APN me aksion vetëdijsues, Pauza e mjekut në Preshevë…! (Foto)
Koncentrimi i pushtetit aktual vetëm në infrastrukturë rrugore jo kualitative, si dhe në politizimin e kuadrove arsimore dhe shëndetëore, ka qenë i dobishëm vetëm për disa individ dhe grupe të caktuara të partive të pushtetit lokal, dhe asesi nuk është menduar për qytetarin si pjesë e shoqërisë që duam ta ndërtojmë me vlera të mirëfillta, ku duhet të triumfoj dija ndaj përkatësisë partiake.
Forumi rinor i Alternativës për Ndryshim, në aksionin e rradhës sot vendosi një shenjë kujdesi nga shembja e kulmit në rrethojën e shkollës fillore, duke përkujtuar pushtetin lokal se në vend të koncentrimit të pushtetit lokal në politizimin e kuadrove arsimore dhe manipulimin e tyre ku si rezultat kemi një arsimim jokualitativ, është dashur që të koncentrohet në jetët e rrezikuara të vet këtyre kuadrove dhe nxënësve duke investuar në riparimin e objekteve shkollore, ku pastaj edhe përmirësohen kushtet për një mësim sa më kualitativ.
Më pas, ata vendosën një banderolë në rrethojën e Shtëpisë së shëndetit me mbishkrimin: „Pauza e mjekut prej 07:30 – 15:00” dhe “një filxhan kafeje = -1 jetë”, ku si pasojë e politizimit të Shtëpisë së shëndetit dhe keqmenaxhimit të saj nga pushteti lokal, nuk është ndryshuar asgjë përvec se rradhët e pacientëve që presin me orë të tëra mjekët, të cilët orarin e tyre të punës e kalojnë më shume në partitë politike të cilave u takojnë , duke qenë jo të ndërgjegjshëm kur mendojnë për ne si qytetarë.