Uniteti politik mision i pamundur në Preshevë (Video)
Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të dalin me tetë parti politike dhe një grup qytetar të pavarur në Medvegjë në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Uniteti politik duket një mision i pamundur…
Alternativa për ndryshim është partia e fundit shqiptare e themeluar në jug të Serbisë. Shqiptarët e ngelur nuk janë shumë, por zyrtarët e Alternativës së re thonë se ka parti në numër, por jo në cilësi.
“Ne nuk kemi parti cilësore këtu, në përgjithësi në Luginën e Preshevës. Në Komunën e Preshevës janë katër parti, e pesta është një grupim qytetar që është në pushtet. Janë parti që janë shkëputur nga njëra-tjetra”, thotë Shqiprim Arifi nga Alternativa për Ndryshim.
Belgzim Kamberi, një nga aktivistët për të drejtat e njeriut, thotë se shqiptarët janë të përçarë për shkak të interesave. Ai vetë ka vendosur që të jetë në lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë.
“Lëvizjet politike dhe partitë politike nuk përkufizohen me kufij administrativë”, thotë ai.
Por, kjo ndarje dhe refuzim i pjesës më të madhe të partive shqiptare të marrin pjesë në zgjedhje, nuk i ndihmojnë shumë qytetarët.
“Pse mos të bashkohemi dhe të kemi vetëm dy parti”, thonë qytetarët.
Disa prej partive tradicionale e shohin si mundësi, të tjerë si problem fragmentarizimin politik në Preshevë.
“Sjellin oferta të ndryshme për qytetarin dhe u ofrohet që të zgjedhin alternativën më të mirë për ta”, thotë Ragmi Mustafa nga Partia Demokratike Shqiptare.
“Jemi angazhuar gjithmonë kundër përçarjes politike dhe gjithmonë kemi ftuar unitet. Në zgjedhjet parlamentare mund të humbim dy ose tre mandate, ndërsa nëse jemi të bashkuar atëherë do të kemi një rezultat shumë më të mirë”, shprehet Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik.
Shqiptarët janë bashkuar shumë rrallë për cështje politike që pas konfiliktit të armatosu në këtë zonë. Bashkimi i tyre duket më i vështirë sesa integrimi në Bashkimin Europian.