Librat shqip për Luginën dhe pseudo-patriotizmi i politikanëve shqiptarë
Serbia pas një periudhe disa mujore të ngujimit të librave dedikuar nxënësve shqiptarë të Luginës së Preshevës, më në fund vendosi që t’i rikthej ato në Kosovë. Besoj se asnjë njeri me ndërgjegje, dinjitet e moral të pastër nuk mund të mos ndjehet i prekur nga ky veprim. Më indinjon fakti kur sheh mosreagimin e tri institucioneve kryesore që përfaqësojnë votën e qytetarëve të Luginës, fëmijët e të cilëve janë privuar nga e drejta më elementare e cila sigurohet dhe mbrohet nga ligjet dhe konventat ndërkombëtare, ajo e shkollimit.
Nuk ka se si të arsyetohet në asnjë formë e me asnjë mjet, mosreagimi i tre liderëve, kryetarit të komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, atij të Bujanocit Nagip Arifi dhe të deputetit Riza Halimi. Më çudit shumë fakti që, kur vjen në pyetje akumulimi i votave dhe mënyra e ndarjes së përqindjeve nga tenderët dhe disa mënyrave tjera të pasurimit të padrejtë, këta tregohen shumë profesionistë dhe të suksesshëm në punën e tyre, saqë, po t’i analizosh këto veprime, të bën të dyshosh që ata kanë mbaruar shkolla dhe studime të specializuara për një gjë të këtillë.
Kurse kur vjen në pyetje interesi i qytetarëve dhe me këtë rast i fëmijëve dhe nxënësve shqiptarë, ata tregohen joprofesionalë dhe politikanë mediokër, kinse nuk dinë se si të veprohet në këtë rast. Nuk do të ishte e vështirë krijimi i një strategjie apo projekti të përbashkët, i cili do t’i prezantohej si palës kosovare, asaj shqiptare si dhe asaj ndërkombëtare, për të kërkuar një mënyrë konsensusi për një gjë të këtillë, sepse më mirë është të bësh kompromis për çështjen e librave me qeverinë e Serbisë, se të bësh kompromis me Mirënjohjen e Aleksandër Vuçiçit për ndonjë çështje të “panjohur” që e kanë bërë këta liderë. Vërtetë është tronditëse kur mendon se një bashkatdhetar, një qytetar intelektual apo një lider të mos veprojë me maturi, mençuri dhe me qëllim të mirë për interesin e shoqërisë ku kanë lindur dhe ku janë rritur e formuar.
Nga ana tjetër, një mosprofesionalizëm është treguar edhe nga qeveria e Kosovës, edhe pse qëllimi i disave që kanë marrë pjesë në këtë iniciativë ka qenë i mirë, mirëpo forma e reagimit dhe e veprimit nuk është bërë në koordinim të duhur. Nisja e këtyre librave për Luginë nga ana e Ministrisë së Arsimit të Kosovës pa qenë e koordinuar me Serbinë dhe institucionet ndërkombëtare, për mua është një joprofesionalizëm tjetër.
Për arsye se ata të ministrisë duhet ta dinë se si organizohet mësimi nëpër shkolla, si përgatiten syllabuset dhe programet mësimore, apo, a janë të kooordinuara syllabuset dhe kurikulat aktuale të Luginës me përmbajtjen e këtyre librave, e shumë probleme e çështje tjera të rëndësishme që është dashur të merren parasysh para këtij veprimi.
Duke pasur parasysh se shqiptarët tashmë kanë dy shtete të konsoliduara, konsideroj se tashmë ka kaluar koha e patriotizmit dhe nacionalizmit me hapa dhe veprime joracionale dhe të pamatura, siç qe ky me librat. Të gjithë politikanët qofshin ata shqiptarë apo ata kosovarë, duhet të jenë të maturë dhe profesionalë në çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët e Luginës, përndryshe ata mund t’i vënë në pozita të palakmueshme dhe t’i përballin me rreziqe. Tirana e Prishtina nuk guxojnë që me veprime nacionaliste – që bëhen për konsum dhe interesa partiake të tyre – të lëndojnë ndjenjat e shqiptarëve të Luginës. Veçanërisht ata duhet të dinë se neve na mjaftojnë idiotësitë dhe kopallat nacioanliste të liderëve luginasë, të cilët shumë herë e kanë vërtetuar se përpos interesave personale dhe partiake, nuk lodhen për diçka tjetër.
Pra, mjaft më me veprime joprofesionale dhe pseudo patriotike!
Na mjaftojnë neve politikanë tenderdashës dhe asfalltngrënës!
Shkruan: Atullah Rexhepi