Bujanoc: Ndarja e mjeteve për mediat “alla partizançe!”
Raporti i Drejtoratit për shërbime publike dhe veprimtari shoqërore, në fushën e informimit, në Komunën e Bujanocit, për vitin 2016, është i mangët, i njëanshëm, madje edhe qesharak.
Në bazë të Nenit 17, të Ligjit për informim publik dhe media,Vendimi për buxhetin e Komunës së Bujanocit, për vitin 2016, konkursi për projekte të bashkë – financimit për interesin publik në fushën e informimit, të publikuar në faqen e internetit të komunës, më 10.03.2016, sipas nenit 3 dhe 4 të Rregullores mbi kushtet dhe mënyrën e shfrytëzimin të mjeteve për informim publik të rëndësisë lokale, Departamenti i Drejtoratit për shërbime publike dhe veprimtari shoqërore, në mbledhjen e mbajtur, më 18/19.04.2016, deklaron:
Pas shqyrtimit të 15 projekteve të aplikuara për bashkë – financim, është vërtetuar se dy prej tyre, nuk i kanë plotësuar kushtet: revistat “Perspektiva” dhe “Jehona” nga Komuna e Bujanoci dhe RTV “Belle Amie”, që nuk është nga kjo komunë.
Ndërsa 12 propozim – projektet e tjera i kanë plotësuar kushtet. Prej tyre 6 portale informative, dy televizione publike, një radio, Sky prdukcion dhe dy revista në gjuhën serbe, duke u eliminuar vetëm dy revistat në gjuhën shqipe.
Shembulli i keq
Komisioni i “ekspertëve” për vlerësimin e projekteve dhe programeve, në sektorin e informimit në Komunën e Bujanocit, për vitin 2016, i mbetet për të udhëhequr punimet e mëtejme të konkursit në juridiksionin e saj, duke ia besuar punën sekretarit të komisionit Fejzi Beqiri – jurist.
Komisioni i “ekspertëve”, për vlerësimin e projekteve, nuk është i vetëdijshëm se ka shkelur me dy këmbë mbi parimet e ndarjes së grandeve, mbi bazat e kriteriumeve, duke cenuar lirinë e medieve, posaçërisht të atyre të shkruara në gjuhën shqipe.
Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, më 3 maj, gjithkund nëpër botë është shprehur gatishmëria dhe mbështetja për gazetarët dhe mediet, që janë dëshmuar me veprën e tyre për ta mbrojtur dhe lirinë e fjalës dhe të shtypit të lirë.
Askush nuk e konteston se liria e medies është një gur themeli për shoqërinë demokratike, por Lugina e Preshevës, e posaçërisht Komuna e Bujanocit, është një shembull i keq, e cila i shtrëngon gazetarët dhe mediet t’i shërbejnë pushtetit, për të fituar donacion prej tij.
Shembull konkret e kemi konkursin e Komunës së Bujanocit, të shpallur, më 10.03.2016, në kohën kur u shpallën zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Serbi.
Pas një muaji e disa ditësh, pikërisht, më 18/19.04.2016, Komisioni i “ekspertëve”, për vlerësimin e projekteve, i caktuar nga ish pushteti, doli me një deklaratë për opinion, sa naive aq qesharake.
Argumentet
Pa u ndalur në përbërjen e komisionit, ngjyrat partiake dhe aftësinë për të marrë një qëndrim të tillë rreth projekt – propozimeve, Shoqëria Civile “Perspektiva”, i sjell disa argumente:
E para ish pushteti, në ikje, ka qenë dashur, që paranë publike të paraparë për informimin publik, t’ua ndajë medieve para zgjedhjeve, në mënyrë, që ato të kenë mundësi materiale për të kontribuar në përcjelljen e zgjedhjeve, këtij procesi të rëndësishëm për shoqërinë tonë.
E dyta ish pushteti, ka pritur deri në përfundim të zgjedhjeve, deri në rezultatin e procesit zgjedhor, për t’i nderuar mediet, të cilat i kanë shërbyer atij, në mënyrë që t’i shpërblej sipas kontributeve. Qëllimi i prolongimit të ndarjeve të mjeteve, ka qenë që medieve t’u mbyllet goja gjatë fushatës, për t’ia mbajtur anën koalicionit qeverisës.
E treta dhe e vërteta, pushteti në ikje, ka harxhuar paranë publike të paraparë për informim dhe tani, që po ia lë lamtumirën qeverisjes së re e lë të hapur vazhdimin të udhëhequr punimet e mëtejme të konkursit në juridiksionin e saj.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, ka vërejtje serioze në Raportin e Drejtoratit për shërbime publike dhe veprimtari shoqërore në dhe komisionit për vlerësimin e projekt – propozimeve të medieve nga Komuna e Bujanocit.
Si është e mundur, që nga 15 projekt – propozimet, komisioni për vlerësimin e projekteve, të nxjerr tri prej tyre, të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet. Për të parën RTV “Belle Amie”, po dihet se nuk është nga Komuna e Bujanocit dhe qëndrimi i këtij institucioni është, që donacionet të ndahen vetëm brenda territorit të saj administrativ.
Por, nuk është e kuptueshme dhe aspak logjike, pse të përjashtohen nga e drejta e konkursit për parregullsi vetëm dy revistat e vetme në gjuhën shqipe: “Perspektiva” dhe “Jehona”. Këto dy revista, të gazetarisë së shkruar, nga viti 2002, kanë qenë të subvencionuara nga buxheti komunal, madje edhe ai republikan.
Si është e mundur, që këto revista, qe 14 vjet, kanë qenë në rregull e tashti në fund të mandatit të këtij pushteti, po dalin se nuk i plotësojnë kushtet e konkursit. Edhe diçka Revista “Perspektiva” me 202 numra të botimit të saj dhe Revista “Jehona” me 107 numra të botuar, tregojnë se këto mediume kanë një vazhdimësi të veprimtarisë informative, në periudha të ndryshme edhe më të rënda se sa kjo qeverisje, që po largohet edhe me një turp, të cilin nuk munda ta lajnë lehtë.
Alarmante
Nuk mund të jetë në rregull një medium, qoftë portal, që dje është formuar, të krahasohet me ndarjen e parasë publike me një medium, i cili ka sakrifikuar për ta mbajtur gjallë informimin shqip në Luginë të Preshevës me dekada të tëra.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, pavarësisht Raportit të Drejtoratit për shërbime publike dhe veprimtari shoqërore, kërkon nga institucionet e reja komunale e shtetërore, ta pezullojnë një raport të tillë, duke formuar Komision të ri, profesional dhe të pavarur për rishqyrtimin e projekt – propozimeve, në bazë të kritereve dhe vlerave, që kanë ato e jo mbi parimet e ngjyrimeve politike.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc