Aksion në Preshevë: “ Ku është kultura dhe Villa Mustafa”
Një grup i të rinjve nga Partia për Veprim Demokratik në Preshevë ka realizuar një aksion përmes së cilit shprehet degradimi i kulturës dhe familjarizimit në komunën e Preshevës, shkruan Titulli.com.
Për shprehjen e pakënaqësisë u vendosën pankartat “KJO ËSHTË SHTËPIA, KU ËSHTË KULTURA? dhe VILLA MUSTAFA” në oborrin e shtëpisë së kulturës dhe ndërtesën e komunës së Preshevës.
Kryetari i Forumit Rinor të PVD-së, Leart Hajrullahu tha se këto pankarta paraqesin shkatërrimin e kulturës në vendin e kulturës dhe kapjen e komunës nga familja Mustafa.
“Ky aksion na e bën të qartë se institucionet duhet të jenë të ndara dhe shumë të pavarura, pa interes politik. Në vend që të kemi një kulturë të mirëfilltë ajo fundoset nga udhëheqësi i saj. Ragmi Mustafa po mundohet të e familjarizojë komunën, duke e degraduar me pretekstin mustafian”, theksoi Hajrullahu.
Ky ishte një nga aksionet e rinisë së PVD-së të cilët po përgatisin edhe aktivitete tjera që shprehin indinjatën e rinisë dhe qytetarëve në përgjithësi të komunës së Preshevës për degradimin e vlerave shoqërore, papunësinë dhe gjendjes së rendë sociale./Titulli.com/