Takim pune Lutfi Haziri dhe Shaip Kamberi, mundësi bashkëpunimi në zhvillimin ekonomik dhe fushën e bujqësisë
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot ka pritur në një takim pune deputetin e Parlamentit të Serbisë, Shaip Kamberi, i cili është edhe udhëheqës i subjektit politik Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc, me të cilin kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit lokal ekonomik, por edhe në fushën e bujqësisë.
Ata gjatë bisedës kanë rrahur edhe qështjen e problematikës së shtetësisë së shqiptarëve nga kjo anë në Kosovë, sikur që është debatuar edhe për qështjen e dokumentacionit të vendbanimeve për shqiptarët e asaj ane të cilat tashmë në një pjesë mjaftë të madhe është pasivizuar vendbanimi për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve të asaj ane atje.
Me këtë rast kryetari Haziri, ka thënë se misioni dhe vizioni politik i Luginës së Preshevës është i qartë tash e 26 vjetë më parë, duke spikatur bashkëpunimin në fushën e ekonomisë mes dy Komunave shqiptare.
“Biseduam me veprimtarin e dalluar të qështjes kombëtare për mundësinë e bashkëpunimit shtesë në sektorin e zhvillimit ekonomik – lokal mes dy komunave shqiptare nga dy anët e kufirit. Tradita e bashkëpunimit mes bizneseve të Gjilanit dhe Bujanocit ka qenë e përhershme dhe e vazhdueshme. Bizneset nga dy anët e kufirit janë ato që kanë dhënë impute jo vetëm në këto dy Komuna por në gjithë vendin”, ka thënë në fjalën e tij kryetari Haziri.
Ai më tej ka potencuar iniciativën që do të merret gjatë të ardhmes pikërisht nga zyra e kryetarit të Gjilanit, për amandamentim të ligjit për shtetësi në Republikën e Kosovës, në mënyrë që të krijohen lehtësira më të mëdha, që qytetarët e asaj ane të kenë të drejtën e shtetësisë edhe në Kosovë, ngase Kushtetuta e vendit e njeh dyshtetësinë.
Ndërsa, nga ana e tij deputeti Kamberi, ka thënë se ky takim është në vazhdën e takimeve tashmë tradicionale për t’i dhënë një shtytje më të madhe bashkëpunimit ekonomik dhe përvojave të bashkëpunimit ekonomik të dy Komunave.
“Meqenëse bizneset në Komunën e Bujanocit përditë e më shumë po rrezikohen nga politika diskriminuese e Serbisë është i domosdoshëm bashkëpunimi rajonal. Për këtë na duhet të përdoren medotad e bashkëpunimit ekonomik në nivelin lokal dhe rajonal. Mundësitë më të mëdha të bashkëpunimit janë në fushën ekonomike, por edhe në rrafshin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, konkretisht të prodhimit të duhanit, kur kemi parasyshë mundësinë e aktivizimit të Fabrikës së Duhanit në Gjilan”, tha ai në fjalën e tij.
Kurse lidhur me shlyerjen e adresave të banimit tek një pjesë e madhe e qytetarëve të Medvegjës dhe Bujanocit, ai ka thënë se “deri më tani askush nuk është shlyer nga adresat e vendbanimit, por, përkohësisht iu është pasivizuar adresa e vendbanimit një numri të qytetarëve, ndërsa Komuna e Bujanocit nëse vazhdohet kështu, rrezikon që gjashtë vendbanime të zbrazen zyrtarisht, mirëpo me ndërhyrjen e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare mund të bëjmë ndryshime në të mirë të qytetarëve. /2L ONLINE/