Opinione

Prefekti Parashutist

Shkruan: Muharrem Sadiku, 12 maj 2008

Të vështrosh nga larg zhvillimet politike në një vend ku ke lindur dhe të jesh njëkohësisht i lidhur shpirtërisht me çdo gjë që zhvillohet atje, të pamundëson të rrish duarkryq pa e thënë atë që di dhe vlerëson se fshehja e së njejtës ndikon keq në çdo pore të jetës së njerëzve tu që jetojnë atje, e pse jo edhe në tonën që sado rrallë, prapë i kalojmë pushimet në vendlindje dhe paguajmë tatimet në komunën që sot ka mbetur si është më keq.

Gjersa i përcjell ngjarjet dhe përditshmërinë që zhvillohet në Luginën e Preshevës, dhe shoh fytyrat që brenda natës u shndërruan në figura politike udhëheqëse, dëshpërohem dhe më dhimbset mundi i të gjithë atyre që dhanë kontributin e tyre qysh prej kohëve kur shumica nuk kishin guxim as të mendonin për projekte kombëtare. Sot, në skenën e vogël politike të Luginës së Preshevës, gjegjësisht të qytezës së Preshevës, njeriu mund të shohë njerëz të ciltë po e shfrytëzojnë me shumë finesë mundin dhe punën e palodhshme ilegale të dedikuar gjendjes më të mirë politike e sociale të çdo qytetari të kësaj treve.

Nuk kam se si t’i mbyll sytë para fakteve, dëshmitar i së cilës jam vet, dhe ta gënjej veten se sot atë popull po e udhëheqin njerëz jo të merituar. Dikur, jo më larg se tetëmbëdhjetë vjet më parë, elita intelektuale e këtij qyteti të vogël u organizua duke themeluar një shoqatë politike (SHPD), përmes së cilës synohej të ngritej zëri i arsyes, të kërkohej e drejta e shprehjes së lirë, e lëvizjes së lirë dhe e të drejtave elementare që i takojnë çdo komuniteti të lënë padrejtësisht brenda kufijve administrativë të një shteti të huaj.

Sot, dëgjoj deklarata të përcjella nga rrethi i ngushtë i prefektit të Preshevës se i nderuari Ragmi Mustafa na paska qenë figura më konstruktive, më e pastër, me shpirtin më organizativ e atdhedashës brenda subjektit politik që e udhëheq sot. A thua kaq shpejt i harroi ata djem të rinj që nga lëvizja ilegale themeluan shoqatën paraardhëse të PDSH-së së sotme, rezultat i së cilës, fill pas një viti, doli referendumi për autonomi territoriale që parashihte bashkëngjitjen fizike të Luginës së sotme me Kosovën!?

I prirur për të mos besuar në teorinë e rastit si mbret të botës, pyes veten se si ka mundësi që njeriu i cili qe rekrutuar nga shërbimi i zbulimit ushtarak të ish Jugosllavisë si kooperues i shkëlqyeshëm qysh nga viti 1981, sot të mos skuqet duke dhënë deklarata publike rreth ‘misionit’ të tij për ‘Shqipërinë e Madhe’?! Që ta thojë këtë dikush që nuk ia di kuptimin sa duhet, i falet, por një kryetar komune, përfaqësues legjitim i një komuniteti të për gjysëm shekulli po jeton i cunguar nga trojet shqiptare, definitivisht është më shumë se një absurd. Aq më shumë më rrenqeth fakti se deklarime të tilla, prefekti yne, të cilin nuk mund ta quaj ndryshe përpos parashutist, bën në pauzën e takimeve zyrtare me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në konfidencë.

Duke njohur aftësitë intelektuale të z. Ragmi Mustafa, nuk besoj ti ketë harruar takimet e tij të fshehta me eprorin e zbulimit ushtarak Grahovac gjatë ditëve të shërbimit ushtarak (1981) në Postojnë të Sllovenisë. Shpresoj qe ky shkrim t’ia kujtojë prefektit të nderuar proceset e gjyqeve të montuara ushtarake ndaj shqiptarëve, të cilat politikani ynë i famshëm nuk ngurronte të dëshmonte kundër të akuzuarve shqiptarë.

