Lajme

Shqiptarët e Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare, kërkojnë pjesëmarrje edhe në qeverinë e Serbisë (video)

Prej vitit 2007 kur në Serbi ka ndryshuar ligji për zgjedhjet parlamentare dhe është ulur pragu për partitë politike të pakicave subjekti i vetëm politik shqiptar nga Lugina e Preshevës që ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka pasur deputetë në të gjithë mandatet ka qenë Partia për Veprim Demokratik (PVD).

Edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 24 prill, do të merr pjesë vetëm Partia për Veprim Demokratik, këtë herë e mbështetur nga dega e Unionit Demokratik Shqiptar në Bujanoc.

Bartësja e listës së PVD-së, Ardita Sinani thotë për portalin Titulli.com se ata kanë ftuar të gjithë partitë shqiptare për pjesëmarrje në zgjedhje me listë të përbashkët, por ata nuk iu janë përgjigjur ftesës.

“PVD është parti rajonale dhe me forcën tonë presim të fitojmë një deputet, ndërsa përçarja e votës shqiptare do të ketë pasoja të mos marrim dy apo tre deputetë”, deklaroi Ardita Sinani për Portalin Informativ Titulli.com.

Sipas fjalëve të saj, deputeti i ardhshëm i tyre në Kuvendin e Serbisë do të vazhdojë të shtrojë çështje të rëndësishme për shqiptarët e Luginës, siç janë nostrifikimi i diplomave, problemi i teksteve shkollore, gjykatave dhe të tjerë.

Kandidati i parë në listën e PVD-së, Fatmir Hasani thotë se është optimist për të fituar një deputet, por nëse shkojnë punët mirë, siç shprehet ai, mund të fitojnë edhe dy deputetë.

“Qëllimi i pjesëmarrjes së PVD-së në zgjedhje parlamentare është që të jemi akoma prezent me kërkesa para qeverisë së Serbisë. Presim që prapë të jemi të pranishëm në parlamentin republikan dhe të avancojmë çështjen shqiptare”, thotë Hasani për Titulli.com.

“Meqenëse Serbia është në prag të anëtarësimit në BE dhe duhet të plotësojë disa kushte lidhur me të drejtat e pakicave, presim të avancohen edhe të drejtat e shqiptarëve, integrimi në organet shtetërore dhe zhvillimi ekonomik i rajonit”, shton Hasani.

Përveç kandidatëve nga lista e PVD-së, për postin e deputetit republikan do të garojë edhe një përfaqësues i shoqërisë civile nga Presheva. Ai është Kujtim Sadriu, kryetar i organizatës Qendra për Hulumtim dhe Monitorim.

Sadriu është kandidat i listës “Muamer Zukorliq – Për pajtim”, pasi me Bashkësinë Demokratike të Boshnjakëve të Sanxhakut ka nënshkruar një marrëveshje për mbështetje.

Ai në zgjedhjet e kaluara ka qenë pjesë e Partisë Liberale Demokratike të Çedomir Jovanoviqit.

“Unë kam dal jashtë rrethit të partive politike shqiptare, sepse kështu kam kontribuar më tepër. Me Muamer Zukorliqin kemi hapur në Preshevë degën e Universitetit Ndërkombëtar të Novi Pazarit dhe medresenë dhe për këtë arsye mbështes listën e tij”, është shprehur Sadriu për Titulli.com.

Ai thekson se shqiptarët përveç në parlament, duhet të jenë edhe pjesë e qeverisë, duke kritikuar ashpër pushtetet lokale të këtushme.

“Shqiptarët duhet të jenë pjesë e qeverisë së Beogradit, sepse në Luginë funksionon ligji i partive dhe klaneve politike. Mendoj se duhet marrë pjesë në qeveri për të ndal këto dukuri negative. Të ndalim korrupsionin dhe keqpërdorimin e buxheteve komunale”, shton Sadriu.

Në Luginë të Preshevës janë të regjistruar 7 parti politike shqiptare dhe disa prej tyre kanë dal me qëndrim për bojkot, e disa as që janë prononcuar fare lidhur me këtë temë.

Subjekti më i ri politik shqiptar, Alternativa për Ndryshim (APN), me seli në Preshevë, ka dal me qëndrim se në parim mbështet pjesëmarrjen në zgjedhje parlamentare por në këto zgjedhje, nuk do të merr pjesë.

“Qëndrimi ynë është që parimisht duhet të marrim pjesë në zgjedhje parlamentare, pasi APN mendon që nëpërmjet qasjes direkte mund të ndërtojmë mekanizma funksionale për qytetarët e Luginës së Preshevës”,deklaroi, kryetari i APN-së, Shqiprim Arifi.

Sipas tij, Alternativa për Ndryshim nuk do të ftojë për bojkotim të zgjedhjeve parlamentare, por do të ftojë elektoratin e saj të vendos vetë lidhur me këtë.

“Kemi pasur përfaqësues edhe në Beograd që kanë qenë atje si kukull, por më e keqja ka qenë që nuk kanë pasur bashkëpunim të sinkronizuar me pushtetet lokale. Ne nuk do të ftojmë në bojkotim të zgjedhjeve parlamentare, qytetarët le të vendosin vetë për pjesëmarrje apo jo në këto zgjedhje”, përfundon Shqiprim Arifi, kryetar i APN-së.

Pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare shumica e shqiptarëve të Luginës së Preshevës e shohin të domosdoshëm për të qenë pjesë e proceseve dhe në këtë mënyrë të ndihmohet avancimi i pozitës shqiptare dhe integrimi në institucionet shtetërore në Serbi./Titulli.com/

Related Articles

Back to top button