Lajme

Fenomeni i lypjes – nevojë apo profesion?!

Në komunën e Preshevës vite më parë është shfaqur fenomeni i lypjes së lëmoshës nëpër rrugët e qytetit, kafeteri, vende publike ku ka frekuentim më të theksuar të turmave të njerëzve, e në veçanti ditën e premte, kur xhemati kryen faljen e namazit të xhumasë. Pothujse në hyrje të çdo xhamie do të shihni lypsarë në numër të konsiderueshëm të tyre, sidomos ata të komunitetit rom.

Nisur nga ndenjat pozitive të popullatës së Luginës së Preshevës për të ndihmuar rastet në nevojë e veçanërisht kur dilet nga xhamitë, që në përgjithësi xhemati frymëzohet për të qenë më dorëdhënës dhe më solidar me rastet sociale në nevojë, ky moment pikërisht po shfrytëzohet nga këta lypës. Se a është ky nivel kaq i lartë i inteligjencës së këtyre lypësve për të shfrytëzuar këtë moment kulminant të dhënies së lëmoshës, mbetet për t’u parë.

Shpeshherë nga njerëz të ndryshëm ky fenomen është ngritur si shqetësim për diskutim. Vallë është kjo në nivel individual, apo ka edhe diç tjetër përtej kësaj?

Shumë njerëz japin mendime të ndryshme. Disa thonë që kjo ndodhë për shkak të papunësisë së lartë të tyre dhe nivelit të standardit të shoqërisë sonë. Ca të tjerë thonë që kjo papunësi nuk i ka përfshirë vetëm komunitetin rom, por edhe shqiptarët në veçanti. Megjithatë nuk kemi lypësa shqiptarë në numër kaq të madh.

Ka zëra të tjerë që po këta lypsarë operojnë në formë të organizuar, edhe atë në formë rrjeti shumë profesional. Ky fenomen u vërejt sot në hyrje të xhamisë “Ebu Bekër es Siddik” në Preshevë. Derisa xhemati i xhamisë po dilnin nga dalja kryesore, lypsarët ishin koncentruar tek dyert kryesore të xhamisë. Në ndërkohë xhemati që kishin qenë në katet e mësipërme të xhamisë, shfrytëzojnë hyrje-daljet anësore të xhamisë.

Me të filluar të dalin nga xhamia pas namazit të xhumasë, është vërejtur një person nga distanca duke u dhënë instruksione tinëz këtyre lypësve që të zënë pozicion edhe në daljen tjetër anësore. Këtë gjë e kishin vërejtur disa xhematë që sapo kishin dalur nga xhamia.

Sa çka fshihet pas këtyre lypsarëve, mbetet për t’u hetuar nga organet kompetente, mirëpo sa duhet të jemi syçelë ndaj këtij fenomeni ne si shoqëri, edhe kjo duhet të mbetet të analizohet në nivel personal të çdonjërit, apo të diskutohet në nivele më të larta, ku do të kishte pjesëmarrës të shumë grupeve të interesit të shoqërisë, përfshirë këtu institucionet gjegjëse publike, organet e hetuesisë dhe rendit publik, organet komunale, shëndetësore, psiko-sociale, organizatave joqeveritare, përfshirë gjithashtu edhe përfaqësuesit e vetë lypsarëve etj. ku do të diskutohet ky fenomen shumë serioz dhe të dilet me konkluza të qarta se si duhet të veprohet me ta dhe kush do të marrë përsipër menaxhimin dhe monitorimin e kësaj situate në përgjithësi.

Related Articles

Back to top button