Nagip Arifi e Ragmi Mustafa ndihmojnë radikalin boshnjak Zukorlic në kurriz të shqiptarëve
Një pjesë e partive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë vendosur t’iu ndihmojnë boshnjakëve në zgjedhjet për Parlament të Serbisë derisa kanë thënë se shqiptarët s’duhet të jenë pjesë e Parlamentit serb. Krejt këto manovra të Nagip Arifit e Ragmi Mustafës po bëhen për të penguar kandidatin për deputet Shaip Kamberi. Ky i fundit thotë se koalicioni i disa prijëseve të partive për ta penguar do të dështojë. Është i bindur se do të jetë përfaqësues i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë i përbërë nga 250 deputetë.
Disa shqiptarë të Luginës së Preshevës janë bërë bashkë për t’i ndihmuar imamit radikal, Muamer Zukorlić që të bëhet pjesë e Parlamentit të Serbisë. Krejt këto veprime po i bëjnë për të penguar futjen e një deputeti të shqiptarëve në Kuvendin serb.
Këtij koalicioni të disa shqiptarëve po i prin Nagip Arifi nga Partia Demokratike derisa Kryetari i PDSH’së, Ragmi Mustafa, ka bërë thirrje për bojkot të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë me arsyetimin se shqiptarët s’i njohin këto zgjedhje. Edhe në këtë formë, Mustafa është duke i ndihmuar Zukorlicit për të marrë votat e shqiptarëve në Luginë.
Kandidati potencial për t’u bërë deputet në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka treguar për Gazetën Express, se pikërisht përkrahja e Zukorlicit nga disa individë shqiptarë po bëhet për të dëmtuar ngjitjen e tij në legjislativin serb.
“Këto veprime po i bëjnë pikërisht për të më dëmtuar mua. Ato parti kanë thënë se nuk e njohin shtetin dhe nuk marrin pjesë në zgjedhjet parlamentari. Kanë marrë autorizim nga Sukorlici që t’i mbrojnë votat e tij”, ka thënë Kamberi, për Express.
Kandidati për deputet nga Partia Veprimi Demokratik ka thënë se ka më shumë se dhjetë mijë nënshkrime të shqiptarëve që i kanë premtuar se do ta votojnë. Vota këto, pothuajse të mjaftueshme, për t’u bërë deputet.
“Ne po besojmë që së paku të kemi një përfaqësues në Kuvend pavarësisht tendencave që po tentojnë të bëjnë”, ka treguar Shaip Kamberi, kandidat për deputet në Parlamentin e Serbisë.
Muamer Zukorlic, aktualisht, është Kryetar i Bashkësisë Islame të Serbisë. Edhe më herët kishte tentuar të bëhet pjesë e pushtetit, dukë dështuar të bëhet President i Serbisë në zgjedhjet e vitit 2012.