Lajme

Kosova ndalon hyrjen e disa zyrtarëve të Serbisë

Hapat e fundit të Qeverisë kosovare që kanë të bëjnë me ndalimin e hyrjes së zyrtarëve serbë në territorin e Kosovës, kanë alarmuar medie të Beogradit.

Gjithnjë duke iu referuar këtyre hapave, B92 shkruan se Prishtina tashmë ka hartuar një listë të zezë për ndalimin e hyrjes së zyrtarëve serbë në territorin e Kosovës, transmeton Koha.net.

Sipas kësaj agjencie, çdo gjë ka filluar të shtunën e shkuar, më 9 prill, kur u arrestua ish – gjenerali Milovan Bojoviq të cilit pastaj iu shqiptua masa e sigurisë 30 ditë paraburgim.

Pas kësaj u kumtua se MPB e Kosovës do të arrestojë liderin e Partisë radikale serbe Vojislav Sheshel nëse hyn në Kosovë.

Kulmi i tensioneve, siç i cilëson B92 hapat e fundit të Kosovës, është vendimi për ndalimin e hyrjes së shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë Ljubisha Dikoviq në Kosovë.

Po dje, nga partia e Aleksandar Vuçiqit, u kumtua se drejtorit të Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriqit i është ndaluar hyrja në Kosovë.

Disa çaste më vonë koalicioni parazgjedhor serb Dveri-DSS ka njoftuar se po kjo masë i është shqiptuar funksionarit të lëvizjes Dveri Boshko Obradoviqit.

Këto ngjarje konstaton B92, do të krijojnë tension edhe më të madh në marrëdhëniet Beograd – Prishtinë, përfaqësuesit e të cilëve edhe më tej zhvillojnë dialog në Bruksel edhe pse çdo gjë është në pikëpyetje, marrë para sysh se takimi i fundit është mbajtur në janarin e këtij viti.

Related Articles

Back to top button