Kamberi: Pushteti lokal ndan shqiptarët e Luginës
Lufta dhe lakmia për pushtet kanë ndikuar që liderët e partitive politike shqiptare në Luginën e Preshevës të mos bashkohen në zgjedhjet e 24 prillit, të cilat do të mbahen në Serbi. Kështu ka deklaruar në intervistën dhënë për “Zërin” Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut për Luginën e Preshevës. Ai kërkoi më shumë angazhim nga Tirana dhe Prishtina për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore.
Kamberi foli edhe për marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë, e në veçanti për Marrëveshjen e Diplomave, e cila, sipas tij, akoma nuk ka filluar të zbatohet. Ndërsa sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, Kamberi ka thënë se kjo shpërfaq më së miri faktin se Kosova nuk është Republikë sovrane.
Zëri: Në Serbi po mbahen zgjedhjet, duke përfshirë edhe ato lokale. Pse shqiptarët nuk janë bërë bashkë në një listë të përbashkët zgjedhore?
Kamberi: Për arsye aritmetike dhe si pasojë e luftës së brendshme midis partive lokale shqiptare për primat politik, në një realitet që nuk prodhon realisht pushtet politik, por më shumë simbolik. Përfaqësimi në parlamentin serb ka dëshmuar deri më tani se është më shumë përfaqësim dhe legjislativ sesa ekzekutiv. Por, atavizmi politik i partive lokale politike shqiptare ka arritur përmasa të tilla, saqë ato janë në gjendje të luftohen midis tyre në mënyrë të pakompromis edhe për një pushtet pa pushtet. Sa më të pafuqishëm që bëhen si kolektiv, aq më shumë luftojnë të jenë më të fuqishëm si individ.
Kamberi: Para së gjithash lufta për pushtetin lokal. Përpos se nuk bashkohen në një listë të përbashkët për shkak se nuk mund të pajtohen për përpilimin e listës kandiduese, arsyeja më thelbësore është çështja e luftës së tyre për pushtet lokal, ku krahasuar me përfaqësimin në parlamentin e Serbisë, në qeverisjen lokale ekziston pak pushtet ekzekutiv, sado që ai mbetet shumë i kufizuar si në aspektin buxhetor, ashtu edhe në atë të kompetencave ligjore. Fatkeqësisht, Tirana dhe Prishtina zyrtare nuk duket se tregojnë gjithashtu gatishmëri për të marrë më shumë përgjegjësi dhe për t’u përfshirë më shumë në çështjet e organizimit politik të shqiptarëve të Luginës drejt ngritjes së kapaciteteve të tij dhe të orientimit të tij politik..