Lajme

Bujanoc: Vota e “malësorit”, një shpirt i shitur!

Malësorët, kryesisht, banorët e Malësisë së Bujanocit në zgjedhjet e 24 prillit 2016, e shpërndanë votën e tyre si “zogjtë e korbit”.

Me 1357 të grumbulluara nga Breznica e deri te Zarbica, u shkapërderdhën në katër parti, me mundësi rreziku, për të ngelur pa asnjë ulëse në parlamentin lokal të Bujanocit.

Kështu ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara të 2012, kur nga mbi 2500 votat e fituara të Malësisë, vetëm një kandidat shkoi për këshilltar, në vend se të shkonin 4 ose 5 këshilltarë.

Pse ndodh kështu?

Në Listat zgjedhore të subjekteve politike, aktivistët nga Malësia, mund të renditen pas numrit rendor mbi 10, kështu që shanset e çdo partie veç e veç, nuk mund të fitojnë më shumë se 12 këshilltarë.

Në këto zgjedhjet e prillit, të këtij viti, u ndanë votat e malësorëve, për të mos thënë të “maloqve”, në shumë parti, duke mos u faktorizuar me mandate këshilltarësh.

Po të ishin grumbulluar votat me një “kosh” në njërën nga këto partitë e katërta, me siguri se Malësia e Bujanocit, do të kishte në Kuvendin Komunal dy e më tepër këshilltarë.

Kontrabanda 

Përgjegjësinë për trafikimin e votave të Malësisë së Bujanocit, në këto zgjedhje dhe në ato të mëparshmet e bartin, disa veprimtarë nga kjo anë të zhvendosur në Gjilan. Ata nuk kanë të drejtë vote e as nuk jetojnë në Malësi, por mbajnë lidhje emocionale dhe nostalgjike, me disa subjekte politike në Bujanoc. Bile, flitet hapur se janë “sajdisur” edhe me ndonjë premtim elektoral, pse jo edhe me ndonjë ndihmë simbolike në para.

Këta persona, të integruar në jetën politike dhe ekonomike të Gjilanit, nuk e marrin me mend sa i bëjnë dëm bashkëvendësve të tyre në Malësinë e Bujanoc, të cilët kanë vendosur të qëndrojnë në vatrat e tyre stërgjyshore.

Statistikat e rezultateve zyrtare të Komisionit Zgjedhor Komunal, flasin se në zgjedhjet e 24 prillit për pushtet lokal, nga Malësia e Bujanocit, Partia për Veprim Demokratik e Shaip Kamberit nga Tërnoci, ka fituar 597 vota, Partia Demokratike e Nagip Arifit nga Tërnoci 508, Lëvizja e Progresit Demokratik e Jonuz Musliut nga Konçuli 223, Partia Republikane e Avdil Ramadanit nga Novosella 28 dhe Grupimi Qytetar – Sali Salihu nga Tërnoci, vetëm 1 votë.

Një shembull paksa i pazakontë: derisa liderët politikë nga zonat urbane marrin vota me thasë në Malësi të Bujanocit, Partia Republikane e cila thirret se e ka bazamentin në Malësi, në Mëhallën e Strukarëve në Tërnoc, nuk ka marrë asnjë votë dhe në Konçul, ka mbetur me zero votë. Ky fenomen, vlen të studiohet mirë!

Rreziku

Zvogëlimi i votës së Malësisë së Bujanocit, si pasoj e shlyerjes nga evidence e gjendjes civile, pasivizimi i vendbanimeve dhe fshirja nga regjistrat votues, ka bërë që shqiptarët në këtë mandat të kenë 26 këshilltarë nga 30 sish sa i kishin në vitin 2012. Ky zvogëlim i numrit të këshilltarëve shqiptarë dhe ngritja e këshilltarëve serbë nga 11, sa kishin gjatë vitit 2012 në 14 sish, të fituar në zgjedhjet e 24 prillit, tregon qartë se fati i pushtetit lokal, po kthehet si në kohën e vitit 2002 e ndoshta edhe më herët, me rrezikun e ndarjes së pushtetit fifti – fifti, mbi bazat e një principi të mirëfilltë multietnik.

Por, për këto rreziqe nuk u ha palla disa “maloqve”, të cilët jetojnë në Gjilan, të Republikës së Kosovës, e mbajnë ndonjë lidhje interesi edhe me Komunën e Bujanocit, në Republikën e Serbisë, me një mënyrë, për të kullotur në dy korita!

Nuk ka më dy korita, dy pensione, dy vota, dy palë dokumente. Kujt i pëlqen të jetoj në Luginë, dyert i ka të hapura, e jo nga Gjilani, të na mësojnë se si duhet të frymoj Bujanoci?!

Angaria 

Këta aksionarë mercenarë, të përmendur për punë “angarie”, nuk dallohen vetëm në zgjedhjet lokale të Bujanocit, por edhe të Gjilanit.

Paramendoni në zgjedhjet e fundit, në Komunën e Gjilanit, nga elektorati i Malësisë së Bujanocit, që jetojnë në këtë komunë, kanë fituar 6 këshilltarë, të shpërndarë në 6 parti. Po të kishin qenë 6 këshilltarë në një subjekt politik, qoftë në LDK apo PDK, me siguri se do të kishin qenë faktor në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Ata kështu siç janë, aktualisht, nuk vlejnë as për hudhra.

Këto fizkultura të këtyre aksionarëve mercenarë e kanë sjellë Malësinë para një ekzodusi tragjik e tash u kanë mbetur edhe bashkëvendësit e tyre, që jetojnë në qytetin e Bujanocit, të cilët çdo ditë e më tepër po “zhallaviten” nga pushteti lokal e qendror, si një paçavure pa vlerë.

Kështu e ka politika dhe ata, që i shërbejnë asaj, me syze, për interesa të ngushta personale e familjare. Deri kur kështu?!

Shoqëria Civile “Perspektiva’, në Bujanoc

Related Articles

Back to top button