Në Medvegjë nuk do të mbahen zgjedhjet lokale
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq, ka shpallur zgjedhjet lokale për datën 24 prill, por zgjedhjet nuk do të mbahen në 14 komuna, në mesin e tyre edhe në komunën e Medvegjës, raporton Titulli.com.
Duke nënshkruar vendimin mbi caktimin e zgjedhjeve lokale, Gojkoviq ka thënë se ky vendim nuk do të vlejë për këshilltarët e qyteteve Beograd dhe Zajeçar, si dhe për komunat Arangjelovac, Bor, Vrbas, Kovin, Kosjeriq, Luçani, Majdanpek, Medvegjë, Mionica, Negotin, Oxhaci dhe Peqinci, ka njoftuar nvosti.rs, përcjell Titulli.
“Në këto komuna dhe qytete zgjedhjet janë mbajtur në periudhën prej vitit 2013 deri më 2015”, ka shpjeguar Gojkoviq, dhe ka ftuar qytetarët që të dalin në zgjedhje dhe të vendosin mbi të ardhmen e Serbisë, për të ardhme ne familjeve të tyre, fëmijëve dhe nipërve.
Kryetarja e parlamentit i ka dëshiruar të gjithë pjesëmarrësve një kampanjë fer dhe të ndershme.
“Gara zgjedhore duhet të jetë pozitive. Ata që garojnë në zgjedhje duhet të kenë parasysh që vendime të marrin në interes të bashkëqytetarëve të tyre”, ka thënë Gojkoviq.
Zgjedhjet e fundit lokale janë mbajtur më 6 maj të vitit 2012. Qytetarët e Serbisë, përveç këshilltarëve lokale, do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre edhe në nivel republikan dhe krahinor.
Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka shpallur zgjedhjet për deputetë, ndërsa njeriu i parë i parlamentit të Vojvodinës, Ishtvan Pastor, më 22 mars do të nënshkruajë vendimin mbi zgjedhjet për kuvendin krahinor.
Ju kujtojmë se zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në komunën e Medvegjës janë mbajtur më datën 13 shtator të vitit 2015./Titulli.com/