Lajme

Kërkesat e lëvizjes “Vatra” ndaj Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Luginës

Dje në takim me z.Bajram Gecaj, zv/ministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe Koordinator joformal për Luginë të Preshevës në Qeverinë e Republikës së Kosovës me ç’rast Lëvizja “Vatra” në Fushë Kosovë ia shfaqi kërkesat kryesore të saj. Në këtë takim morën pjesë Fehmi Ramadani, kryetar i “Vatrës” në Fushë Kosovë, Sadri Syla, nënkryetar, Lulzim Ibishi, anëtarë i Kryesisë dhe Arben Ramadani, anëtarë. Theks të veçantë iu kushtua çështjes së pazgjidhur të Luginës së Preshevës dhe nga kjo Qeveri u kërkuar që me çdo kusht të insistohet dhe të futet në agjendën e bisedimeve në mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel çështja e pazgjidhur e Luginës së Preshevës.
Në këtë takim u diskutuan të gjitha temat e prekshme që janë në Luginë, por edhe problemet që kanë qytetarët e Luginës të zhvendosur nga viti 1999 në Kosovë, përkatësisht në Fushë Kosovë duke filluar nga pajisja me dokumente, regjistrim nëpër shkolla dhe fakultete, punësim, etj.
Në fund, z.Gecaj shprehu gatishmërinë e tij që të mbështesë kërkesat e mundshme të Luginës së Preshevës, por dhe të qytetarëve të saj që jetojnë në Republikën e Kosovës, duke kërkuar gjithnjë ndihmën dhe bashkëpunimin reciprok të të gjithë faktorëve që përbëjnë jetën politike atje dhe këtu. Ai shprehu bindjen se problemet e Luginës së Preshevës do të zgjidhen në bashkëbisedim me Beogradin dhe Faktorin Ndërkombëtar, por dhe me ndihmën e dy shteteve tona, Shqipërisë dhe Kosovës do të jetë më lehtë dhe kjo mbështetje nuk do të mungojë në të ardhmen.

Më poshtë janë shënuar të gjitha kërkesat që ka Lëvizja “Vatra” e Fushë Kosovës e që në vazhdimësi është duke bërë presion te faktori politik i Kosovës të shqyrtojë ndonjërën prej tyre. Këto kërkesa nuk janë vetëm ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, por edhe ndaj të gjithë faktorëve tjerë relevant, si mekanizmave të ndryshëm ndërkombëtarë.

TAKIM ME Z.BAJRAM GECAJ, ZV/MINISTËR I ADMINISTRIMIT TË PUSHTETIT LOKAL NË REPUBLIKËN E KOSOVËS

Kërkesat e Lëvizjes “Vatra” në Fushë Kosovë ndaj institucioneve Qendrore dhe Lokale të Republikës së Kosovës

Kërkesat ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës:

1. Përfshirja e problemit të Luginës së Preshevës në dialogun e Brukselit me Beogradin.
2. Formimi i një Zyre për Luginën e Preshevës (Drejtorie) në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
3. Formimi i Fondit Kombëtar për Luginën e Preshevës.
4. Reciprociteti mbi të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës me të drejtat individuale dhe kolektive të pakicën serbe në Republikën e Kosovës.
5. Mbështetja ekonomike, financiare dhe realizimi i projekteve të ndryshme në të gjitha segmentet e jetës në Luginë të Preshevës.
6. Aplikimi i dyshtetësisë për të gjithë qytetarët me origjinë nga Lugina e Preshevës.
7. Përfshirja e Luginës së Preshevës në zgjedhjet Parlamentare të Republikës së Kosovës.

Kërkesat ndaj Komunës së Fushë Kosovës:

1) Hapja e një Zyre për Komunitetin e Luginës së Preshevës në Fushë Kosovë,
2) Krijimi i kushteve dhe ndihma për ndonjë kthim eventual të këtyre banorëve në vatrat e mëhershme, për mes ndonjë subvencionimi, apo ndihme tjetër,
3) pajisja me dokumente personale-marrja e dy shtetësisë,
4) punësimi i tyre,
5) përfshirja e tyre në skemat sociale,
6) krijimi i perspektivës për të rinjtë,
7) përfshirja e tyre në subvencionete ndryshme të Komunës,
8) zgjidhja e problemit të pronave (bartja e tyre),
9) integrimi i fëmijëve të tyre nëpër të gjitha institucionet parashkollore, shkollore dhe universitare,
10) ndarja e ndihmave, apo bursave të ndryshme për nxënësit dhe studentët e këtij Komuniteti,
11) integrimi i tyre nëpër të gjitha segmentet e jetës institucionale të Komunës së Fushë Kosovës dhe më gjerë,
12) bashkëpunimi i ndërsjellë i Komunës së Fushë Kosovës dhe Komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në të gjitha aspektet.

Më, 04.05.2016
Fehmi Ramadani
Prishtinë
Kryetar i Lëvizjes “Vatra”
Fushë Kosovë

Related Articles

Back to top button