Nishani i shqetësuar me braktisjen e Luginës nga shqiptarët
Presidenti i Republikës Shqipërisë, Bujar Nishani, ka shprehur shqetësimin e tij për fenomenin e braktisjes së trojeve shqiptare në Luginë të Preshevës për shkak të kushteve jo të mira ekonomike e sociale.
Kreu i shtetit shqiptar bëri thirrje për një angazhim më të madh të strukturave qeveritare shqiptare në respekt të Kushtetutës për mbrojtjen e interesit kombëtar, shkruan sot Koha Ditore.
Shqetësimin e tij presidenti Bujar Nishani, ashtu si dhe herët e tjera, e ka shprehur në një pritje që organizoi të dielën në mesditë me një grup nxënësish dhe mësuesish nga Lugina e Preshevës nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilët kanë ardhur prej disa ditësh të vizitojnë Shqipërinë me ftesë të veçantë të kreut të shtetit.
“Në këtë takim dëshiroj t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time personale, por edhe atë në emër të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për shqiptarët e Luginës për gjithë çka ju dhe mbarë shqiptarët kanë arritur me punë dhe sakrifica të ruajnë dhe të mbajnë të pandryshuar identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor”, ka thënë ai.
Nishani ka shtuar se shqiptarët kudo që janë përfaqësojnë një komb që kanë në ADN-në e tyre orientim perëndimor i cili e bën të domosdoshme përmirësimin e cilësisë së arsimit, pasi ai është thelbësor për mbrojtjen e të drejtave dhe të historisë së shqiptarëve.