Opinion është publikuar në Portalin TetovaSot
Kampanja zgjedhore në Serbi për zgjedhjet lokale dhe parlamentare që do të mbahen me 24 prill të këtij viti tashmë është zyrtarizuar. Subjektet politike kanë paraqitur listat e tyre dhe kanë filluar aktivitetet në terren për të bindur popullatën për t`i dhënë besimin me 24 prill të këtij viti.
Loja politike që i intereson shqiptarëve është interesante në territorin e Luginës së Preshevës. Atje me çdo kusht po tentohet që t`i hidhet baltë dhe pluhur syve votuesve përballë subjekteve të reja politike që janë mjaft kreative dhe janë paraqitur para elektoratit shqiptar me projekte konkrete dhe masa konkrete për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Para disa ditësh, përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare nënshkruan edhe një memorandum të sjelljes së mirë gjatë fushatës parazgjedhore me qëllim që t`i shmangen ofendimeve dhe sharjeve e etiketimeve të ndryshme. Nëse shikojmë njërën anë të medaljes të kësaj marrëveshje do të kuptojmë se subjektet e reja politike që po garojnë në këto zgjedhje janë të sinqerta në tentimet e tyre, ndërsa ato që me vite kanë errësuar jetën e banorëve të Luginës së Preshevës, këtë gjë po e përdorin si një mjet për ta kriminalizuar dhe nxjerr jashtë loje oponentët politik.
Mediet e financuara nga Ragmi Mustafa dhe të mbështetura edhe nga Beogradi po bëjnë një fushatë të egër kundër oponentëve politik të Ragmi Mustafës dhe po e ngrisin deri në qiell atë dhe veprimtarinë e tyre politike. Si duket, Beogradit nuk i konvenon që Ragmi Mustafa të hiqet nga posti si kryetar i Preshevës, pasi që përmes Ragmi Mustafës i mbajnë nën kontroll dhe asimilim të heshtur shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Dalja në skenë e Alternativës për Ndryshim e udhëhequr nga biznesmeni i njohur dhe i dëshmuar shqiptar, Shqipërim Arifi, si duket ia ka prishur hesapet Ragmi Mustafës dhe qendrave të vendimmarrjes në Beograd.
Gjatë kësaj fushate zgjedhore janë parë edhe disa tentime të fshehta të Ragmi Mustafës për të blerë bashkëpunëtorët më të afërt të Shqipërim Arifit. Por tentimi i tyre është i kot përballë një subjekti i cili është ndërtuar jo për të mbajtur peng një popullatë që vet të pasurohet, por për ta liruar një popullatë nga zgjedha e varfërisë dhe asimilimit të heshtur kolektiv.
Ragmi Mustafën e ka kapur paniku dhe në këtë mënyrë i ka kapur paniku edhe medieve të financuara prej tij, të cilët kampanjën parazgjedhore të Mustafës e paraqesin në mënyrën e pathyeshmërisë. Ato që e përmendin pathyeshmërinë në një fushatë të këtillë tashmë zgjedhore, nënkuptohet se kanë frikë nga thyeshmëria.
Popullata e Luginës së Preshevës është mësuar me dokrrat dhe gënjeshtrat e Ragmi Mustafës, me pasurimin e tij dhe familjes së tij, si dhe varfërimin e vazhdueshëm të shqiptarëve dhe shpërnguljen e tyre për në vendet e Bashkimit Evropian.
Pa perspektiva ekonomike i detyron shqiptarët e Luginës së Preshevës që të marrin biletat e pakthyeshme për në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo gjë i konvenon Ragmi Mustafës dhe qendrave të vendosjes në Beograd.
Por, Alternativës për Ndryshim, nuk mund t`i konvenoje, kur dihet mirëfilli se krerët e kësaj partie i kanë lënë të mirat materiale dhe luksoze në Perëndim, duke rrezikuar gjithçka nga jeta e tyre për t`u kthyer në Preshevë dhe në këtë mënyrë duke dhënë mesazhin e qëndrimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Alternativa për Ndryshim në vetvete nënkupton qëndrimin e popullatës në Luginën e Preshevës dhe zhvillimin e saj përmes mjeteve legale demokratike, pa mos pasur nevojë për t`u asimiluar mbi baza kombëtare e fetare. Ky koncept është i rrezikshëm për Ragmi Mustafën dhe jaranët e tij në Beograd. Këtë gjë e dëshmojnë gjendja e mjerueshme në shkollat shqipe në Luginën e Preshevës, mungesa e infrastrukturës elementare, rritja e shkallës së papunësisë tek rinia e Luginës së Preshevës, marrja e rrugës pa kthim të qindra e mijëra familjeve shqiptare.
Ragmi Mustafës dhe dostave të tij në Beograd nuk i konvenon koncepti i ruajtës së Bujanocit nga serbizimi dhe shndërrimi i saj në Medvegje e dytë. Ky lloj politikanësh i skaduar tashmë për nevojat dhe kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës duhet që në heshtje të lejoje zhvillimin e Luginës së Preshevës duke u zhdukur përgjithmonë nga skena politike.
Opinionet, vështrimet dhe shkrimet nga individ, gazetarë, subjekte apo medie tjera të cilat publikohen në portal nuk shprehin pikëpamjet e Presheva.AL, por të vet autorit.