Lajme

OSBE: Problemet në jug të Serbisë zgjidhen vetëm me dialog politik dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve lokale e qendrore (video)

Diplomati amerikan Jeff Bieley është koordinator i zyrës së OSBE-së në Bujanoc që një vit e gjysmë. Ai ka ardhur në rajonin e Ballkanit si gazetar në vitin 1998 kur në Shqipëri e Maqedoni ka punuar si gazetar i pavarur dhe si gazetar i Zërit të Amerikës. Më pas, në Kosovë Jeff Bieley ka punuar si zëdhënës i UNMIK-ut dhe si këshilltar politik në UNMIK. Gjatë kësaj kohe ai ka mësuar shkëlqyeshëm gjuhën shqipe dhe intervistën ekskluzive për portalin informativ Titulli.com e realizuam në gjuhën shqipe. Bieley në këtë intervistë flet për zgjedhjet e mbajtura më 24 prill, integrimin e shqiptarëve në organet shtetërore të Serbisë, diplomat e Kosovës dhe tema tjera të rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Tanimë ka përfunduar procesi i zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Sipas rezultateve preliminare shqiptarët do të përfaqësohen me një deputet në parlamentin e Serbisë. Si e vlerësoni këtë proces dhe çfarë duhet të presin shqiptarët e këtushëm nga qeveria qendrore?

Jeff Bieley: ODIHR që është një institucion i OSBE-së, por që është i ndarë nga misioni i OSBE-së në Serbi, ka pasur një mision të vëzhgimit të zgjedhjeve më 24 prill. Do t’i referohem raportit të tyre preliminar, ku thuhet se procesi i zgjedhjeve ka qenë i qetë dhe i organizuar mirë në Serbi, edhe këtu edhe në gjithë Serbinë. Qe një vit e gjysmë sa jam unë koordinator i zyrës së OSBE-së në Bujanoc kam parë disa shenja të rëndësishme të angazhimit të qeverisë qendrore në jug të Serbisë, përfshirë edhe dy vizita të kryeministrit dhe disa vizita tjera ministrore. Ne do të dëshironim të shohim edhe më tutje angazhimin e liderëve politik shqiptar bashkë me autoritetet qendrore dhe besoj që janë tema që mund të adresohen bashkërisht, përfshirë fushat e arsimit, zhvillimit ekonomik dhe fushat tjera.

Sipas vlerësimeve të faktorit politik shqiptar në këtë rajon, përfaqësimi i shqiptarëve në organe shtetërore, zhvillimi ekonomik dhe në përgjithësi avancimi i pozitës së shqiptarëve është në nivel të ulët. Ku mendoni se është defekti i këtij procesi?

Jeff Bieley: Kjo është një fushë ku misioni i OSBE-së në Serbi ka punuar prej themelimit të zyrës sonë në jug të Serbisë në vitin 2001 dhe gjatë viteve kemi parë përmirësime të rëndësishme në këtë fushë. Megjithatë, ka punë për të bërë për të zvogëluar nënpërfaqësimin e pakicave në disa institucione, si në polici. Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian (BE) gjithashtu ka treguar që shqiptarët në jug të Serbisë janë të nënpërfaqësuar në shërbime publike. Ne besojmë që zgjidhjet për këto çështje mund të gjenden vetëm nëpërmjet bashkëpunimit ndërmjet institucioneve legjitime dhe përmes dialogut politik. Roli jonë është të lehtësojmë komunikimin në mes të institucioneve lokale dhe qendrore dhe të ndihmojmë akterët politikë të artikulojnë qëndrimet dhe propozimet e tyre, e të ndihmojmë gjetjen e zgjidhjeve. Mirëpo, më duhet të them që përmirësimi i përfaqësimit të shqiptarëve në institucione shtetërore nuk do të ketë ndikim të madh vetvetiu në përmirësimin e gjendjes ekonomike. Për të ndihmuar ekonominë, duhet zhvillim ekonomik që mund të vijë vetëm nga sektori privat dhe kjo krijohet vetëm nëpërmjet investimeve dhe ndërmarrësisë. Jam optimist që jugu i Serbisë do të ketë mundësi të reja në këtë drejtim, duke marr parasysh përmirësimet e mëdha në infrastrukturën rrugore që po bëhen në Korridorin 10. Mendoj se investimet e fundit në komunat fqinje në Rrethin e Pçinjës tregojnë që ky rajon ka potencial, nuk është më një vend i izoluar, dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve lokale dhe qendrore mund të ketë sukses në tërheqjen e investimeve që krijojnë vende të reja të punës.

Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) është një institucion i rëndësishëm për shqiptarët e këtij rajoni që është mbështetur nga OSBE-ja. Kohëve të fundit ka mungesë të aktiviteteve në këtë organ, a është i nevojshëm një riorganizim dhe shtytje për të punuar më shumë për shqiptarët?

Jeff Bieley: Puna jonë në bashkëpunim me Këshillin nacional të shqiptarëve në Serbi ka qenë e fokusuar sidomos në çështjen e librave shkollore. Në diskutimet tona rreth kësaj çështje të gjithë palët janë dakorduar që mund të importohen më shumë libra nga Tirana, mirëpo duhet punë e mëtutjeshme të indentifikohen cilat janë ato libra që duhet të importohen nga Tirana dhe që duhet të dërgohen në miratim në Ministrinë e arsimit të Serbisë. Ne do të vazhdojmë të jemi aktiv në këtë çështje, do të bashkëpunojmë fuqishëm me KKSH-në, si dhe me partnerët tjerë për të lehtësuar këtë proces. Përtej asaj, nuk është roli im që të jap vlerësime politike për punën e KKSH-së. Kjo është detyrë e anëtarëve të këshillit dhe partive politike të cilave i përkasin. Në fund të fundit, kjo është çështje e popullit, për të cilin këshilli është krijuar për t’i përfaqësuar. Ne si mision i OSBE-së në Serbi jemi të gatshëm të vazhdojmë të bashkëpunojmë me KKSH-në në të gjithë fushat e përgegjësisë së tij.

OSBE ka ndihmuar edhe arsimin e lartë në Luginë të Preshevës. Tanimë që është hapur dega e Fakultetit Ekonomik të Suboticës në Bujanoc, çfarë jeni duke punuar tjetër në këtë drejtim?

Jeff Bieley: Ne jemi të kënaqur që Fakulteti Ekonomik ka objektin e vet të përhershëm në Bujanoc. Ne vazhdojmë të mbështesim fakultetin bashkë me komisioneren e lartë për pakica kombëtare të OSBE-së. Ky është fakulteti i parë në Serbi që ofron ligjërata edhe në gjuhën shqipe e poashtu është institucioni i parë arsimor që grumbullon bashkë, studentë shqiptarë dhe serbë. Në këtë mënyrë mendoj që fakulteti është një kontribut i rëndësishëm edhe për realizimin e të drejtave të pakicës shqiptare por edhe për integrimin e shqiptarëve në Serbi. Mendoj gjithashtu se fakulteti është një institucion i rëndësishëm që mund të jep kontribut në përmirësimin e ekonomisë së rajonit. OSBE është anëtare e Grupit të palëve të interesuara që përkrah fakultetin. Ky grup udhëhiqet nga komisionerja e lartë për pakica të OSBE-së dhe janë të përfshirë edhe ministri i arsimit të Serbisë, kryetari i komunës së Bujanocit, shefi i misionit tonë, kryetari i KKSH-së, kryetari i Trupit Koordinues dhe shefi i delegacionit të BE-së në Serbi. Ky Grup i palëve të interesuara është një forum i shkëmbimeve të informacioneve dhe ideve për të vazhduar përkrahjen dhe për të përmirësuar jetën e studentëve e cilësinë e arsimit në fakultet. Kohëve të fundit kemi marr një kërkesë nga fakulteti për të ndihmuar disa studentë shqiptarë në mësimin e gjuhës serbe. Ne iu jemi përgjigjur kërkesës së tyre dhe po sponsorizojmë disa kurse të gjuhës serbe për ata deri në fund të vitit akademik. Edhe më tej do të punojmë me fakultetin që mësimi i gjuhës serbe për studentët shqiptarë të jetë pjesë e punës së rregullt, afatgjate në fakultet.

Një problem tjetër janë diplomat universitare të Kosovës që nuk po i njeh Serbia?

Jeff Bieley: Çështja e njohjes së diplomave nga Kosova është çështje shumë e rëndësishme dhe është biseduar në nivel më të lartë ndërmjet Prishtinës e Beogradit në Bruksel. Kohëve të fundit kjo çështje ka marr një shtytje të madhe përpara kur BE-ja ka shpalosur detajet se si njerëzit mund të aplikojnë për njohjen e diplomës. Poashtu BE ka thënë se do të identifikojë një institucion të ri që do të merret me certifikimin e diplomave nga Kosova, që është një hap i rëndësishëm në këtë proces. Ne jemi të inkurajuar nga ky lajm dhe do të vazhdojmë të përcjellim zbatimin e këtij procesi në praktikë. Titulli.com

fondi-shqip-1

Related Articles

Back to top button