Meqë karakteri i këtij shkrimi nuk është hakmarrës, po e kursej prefektin e bashkatdhetarëve të mi nga emrat e atyre që u ndëshkuan si pasojë e këtyre dëshmive, por mbase do ti vijë radha edhe hollësive tjera. Tashti, gjersa po rikujtoj atë periudhë, m’u kujtua edhe afera ‘Alajdin’, rreth së cilës prefekti ynë patriot di shumë dhe besoj se sadopak kjo do t’ia prekë sedrën.

Karakteristikë e ardhjes në pushtetin lokal gjatë dekadës së fundit ka qenë, bagazhi i veprimtarisë së atyre njerëzve, qoftë në ilegale, qoftë në aktivitetet politike të kohës. Thënë thjesht, shumica prej atyre që erdhën në karrigën e kryetarit të cilësdo komunë, qoftë në territorin e Kosovës, Maqedonisë, apo edhe Luginës së Preshevës, këtë e arritën falë rezistencës, luftës, kontributit, sakrificës e vuajtjes në burg që e kishin bërë për lirinë e vendit. Nuk e di se a e dijnë qytetarët që i dhanë votën Ragmi Mustafës se ku ndodhej ai gjatë viteve historike (luftës së Kosovës, Luftës në Luginë, dhe Luftës s UÇK-së në Maqedoni) meqë nuk po ngurron t’ua shprehë atdhetarizmin e flakët as diplomatëve të huaj. Ky fenomen nuk më përkon me asgjë tjetër përpos me termin që në fjalorin e inteligjencës njihet si ‘agjent i fjetur’, i cili aktivizohet nga ata që e rekrutuan në momentin kur ai u duhet atyre.

Duke qenë një kontributdhënës modest, kryesisht me mjete materiale për çështjen kombëtare nga diaspora, mund të them se kam sadopak njohuri se si erdhi kryetari i sotshëm në pozitën udhëheqëse të partisë së tij dhe se si u ul në karrigen e prefektit. Dikush do të habitej se pse e titullova këtë shkrim me mbiemrin parashutist. Pikërisht për faktin që i nderuari z. Mustafa ishte fytyrë shumë e panjohur politike apo ushtarake në Luginën e Preshevës.

Për të mos e ngarkuar lexuesin e këtij shkrimi, po përmend vetëm edhe një emër, i cili si mua, edhe qytetarit të Preshevës sigurisht i ka mbetur ende i freskët për pozitën e tij në shërbimin e inteligjencës serbe, i famshmi Ranki nga fshati Zhunicë (prej nga vjen edhe prefekti ynë), për takimet me të cilin i bënte z. Mustafa edhe në zyrën e tij prej prefekti.

Jo pa qëllim e lashë për fund vetëm të përmend kalimthi keqpërdorimet e të lartpërmendurit që lidhen me korrupsion, me firmat e caktuara (të njohura tashmë për çdo qytetar), pastaj spastrimet e pozitave të ndjeshme në administratën komunale dhe të institucioneve të pakta vitale që ka kjo komunë. Sa për aftësitë dhe shkathtësitë depërtuese që ka z. Mustafa për të kryer punë me strukturat paralele serbe në veriun e Kosovës, më së miri flasin diplomat që ai ia ka arritur t’i marrë (jo për veten e tij) pas lufte.

Dua të theksoj se nuk ishte qëllim imi ta diskreditoj të nderuarin prefekt me këto të dhëna kompromituese, por dëshira për ta parë vendlindjen time sa më afër Prishtinës, e jo Beogradit, sa më tërheqëse për qytetarët e saj, e jo therrë në sy për ta, prej së cilës mezi presin të gjejnë një formë të largohen në kërkim të një mirëqenie më të mirë sociale.

(Autori është bashkëmoshatar i prefektit, dhe sot jeton e punon në diasporë)
Artikulli është publikuar më 12 maj të vitit 2008 marrë nga arkiva e Presheva.com

Related Articles

Back to top button