Lajme

PD në Bujanoc hapi fushatën parazgjedhore dhe prezantoi 41 kandidatët e listës zgjedhore

Me moton “Vazhdojmë edhe më fuqishëm” Partia Demokratike (PD) në Bujanoc hapi fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 24 prillit dhe prezantoi 41 kandidatët për këshilltarë komunal, raporton Titulli.com.

Bartësi i listës, Nagip Arifi, kryetar i komunës së Bujanocit, tha në këtë tubim se “PD e mbajti fjalën, ndërsa në të ardhmen, siç u shpreh ai, do të punojmë edhe më fuqishëm së bashku me vëllezërit tanë që nganjëherë po na sulmojnë”.

“Kemi punuar dhe do të punojmë për zhvillim ekonomik, sepse kemi subvencionuar bizneset me një milion euro dhe hapjen e 300 vendeve të reja të punës. Kemi aftësuar gjithashtu 200 të rinj në punën e tyre profesionale”, tha në mes tjerash kryetari i PD-së, Nagip Arifi.

Duke ftuar qytetarët e komunës së Bujanocit të votojnë numrin 1, shefi i shtabit zgjedhor të PD-së, Arbër Pajaziti paralajmëroi një fushatë fer dhe demokratike të partisë së tij.

Kryetarja e Forumit të Gruas të kësaj partie Adelina Bruçaj – Hasani tha para anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së, se “qeverisja e Arifit i ka dhënë hapësirë të mjaftueshme femrës, prandaj ju ftoj të votoni listën tonë”.

“Qyteti ka ndryshuar me investimet tona, ne jemi dëshmuar prandaj do të vazhdojmë edhe më fuqishëm”, u shpreh nënkryetari i PD-së, Muhamed Jashari.

Kryetari i Forumit Rinor të PD-së, Sali Salihu, tha se “ky pushtet ka realizuar disa investime kapitale, por me atë që mburremi është objekti universitar në Bujanoc”./Titulli.com/

Related Articles

Back to top button