Disa fjale nga zemra për rinin e Preshevës…!
Këto fjalë po i shkruaj për ju dhe veten time që jemi ardhmëria e këtij vendi, më poshtë do të flas për një problem shumë të madh me të cilin preokupohet dhe ballafaqohet e gjithë rinia në Preshevë.
Dje por edhe sot e ndoshta edhe nesër do të ndodhë po e njëjta gjë, ikja e rinis nga Presheva.
Mendoj se të gjithë janë të vetëdijshëm me realitetin se më nuk kanë ngelur banorë në Preshevën tonë! Nëpër rrugët e Preshevës nata nuk ndriçon, por është terr, dita nuk ka zhurmë njerëzish.
Presheva është bërë një vend që banorët e saj janë sikur zogjtë shtegtarë dimrit larg vendit e verës afër.
Edhe ajo pak rini që ka mbetur në Preshevë vërtetë e ka të vështirë të gjej vend pune me profesionin që ka mbaruar, të ketë një standard të mirë jetese sepse qindra studentë të diplomuar më në fund punësohen si kamerier të thjeshtë edhe pse titullin mund ta ketë profesor apo magjistër.
Mos e bëni edhe ju këtë traditë siç e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë disa, që të kenë pasuri, shtëpi luksoze duke u bërë rob i një shteti të huaj e jo zotëri i vendit të vet. Nga thëniet e arta të popullit tonë është edhe ajo se “ashtu si të bën dritë hëna në vendin tënd nuk mund të të bëjë dritë dielli në vendin e huaj”, ose “më mirë nën hijen e ferrës tënde se sa nën hijen e fikut të huaj!” Fundja pasuria dhe aspekti material mund të blejnë shumëçka por jo edhe lumturinë. Por, për fat të keq ajo që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodh është se e gjithë rinia është në gjumë, e unë sot dua të them që të zgjohemi së bashku.
Andaj ju drejtohem të gjithë rinisë: Ejani që ti hapim rrugët të cilat kanë ngelur të papërfunduara nga paraardhësit tanë! Ejani që ti hapim dyert e shtëpive tona të cilat janë mbyllur duke shkuar në kurbet, e hapen një herë në vit! Ejani që ti ringjallim ëndrrat tona të cilat i kemi varrosur! Ejani që të zgjohemi nga gjumi që shohim vetëm ankth e nuk na lënë asnjë pikë shprese! Të zgjohemi nga ai gjumë i thellë që të ndryshojmë botën, që do ta lulëzojë vendin e jetën tonë, që do t’i gëzojë nënat tona duke pasur fëmijën pranë vetes!
Ejani, të mos i bëjmë padrejtësi vetes sonë duke mos i zbuluar aftësitë tona dhe duke thënë se s’ka nevojë për arsim, dituri e shkencë pasi që ka punë! JO, nuk duhet të mendojmë kështu. Sepse pesimizmi është sinonim i dhimbjes që të çon në një vend ku do të ndjehemi të dëshpëruar, të mërzitur e të pa shpresë, duke harruar se cili është qëllimi i ardhjes tonë në këtë botë… Ndaj kjo botë nuk është krijuar për të jetuar kot, nuk është krijuar që natën ta kalojmë nëpër rrjetet sociale e ditën në gjumë, por është krijuar që të ndryshojmë të tashmen nga e kaluara dhe të ardhmen nga e tashmja, t’i japim kuptimin e duhur jetës e të mos bëhemi objekt loje duke i zhvlerësuar dhe asgjësuar vlerat dhe potencialin që ngërthejmë në vete e që na e dha Krijuesi i gjithësisë! Pra ejani të çlirohemi nga kjo errësirë duke gjetur dritën e të arrijmë lumturinë e lirinë tonë. Sepse liria është thelbi i shpirtit, aty ku ska liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë. © Presheva.AL