Formohet Lëvizja qytetare “Lugina” në Fushë Kosovë
Njoftojmë opinionin publike se pas ndarjes së Degës “Vatra” në Fushë Kosovë nga e ashtuquajtura Selia qendrore e kësaj Lëvizjeje në Gjilan nga sot kjo Degë është shndërruar në LËVIZJE QYTETARE “LUGINA” (LQL), e cila tani e tutje do të jetë Iniciativa më e re politike e qytetare në Komunën e Fushë Kosovës dhe do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Lëvizja Qytetare “LUGINA” edhe njëherë shprehet se shkaqet për ndarjen nga “Vatra” e Gjilanit tashmë janë të njohura dhe mendojmë se nuk ia vlen të ripërsëriten të njëjtat qëndrime, sepse ato jo vetëm që nuk meritojnë të përmenden më shumë, por marrja me ta është akt i mëtutjeshëm i nënçmimit.
Opinioni dhe simpatizantët tanë, gati për një vit të aktiviteteve tona kanë mundur t’i shohin dhe vlerësojnë punët dhe veprimet tona, e cila ishte mjaftë dinamike dhe në interes të çështjes së Luginës së Preshevës, por dhe të qytetarit, në këtë rast të atyre që sot për shkaqe të ndryshme jetojnë në Fushë Kosovë e gjetiu. Marrja me Komunitetin e Luginës në këtë Komunë, por dhe ndihmesa në çështjen e pazgjidhur të Luginës ë Preshevës dhe sensibilizimin e saj nuk është një punë e lehtë dhe hobi personal, padyshim se kërkon angazhim të madh dhe seriozitet maksimal. Ndjesia ndaj çështjes së Luginës dhe ky përkushtimi ndaj halleve dhe problemeve të këtyre njerëzve që sot jetojnë në një numër të konsiderueshëm në Fushë Kosovë janë motivet kryesore të përkushtimit dhe nevojës për t’u marrë me këto aktivitete në formë të organizuar, gjë që ka munguar deri më tani.
Ky organizim nuk ka kurrfarë interesi personal, lokal, rajonal, apo të ndarjes së qytetarëve tanë sipas ndonjë fisi, lokaliteti, apo krahine, por ka vetëm rolin e organizimit të tyre për avancimin dhe realizimin e të drejtave të barabarta me të gjithë qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës, Kushtetuta e së cilës iu garanton, pa marrë parasysh etninë, racën, apo religjionin.
Fushë Kosova me 7-8 mijë qytetarë me origjinë nga Lugina e Preshevës, shumica prej tyre janë nga Presheva, Bjanoci dhe Medvegja, të cilët padyshim kanë nevojë imediate për organizime të tilla politike, të cilat nuk do të jenë vetëm element pasiv dhe vëzhgues në këtë Komunë, por pjesë aktive dhe përbërëse, sepse ky Komunitet sot jep kontribut të çmuar në zhvillimin e kësaj Komune. Kurse, Lëvizjes Qytetare “LUGINA” do të jetë në ballë të realizimit të interesave të tyre, me fokus të veçantë të Komunitetit të Krahinës shqiptare të Kosovës Lindore, përkatësisht Luginës së Preshevës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë), por dhe qytetarëve tjerë.
Përfaqësimi i qytetarëve të Luginës së Preshevës në Komunën e Fushë Kosovës do të ishte edhe një ndihmesë e madhe, si për Komunën, por edhe për institucionet tjera të Republikës së Kosovës, sepse do të jep një imazh pozitiv mbi përfaqësimin e tyre në jetën politike dhe sferat tjera shoqërore ku do të përfshihen të gjithë qytetarët e saj dhe jo të ndahen sipas lokaliteteve gjë që është duke ndodhur tani. Kjo gjendje do të përmirësohet me LQ “LUGINA”, e cila do të jetë në funksion të gjithë qytetarëve të saj dhe nuk do të bëjë asnjë dallim etnik, apo fetar. Kjo qasje e politike në Fushë Kosovë do të ndikonte në ndryshim e jetës së qytetarëve të saj.
Lëvizja Qytetare “LUGINA” njofton se selia e saj qendrore është në Fushë Kosovë dhe njëherësh do të përqendrohet vetëm në këtë Komunë, ndërsa për shtrirjen e aktivitetit të saj edhe nëpër komunat tjera opinioni do të njoftohet me kohë.
Më 19MAJ 2016
Fehmi Ramadani,
Kryetar i Lëvizjes Qytetare “Lugina”
Fushë Kosovë