Deputeti i vetëm shqiptar në Serbi shprehet i gatshëm për bashkëpunim me Vuçiqin
Partia shqiptare në Luginë të Preshevës, Partia për Veprim Demokratik ka shprehur interesim për futje në koalicion me fituesin e zgjedhjeve në Serbi, listën e përbashkët “Fiton Serbia” e udhëhequr nga partia e kryeministrit Vuçiq, Partia Përparimtare e Serbisë.
“Partia për Veprim Demokratik është e interesuar që të jetë pjesë e koalicionit qeverisës. Nëse Aleksandar Vuçiq vendos që të ftojë në koalicionin e gjerë, që e ka paralajmëruar, ne këtë ftesë do ta pranojmë”, ka thënë Fatmir Hasani për mediet serbe. Hasani është edhe deputeti i vetëm i shqiptar i dalë nga zgjedhjet e 24 Prillit, transmeton Koha.net
Në atë se a ka marrë ende një ftesë zyrtare për bashkëpunim, Hasani ka thënë se është herët sepse nuk kanë dalë ende rezultatet zyrtare nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve. Kësaj i shtohet edhe dhënia e mandatit për formimin e qeverisë nga presidenti, Tomislav Nikoliq.
Futjen në koalicionin e paralajmëruar nga Vuçiq, Hasani e sheh si mundësi për të dhënë ndihmën e tij në zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në relacionin Beograd – Prishtinë – Tiranë.
“Tash mund të flasim vetëm për pozitën e partisë dhe dëshirave tona. Jemi të gatshëm të ndihmojnë kryeministrin Vuçiq në zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në relacionin Beograd – Prishtinë – Tiranë”, ka thënë Hasani, duke shtuar se do të ndihmojnë edhe përmirësimin e gjendjes ekonomike në Luginën e Preshevës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.