Shëndetësi

Kujdes,ky bakter ka pushtuar gjysmën e popullatës në botë

Helicobacter Pylori, është bakter që zakonisht gjendet në stomak. Ai është prezent në pothuajse gjysmën e popullatës së botës.

Mendohet së gjysma e popullatës në botë është e prekur nga ky lloj bakteri, shumë pak në vendet e zhvilluara dhe perëndimore, dhe më shumë në vendet në zhvillim. Në zonën e Ballkanit mendohet se rreth 70% e popullatës është e prekur nga H.pylori. Mbi 80% e tyre janë asimptomatikë që do të thotë gjatë jetës së tyre nuk kanë asnjë simptomë dhe shenja të sëmundjes. Kjo ka shtyrë që shumë shkencëtarë të mendojnë se kjo baktere nuk është aq e rrezikshme sa mendohet.

Infeksioni dhe kontakti me këtë lloj bakteri ndodh që në moshën e hershme të fëmijërisë, gjatë kontakteve të para me ambientin përreth që është i kontaminuar me H.pylori.

Kushtet socio-ekonomike të popullatës luajnë rol të rëndësishëm në përhapjen e infeksionit, si p.sh:

– Banimi në ambient me shumë anëtarë rrit riskun e përhapjes së infeksionit.

– Nëse kushtet hidrosanitare në ambient janë të dobëta, ambient ku nuk ka kontroll të ujit të pijshëm dhe ujit të rrjedhshëm rrit rrezikun e infeksionit dhe bartjen e saj.

– Nëse bashkëjetoni ose keni kontakte të shpeshta me personin që është i infektuar me H.pylori rrit rrezikun e infeksionit dhe bartjen a saj.

Simptomat e H.Pilori.
Shumë individë me gastrit ose duodenit kronik nuk kanë simptoma (shenja). Megjithatë, shumë njerëz shfaqin probleme serioze perfshirë ulçerën e stomakut apo të duodenit. Ulçera mund të shfaqë nje sërë simptomash, por me të shpeshtat janë:

Dhimbje ose diskomfort (ndjenjë jorehatie) në pjesën e sipërme të barkut;

Fryrje barku;

Ndjesia e ngopjes pas një vakti të vogël;

Humbje oreksi;

Nauze ose te vjella;

Jashtëqitje të errët ose të zezë si qymyri;

Ulçera mund të gjakosë dhe te shkaktojë anemi dhe këputje trupore.

Si diagnostikohet?
Ekzistojnë disa metoda që mund të diagnostikojnë prezencën e H.pylorit në stomak, siç janë:

1. Testi përmes gjakut. Përmes antitrupave ndaj H.pylorit (IgG) mund të verifikohet prezenca e infeksionit. Kjo metodë është më e shpeshta në popullatë, por jo edhe më e sakta dhe më sensitive. Ky lloj testi nuk rekomandohet dhe nuk ka vlerë diagnostike pas trajtimit dhe eradikimit te H .pylorit. Përdoret ne raste të veçanta ku nuk ka mundësi për teste tjera më sensitive dhe specifike.

2. Testi përmes fecesit. Përmes fecesit mund të identifikojmë antigjenet e H.pylorit, antigjene speciike të saj që prezenca në feces tregon infeksion dhe ky lloj testi mund të përdoret për vërtetim të eradikimit pas një periudhe kohore që mund të jetë pas javës së 4-të ose 5-të pas mjekimit.

3. Përmes CLO-ureaze testit, përmes marrjes së materialit(biopsisë) nga stomaku ose duodeni që bëhet gjatë procedurës së endoskopisë.

4. Urea breath testi (testi përmes frymëmarrjes). Ky test që është më sensitivi dhe më specifik për të treguar praninë e H.pylorit në stomak tani është test rutinë në çdo klinikë në vendet perëndimore dhe SHBA. Testi konsiston në marrjen e kapsulës ose lëngut që është e përzier me ure ose karbon të ngjyrosur jo-radioaktiv C13 jo të dëmshëm për organizëm. Nëse ka prezencë të H.pylorit në stomak karboni joradioaktiv do zbërthehet nga ureaza e bakterit duke liruar CO2 dhe karboni i ngjyrosur lirohet përmes frymënxjerrjes në një aparat të posaçëm që mat sasinë e karbonit të ngjyrosur, varësisht nga niveli i saj vlerësohet prezenca e bakterit. Ky test është kryesori në vlerësimin e trajtimit dhe eradikimit të H.pylorit

Si mjekohet?
Terapia e linjës së parë e ashtuquajtur ”triple therapy” konsiston në marrjen e tre lloj medikamenteve për një periudhë kohore prej 7-10 ditë siç janë: Inhibitorë të pompës protonike(Omeprazol, Pantoprazol, Lansoprazol,Esomeprazol) dhe dy antibiotikë si Klaritromicina dhe Amoksicillina. Gjatë viteve janë zhvilluar disa variante dhe modifikime të terapive treshe varësisht nga rezistenca në popullata të ndryshme.

Variantet tjera treshe konsistojnë në zëvendësimin e antibiotikëve të lartshënuar me antibiotikun tjetër Metronidazol, posaçërisht në personat alergjik në penicilinë ky antibiotikë është i linjës së parë së bashku me klaritromicinën. Në disa raste mund të përdoret bismut subsalicilat si preparat shtesë në treshe duke formuar terapi katërshe. Levofloksacina është një antibiotikë tjetër alternativë në raste të shfaqjes së rezistencës ndaj trajtimit me antibiotike të linjës së parë.

Disa studime kanë treguar së përdorimi i terapisë treshe së bashku me jogurt të pasur me bifidobakterie dhe lactis bakterie ndihmojnë në shërimin më të shpejtë të mukozës gastrike dhe duodenale.

Efektet anësore të mjekimit.
Mbi 50% e pacientëve kanë efekte anësore gjatë marrjes së mjekimit për H.Pilori. Zakonisht këto efekte janë të lehta dhe më pak se 10% e pacientëve ndalojnë mjekimin prej efekteve anësore të forta. Për ata që kanë efekte anësore prej mjekimit mund të bëhen ndryshime në doza ose në kohën e marrjes së mjekimit. Disa prej efekteve anësore më të shpeshta janë si më poshtë:

Shija metalike në gojë.

Skuqje të lëkurës, dhimbje koke, nauzea, të vjella, djersitje dhe shpeshtim të rrahjeve të zemrës (takikardi).Të gjitha këto efekte anësore ndodhin në qoftë se gjatë mjekimit konsumohet alkool.

Konstipacion (kapsllëk) dhe feçe të ngjyrosura.

Diarre (barkëqitje), dhe dhimbje stomaku ne formë krampesh (shtrëngimi).

Mr.sci.pharm Ermis Kala

Related Articles

Back to top button