Lugina e Preshevës pa mbështetje të shteteve shqiptare [video]
“Jemi të bindur dhe kemi besim se do t’i heqim të gjitha pengesat që ndalojnë që një djalë dhe një vajzë me kombësi shqiptare të ndjehen kështu, pavarësisht se ku jetojnë”.
Kjo deklaratë e Kryeministrit Shqiptar, Edi Rama, ngjalli shpresat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës se shteti amë kujdeset për ta.
Gati dy vjet më vonë, ata gjenden në situatën e njëjtë. Për festën e 7 marsit nuk mund t’i urojnë mësuesit zyrtarisht, derisa nuk u lejuan t’i marrin librat që Kosova ndau për ta, 5 muaj më parë, raporton KTV.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, e quan kthim në dy shekuj më parë ndalimin e përdorimit të librave. Pranon se nga institucionet do duheshin veprime më konkrete.
Ndërkaq, avokati i popullit i po këtij shteti, gjatë një vizite që bëri në Kosovë, tha se nuk kanë kompetencë të veprojnë jashtë kufijve.
Ai deklaroi se do të shfrytëzojnë rrugë të tjera që çështjet të ngritën në institucionet përkatëse.
Por, sipas konventës evropiane për të drejtat e minoriteteve, Shqipëria do duhej të marrë përgjegjësinë.
Ndryshe, në Kosovë, shkollat serbe vazhdojnë të punojnë me programin mësimor të Serbisë.
Përkundër deklaratave, në asnjë nga rastet e shkeljes së marrëveshjeve nga ana e Serbisë, Kosova nuk ka vënë reciprocitet.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.