Halimi: Diskriminimi në shkollë nga kryetari Mustafa tejkalon regjimin e Millosheviqit!
Intervista e drejtoreshës së Shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë në programin e mëngjesit të TV Preshevës, në të cilën u paraqit gjendja katastrofale në këtë shkollë, me mungesë të kushteve elementare për mësim, jo vetëm që duhet të na shqetësoj por patjetër duhet të jetë alarmi i fundit për ta zgjuar ndërgjegjen tonë dhe për të aktivizuar aftësinë tonë për vetmbrojtje nga rreziku alarmant i qeverisjes shkatërruese të kryetarit të komunës, Ragmi Mustafa.
Mirëpo diskriminimi flagrant që po e ushtron kryetari i komunës Ragmi Mustafa ndaj rreth 1.400 nxënësve Shqiptar në objektin qendrorë të kësaj shkolle në Preshevë, po e tejkalon dukshëm dhe diskriminimin shtetëror të regjiit të Millosheviqit.
Kur i sheh njeriu pamjet trishtuese të sallës së edukatës fizike dhe të nyjeve sanitare në këtë shkollë shtrohet pyetja elementare për kryetarin e komunës se kush i ka dhënë të drejtën me i denua aq rëndë nxënësit e kësaj shkolle?
Në bazë të cilave norma morale dhe ligjore ky kryetar komune mjetet finansiare, që i merr nga Ministria e finansave për këtë shkollë po i trafikon në asfalt apo beton vetëm e vetëm në funksion të blerjes së votave?
Këto pyetje nuk duhet të jenë vetëm çështje të fushatës zgjedhore aktuale. Këto janë pyetje që shumë më herët ishte dashur t’i inicojnë organet përkatëse hetimore meqë diskriminimi i fëmijëve është rreptësisht i ndaluar me ligjet vendore dhe ndërkombëtare, thuhet në deklaratën e PVD-së me kryetar Riza Halimin. /presheva.com/