Lajme

Arifi: Do ta takoja Vuçiqin, por nuk i jap mirënjohje

Kryetari i ri i Preshevës, Shqipërim Arifi është shprehur i gatshëm që të takohet me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, por ka thënë se nuk do t’i jepte rinjohjeje, ashtu siç ka bërë paraardhësi i tij, Ragmi Mustafa.

Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” në KTV, Arifi ka thënë se do të rifillojë dialogun me Beogradin për të mirën e qytetarëve të komunës së tij.

“Do të ristartojmë dialogun me Beogradin dhe do të mundohemi që nëpërmjet dialogu të krijojmë një urë mirëkuptimi”, ka thënë Arifi.

“Jam i gatshëm të shkojë në Beograd për ta takuar Vuçiqin. Edhe nëse vjen do ta mirëpres por kryesorja nuk do t’i jap mirënjohje”, ka shtuar ai.

Njëri prej synimeve të mandatit të tij, Arifi ka thënë se janë librat shqip për nxënësit në Luginën e Preshevës, të cilat pritet të jenë nëpër shkolla nga 1 shtatori.

Ai ka thënë se librat shqip nëpër shkollat në Preshevë nuk kanë arritur shkaku se qeverisja e kaluar nuk e ka trajtuar siç duhet problemi me libra.

Arifi ka thënë se në dy vitet e fundit qeverisja e kaluar ka sjellë librat me traktorë nëpër male dhe nuk kanë shikuar që të sjellin librat legalisht.

“Problemi i librave ka qenë problematik që nuk e kanë trajtuar ashtu siç duhet. Në dy tre vitet e fundit librat janë sjellë me traktorë nëpër male. Ne duhet të gjejmë një lloj mundësie që nxënësit tonë shqiptar të përfitojnë nga ato libra, por që të sjellim në mënyrë ligjore”, ka thënë kryetari i ri i Preshevës.

“Dy kamionët e fundit kanë ngecur në një shkollë sepse janë importuar ilegalisht. Nuk ka pasur qasje institucionale. Nuk ka pasur dialog dhe bashkëpunim me Beogradin. Do të mundohem që nxënësit shqiptarë do t’i kenë librat shqip më 1 shtator. Unë do të përpiqem për këtë”, ka shtuar ai.

Gjatë intervistës për “Interaktiv” të KTV-së, Arifi ka thënë se në Preshevë do të sjellë një investitor i cili do të hapë shumë vende të reja të punës.

“Shumë shpejtë do të kemi investitorin e parë ekonomik që do të hapë vende të reja të punës”, ka thënë ai. Arifi gjithashtu ka thënë se do të realizohen projektet për ujë, rrymë dhe mbeturina.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Related Articles

Back to top button