato të përkatësisë serbe, kurse te ne ende vazhdon diskriminimi. Qeveria e R.Kosovës mendoj se duhet urgjentisht të ndërrmarë një ofanzive politike dhe të kërkojë nga faktori ndërkombëtar që edhe shqiptarëve në Luginë t’u garantohen të drejtat sikurse ato të serbëve në Kosovë. Me një fjalë urgjentisht të zbatojë parimin e reciprocitetit.
PAQJA: A keni kontakte me Tiranën dhe Prishtinën zyrtare dhe a jeni të kënaqur me mbështetjen e këtyre qendrave shqiptare?
ARIFI: Po kemi kontakte edhe me Tiranën dhe me Prishtinën zyrtare, por për fat të keq shumë pak na kanë ndihmuar. Serbia ndan me miliona euro për serbët e Kosovës, kurse dy qeveritë tona përveç 100 mijë eurove për maternitetin në Preshevë, ndihmë tjetër nuk kanë dhënë.
PAQJA: Sindromi i përçarjes u ka përfshirë edhe juve, në një rajon me afro 90 mijë shqiptarë, gjashtë parti të regjistruara, e disa të tjera ende të paregjistruara; si mund të shpjegohet ky fenomen?
ARIFI: Për fat të keq edhe te ne ka përçarje, por në shumë raste kur është në pyetje interesi i përgjithshëm i shqiptarëve atëherë jemi një.
PAQJA: Sa jeni të kënaqur me rezultatet që keni arritur gjatë mandatit tuaj, a ka investime nga qeveria e Serbisë dhe jashtë vendit?
ARIFI: Mund të them se duke u nisur nga situata ekonomike që ka kapluar rajonin në përgjithësi kemi rezultate, por prapëseprapë nuk jemi të kënaqur sepse mundësitë janë më të shumta, por vullneti i qeverisë së Serbisë nuk ekziston, por para së gjithash investimet e deritashme kryesisht janë të përcjellura nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare siç janë: USAID, UNDPT dhe PROGRESI EVROPIAN.
PAQJA: A keni ndërmend të kandidoheni sërish në zgjedhjet e ardhshme?
ARIFI: Unë jam kryetar komune edhe kryetar i Partisë Demokratike. Para pak kohe kemi përmbyllur zgjedhjet brendapartiake dhe në mënyre unanime u rizgjodha kryetar i partisë edhe për një mandat katërvjeçar dhe mora pëlqimin që në zgjedhjet e prillit të këtij viti të jem bartes i listës së Partisë Demokratike. Kjo tregon se do të jem kandidat i mundshëm edhe për një mandat.