Takohen kryetarët e shtabeve të partive politike, Apel për qetësi dhe rrespektim të kodit zgjedhore
Në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale dhe parlamentare të 24.prillit 2016, me qëllim që të zhvillohet një fushatë sa më e qetë e dinjitoze në mënyrë që Presheva të dëshmojë se ka tashmë një demokraci funksionale e të konsoliduar, subjektet politike shqiptare si dhe grupet qytetare pjesmarrëse të këtyre zgjedhjeve, në mbledhjen e mbajtur më 07.04.2016, dalin me këtë:
KOMUNIKATË
Kërkojmë prej strukturave të Partive politike pjesmarrëse në zgjedhjet e 24 prillit 2016, që të gjithë së bashku t’iu bëjnë apel simpatizantëve të tyre që të mbajnë nën kontroll pasionet e tyre dhe të zhvillojnë një fushatë sa më qytetare dhe dinjitoze, duke kultivuar frymën e pluralizmit, tolerances dhe mirëkuptimit, duke ju shmangur çfardo lloj provokimi apo dëmtimi të kësaj fushate parazgjedhore.
Të gjitha palët garuese të shmangin gjuhën e urrejtjes, fyerjes, shpifjes si dhe dëmtimin e materialeve promovuese zgjedhore të subjekteve politike, të zbatojnë me rigorozitet kodin zgjedhor dhe të respektojnë plotësisht bindjet e subjekteve politike.
Ftojmë të gjitha palët që t’i nënshtrohen një fushate të drejtë mbështetur në debate përmbajtësore për çështje konkrete në interes të qytetarëve dhe mos të degradojnë në sulme banale personale, qoftë në tubimet parazgjedhore si dhe përmes rrjeteve sociale.
Subjektet politike duhet të dëshmojnë që konkurrojnë me vizione të qarta, me programe të menduara mire dhe platforma politike të përpunuara, që shohin nga e ardhmja dhe që i japin më së miri përgjigje interesave të popullit tonë.
Nënshkrimet e përfaqësuesëve të subjekteve politike pjesmarrëse në zgjedhjet e 24.prillit.2016:
Partia Demokratike Shqiptare: Ilir Sadriu
Partia Për Veprim Demokratik: Nader Sadiku
Unioni Demokratik Shqiptar: Naser Aziri
Rilindja Demokratike: Naser Nuredini
Bashkimi Demokratik i Luginës: Kadri Sulejmani
Alternativa për Ndryshim: Armend Aliu